• |
ide | kryesore

Tirana “vrasëse” e kryesuesve: bardheblutë kanë zbritur nga froni tre pretendentë deri tani

-Instant, Sport



Në Niko Dovana ishte vetëm një konfirmim: kushdo kërkon titullin duhet të bëjë llogaritë me Tiranën. Jo se janë kampionët në fuqi, sepse kjo do të ishte simbolike, por në fushë, aty ku bardheblutë e Shehit janë krejt ndryshe nga skuadrat që nisën kampionatin deri kur durrsaku mori drejtimin e 25 herë kampionëve. Kundër Teutës erdhi një provë model si në variantin taktik ashtu dhe në perfomancën kualitative, me Tiranën që nuk la hapësira, shfrytëzoi kontrollin e topit e kapitalizoi me Bathën e Hoxhallarin, dy kryevepra për nga mënyra e ekzekutimit. 0-2 me të cilin u imponua skuadra e Shehit zbriti nga kreu bregdetarët dhe nuk është hera e parë që kryeqytetasit trondisin renditjen.

Statusin e vrasësve të kryesuesve e morën që në javën e 21 kur në Loro Borici, përballë shkodranëve që në atë kohë kryesonin, shkuan të fitojnë një klasike shumë të rëndësishme 1-2. Edhe në atë rast i hoqën vendin e parë Vllaznisë e u përsëritën në javën e 25 në Laç. Skuadra e Duros që sapo kishte marrë kreun pas një vrapimi spektakolar u mund në shtëpi, po 1-2 nga Tirana, duke humbur edhe ata kreun. Tre fitore e të gjitha në transfertë madje, kundër skuadrave kryesuese, gjë që tregon qartë se cilido mendon të fitojë kreun duhet të masë forcat me Tiranën e Shehit, që është kthyer në Faktorin X të kampionatit. E në këtë pikë, para vizitës në kryeqytet Vllaznia e Brdaric është e paralajmëruar…



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *