• |
ide | kryesore

Shefi i diplomacisë gjermane mbërrin në Prishtinë

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas ka arritur të enjten në Kosovë. Ai ka thënë përmes një postimi në Twitter se vaksinimi kundër koronavirusit është temë e takimeve të tij në Prishtinë dhe Beograd.

“Askush në Evropë nuk mbetet i paprekur nga suksesi dhe dështimi i fqinjëve të saj. Fakti që tani mund të ndajmë progresin e vaksinimit të Bashkimit Evropian me shtetet e Ballkanit Perëndimor është një moment kyç në luftën kundër koronavirusit. Kjo është arsyeja pse unë jam në Prishtinë dhe Beograd sot dhe nesër”, ka thënë ai.

Maas pritet të takohet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla.

Ministria për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Kosovë ka njoftuar se Maas është pritur nga homologia e tij Gërvalla.

“Kjo vizitë do të shënojë një hap të rëndësishëm në thellimin e lidhjeve në mes të Kosovës dhe Gjermanisë, si dhe lehtësimin e rrugës së Kosovës drejt integrimeve euro-atlantike”, është thënë në njoftim.

Vizita e shefit të diplomacisë gjermane vjen pas raportimeve mediale në rajonin e Ballkanit Perëndimor lidhur me mundësinë e ndryshimit të kufijve në mes të shteteve.

Siç kanë raportuar disa media, kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha i ka dorëzuar Brukselit zyrtar, të ashtuquajturën “non-paper”, ku thuhet se procesi i dezintegrimit të ish-Jugosllavisë nuk është finalizuar.

Qeveria gjermane ka reaguar lidhur me këto raportime dhe i ka hedhur poshtë këto ide.

Ministri gjerman për Evropën ka thënë përmes një postimi në Twitter se e konsideron idenë e ndryshimit të kufijve si të “rrezikshme”.

Pas vizitës në Kosovë, Maas do të vizitojë edhe Beogradin.

Zyra për media e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, ka njoftuar se Maas do të diskutojë me zyrtarë të Kosovës dhe Serbisë, edhe për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *