Kryesuesit kundër kampionëve në fuqi. Edhe kaq ka vlerë më shumë se një ndeshje e zakonshme ajo Teuta-Tirana që do të luhet në Durrës, por doza e adrenalinës shtohet me dyshen që ndjek skuadrën e Martinit dhe shansin e fundit ndoshta për Europë që kanë kryeqytetasit. Praktikisht një ndeshje për të mos u humbur, por që Martini duhet ta përballojë pa një nga lojtarët e tij më në formë. Lorenco Vila do të mungojë për shumë kartonësh të verdhë, duke lënë një boshllëk të madh kualiteti e intensiteti në formacionin bregdetar. Martini është duke menduar të bëjë lëvizjen e duhur për të mos prishur ekuilibrat e skuadrës e njëkohësisht duke menduar ti bëjë keq me lëvizje surprizë Tiranës së Shehit.
Shkodrani edhe pse në krye të klasifikimit vazhdon të ruajë supersticiozitetin për të mos u ekspozuar para medias, duke kycur cdo informacion rreth të tijve. Kështu, përvec faktit që të gjithë lojtarët e tjerë janë në dispozicion të teknikut, gjithcka tjetër është e paparashikueshme. E megjithatë indicjet janë dhënë gjatë kampionatit, me Martinin që nuk është se ndryshon shumë taktikisht, duke u munduar më shumë ti japë prioritet filozofisë se ndeshjet fitohen duke mos pësuar, gjë që e tregon edhe fakti se ka mbrojtjen më të mirë të kampionatit me 11 gola të pësuar dhe sulmin më të dobët mes gjashtë skuadrave të para të renditura, me 28 gola të shënuar në 28 javë.