• |
ide | kryesore

PD mbyll fushatën/ Basha: Nuk ka forcë që e ndal ndryshimin

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Partia Demokratike ka mbyllur fushatën në qytetin e Tiranës mes mijëra qytetarëve të mbledhur në sheshin “Nën Tereza”. Në fjalën e tij Lulzim Basha tha se dita e diel është dita e ndryshimit dhe fitores më të bukur, sepse kjo është fitorja e Shqipërisë. Kreu i opozitës gjithashtu tha se nuk është më koha për të qarë, sepse të dielën të gjithë bashkë me votën për numrin 9 do të sjellim fitoren më të madhe në historinë e Shqipërisë.

“Boll vëllezër dhe motra sepse ndryshimi është tashmë çështje orësh. Ai është madhërisht këtu në këtë shesh, në gjokset tuaja, në sytë tuaj, në zërin tuaj, ushton, ushton, ushton, numri 9-të. Për ndryshim, për fitoren e çdo familjeje shqiptare, për fitoren e nënave shqiptare, lotët e të cilave nuk kanë pasur të tharë këto 8 vite të vështira me fëmijët e larguar në emigracion, me burrat e shpunësuar, me shtëpitë e prishura, pasiguri për të nesërmen, pa rend, pa drejtësi por nënat shqiptare kudo ku i kam takuar, nënat shqiptare që ju shoh këtu në këtë shesh e kanë ngritur kokën sepse kanë shpresë, kanë besim dhe të dielën vjen ndryshimi për ato” – tha ndër të tjera Basha që nuk i kurseu akuzat për qeverisjen e 8 viteve të Ramës.

“Për 8 vite me radhë kanë marrë gjithçka. Një grusht njerëzish dhe një njeri i vetëm mbi ta, 8 vite me radhë zhvati dhe grabiti, dinjitetin e përdhosi, sigurinë e kërcënoi, vendit ia mbylli portat e integrimit dhe mendoi se për pak u bë Zot edhe i votës tuaj por kjo nuk është Tirana e tyre. Kjo nuk është Tirana e Edi Ramës. Kjo është Tirana e tiranasve, e kryeqytetasve, e shqiptarëve. Ky është vendi ynë dhe të Dielën me votën tuaj do ta rimerrni Tiranën, do ta rimerrni Shqipërinë dhe fatin tuaj në duart tuaja duke votuar numrin 9.

Bashkë për ndryshim do të thotë që ne do ti japim fund njëherë e mirë arenës së shëmtuar ku shumica dërrmuese e shqiptarëve e varfëruar, e poshtëruar dhe e papunë, këqyrë një pakicë babëzie tek merr pasuritë e vendit, vjedh taksat e vendit dhe varfëron në palcë çdo familje. Do të thotë ti japim fund një arene të konfliktit dhe përçarjes që i shërben vetëm një njeriut atij që për 8 vite me radhë nuk bëri asgjë përveçse u pasurua dhe grumbulloj më shumë pushtet se kushdo tjetër përpara tij këto 30 vite” – tha Basha që më pas foli për një bashkim të shqiptarëve.

“Ndaj unë e dijë në këtë shesh ushtojnë zërat e demokratëve dhe demokrateve, flamurtarëve të ndryshimit, të qytetareve dhe qytetarëve, mbështetësve, simpatizantëve, por nga ky shesh, nga shtëpitë e tyre e kudo ku ndodhen dua ti them mirë se vini në bashkimin më të madh të shqiptarëve çdo shqiptari, çdo shqiptareje pa dallime politike, sepse dita e diel është dita e çlirimit për të gjithë ju, është dita e çlirimit për qindra-mijëra rrogëtarë gjunjë këputur, gjunjëprerë dhe të dhunuar nga ky shtet që i trajton si skllevër” – tha Basha që një thirrje e pati edhe për socialistët e zhgënjyer.

“Ndryshimi do të vijë për gjithsecilin prej tyre sepse nuk ka dhe nuk mund të ketë gjë më të shtrenjtë në botë sesa të shkosh e të votosh për veten tënde, familjen tënde dhe fëmijët e tu dhe ndryshimi i 25 Prillit nuk bëhet për partinë politike ndaj mirë se vini ju qindra, mijëra socialistë të zhgënjyer, bashkohuni me ne, bashkohuni me ndryshimin, bashkohuni me shpresën” – tha kreu i PD-së që premtoi se do të mbajë zotimet e tij.

“Unë zotohem sot, nga ky shesh i shenjtores së madhe shqiptare se qeveria e dalë pas votës së 25 prillit do të jetë qeveria e të gjithë shqiptarëve dhe se unë do të shërbej si kryeministri i të gjithë shqiptarëve” – premtoi Basha që tha se ndryshimi është i pandalshëm.

“Dita e fitores së thellë do të jetë dhe dita që energjia juaj e pamat të bëjnë të mundur atë që dinë të bëjnë kur jemi bashkë, përparim, zhvillim ekonomik, mirëqenie, paga të larta, e mbi të gjitha hapjen e derës për të shkuar drejt destinit tonë hyjnor, misionit tonë, misionit tim, Shqipërisë anëtar e Bashkimit Europian. Nuk ka fuqi, nuk ka forcë ta ndalë këtë që po vjen. I pandalshëm është ndryshimi, i pandalshëm është besimi juaj tek Shqipëria, i pandalshëm është besimi im tek ju populli i Tiranës dhe i mbarë Shqipërisë” – tha Basha. ©LAPSI.al



2 Comments

  1. Ke ndryshim,ate me Xhelal Mziun qe ben thirrje per vrasje,apo me ata ish polica bandita dhe vrases qe presin te rikthehen ne pune?!Shqiperia do eci perpara dhe nuk do ricikloi plehrat,Shqiptaret do votojne qyteterimin dhe kulturen dhe jo talibanet dhe injorantet,12!!!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *