• |
ide | kryesore

Bllok ‘pagesash’ dhe karta ID: Si u manipulua përplasja e përgjakshme e Elbasanit

-Instant, Arkiva, Kryesore, Lajme



Lista me emra dhe fotokopje kartash ID, bllok shënimesh ku shkruhej “pagesa” si dhe një dokument format A4 me përshkrimin “formular patronazhi”, bashkë me disa fletëpalosje të Partisë Socialiste. Këto janë disa nga provat që Policia e Shtetit gjeti në automjetin pa targa të shtetasit Mehmet Greca, pas përplasjes me armë në lagjen “5 Maji” në Elbasan më 21 prill 2021, e cila përfundoi me një të vdekur dhe katër të plagosur dhe njollosi zgjedhjet e 25 prillit.

Sipas dokumenteve gjyqësore të para nga BIRN, Policia dhe Prokuroria kishin informacione mbi provat e gjetura dhe që sugjeronin se kishin të bënin me një krim zgjedhor, por dështuan të bëjnë arrestime apo të ngrenë akuza ndaj personave në fjalë, përfshirë një person me nofkën Met Dafllaku, emri i të cilit ishte shkruar mbi bllokun me shënimin “pagesa”.

Provat e gjetura në vendngjarje nuk e penguan drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu të deklaronte në një konferencë për shtyp të mbajtur një ditë pas ngjarjes, se nuk kishin gjetur materiale zgjedhore “që shërbejnë për shit-blerje të votës”.


Sipas deklaratës së Veliut, një grup ish-oficerësh policie të njohur si “Grupi i Mbrojtjes së Votave” të Partisë Demokratike, “i bllokuan rrugën automjetit të fuoristradë tip ML të drejtuar nga shtetasi me inicialet M.G. duke i prerë rrugën.” Policia e Shtetit e shpalli bllokimin e shtetasit Mehmet Greca si “heqje e paligjshme e lirisë”.

“Nga këqyrja e automjetit Mercedez tip ML pa targa, i gjetur në vendngjarje, grupi hetimor nuk ka konstatuar sende të kundraligjshme apo të dyshuara se mund të përdoreshin për shitblerje të votës,” deklaroi Veliu në konferencën për shtyp të datës 22 prill.

Por ndryshe nga sa flet kjo deklaratë, dokumenti i referimit të veprës penale nga Policia për Prokurorinë e Elbasanit shkruan: “Në sedilen e djathtë përpara të këtij mjeti gjendet një çantë dore kafe, brenda së cilës gjenden […] një fletore me vija me shënim në kapak Met Dafllaku pagesë, brenda në 6 fletë shënime me emra dhe nr. id, format A4 me përshkrim formular patronazhi me tre fletë, 5 formate A4 me kopje kartash identiteti dhe pasaportash biometrike…”

Hetimet/ Si u sulmua policia në Elbasan, akuzat që rëndojnë mbi Suel Çelën

Kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu konfirmoi në një përgjigje me shkrim se materjalet në fjalc janë gjetur në vendin e ngjarjes por sipas tij, këto materjale nuk përbëjnë prova për krim zgjedhor.

“Grupi hetimor nuk i ka vlerësuar provat e gjetura dhe të sekuestrua në automjetin ML pa targa, si elementë apo si indicje që mund të shërbenin për çeljen e një hetimi për veprat penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve,” deklaroi Veliu në përgjigjen e tij. Argumenti kryesor për këtë vlerësim sipas Veliut lidhet me faktin se në automjet janë gjetur “vetëm 100 euro”.

Veliu ia kaloi përgjegjësinë prokurorisë për të vijuar më tej me këtë çështje.

“…është në tagrin e prokurorit që të nisë hetime edhe për vepra të tjera penale nisur nga provat e administruara apo dëshmitë e marra,” shkroi Veliu.

Prokurori Alfred Shehu refuzoi të komentojë mbi çështjen dhe i tha BIRN se si prokuror e ka të ndaluar të reagojë në çështje të debatit publik.

Kush është Mehmet Greca, personi që u kap me makinën pa targa nga vullnetarët e PD në Elbasan

Një zyrtar i policisë e përshkroi Grecën si një “socialist të flaktë” dhe banor të lagjes, ndërsa policia duket se u bind nga justifikimi që Greca dha për përdorimin e një automjeti pa targa.

Pasi u lirua menjëherë pas marrjes në pyetje si “person që ka dijeni për ngjarjen”, Greca u pa nga dëshmitarët duke qëndruar pranë qendrave të votimit në lagjen “5 Maji” në Elbasan në ditën e zgjedhjeve.

Dokumenti policor i këqyrjes së vendit të ngjarjes tregon se në përplasjen e përgjakshme që ndodhi në sytë e dy drejtuesve të policisë së Elbasanit dhe një numri policësh u përdorën disa pistoleta, vërtetuar kjo nga larmishmëria e markave të gëzhojave të gjendura në vendngjarje, si dhe duket se është qëlluar nga pozicione të ndryshme.

Raporti i Policisë thotë se aty u gjendën 7 gëzhoja të markës GFL 9 mm Luger si dhe 9 gëzhoja PPU 45 të kalibrit 11.2, ku këto të fundit u gjetën në gjashtë pozicione të ndryshme. U gjetën më tej tre gëzhoja S&B dhe një fishek 1 Maxx Tech. Gëzhojat e gjetura në terren sugjerojnë përdorimin e minimalisht tre llojeve të ndryshme të armëve, por policia ka sekuestruar vetëm armën e dorëzuar nga i akuzuari për vrasjen e Pjerin Xhuvanit, Arbër Paplekaj.

Gjithashtu, prania e policisë në vendngjarje nuk e pengoi një nga personat e përfshirë në konflikt, Klement Xhaferrin të largohej. Xhaferri është shpallur aktualisht në kërkim policor, por policia nuk ka gjetur ende vendndodhjen e tij.

Sipas deklaratës së 22 prillit të Veliut, në vendin e ngjarjes, para, gjatë dhe pas përplasjes së armatosur gjendeshin dy zëvendësdrejtorë të Policisë së Qarkut.

Greca, të cilit Policia e Shtetit iu referua si një qytetar që u mor peng me dhunë, është dënuar në Britaninë e Madhe në vitin 2016 pasi u kap me 51 kilogramë kokainë dhe 80 mijë paund cash.

Partia Socialiste fitoi zgjedhjet e së dielës me 48% të votave, por akuzat për përfshirje të strukturave të krimit të organizuar në zgjedhje vazhdojnë. Në qarkun e Elbasanit, socialistët thelluan rezultatin e vitit 2017 dhe arritën të fitojnë 55% të votave.

Një nga provat e sekuestruara në vendngjarje është një dokument me titull “formular patronazhi”, i gjendur në makinën pa targa të bllokuar nga mbështetësit e PD. Patronazhistët u bënë të njohur në publik pas rrjedhjes së një databaze të madhe me emrat e 910 mijë votuesve të Tiranës, databazë që besohet se i përket Partisë Socialiste.

Kjo nuk është hera e parë që socialistët akuzohen se kanë përdorur persona me të shkuar kriminale për fushatat e tyre elektorale./Reporter.al



9 Comments

  1. Mjeti justifikoi qëllimin.

    Policia nuk ndërhyri për të ndaluar blerjen e votës.
    Nuk ndërhyri për të penguar sulmin me armë nga banda e Taulant Ballës.
    Fshiu të gjitha videot.
    Zhduku të gjitha provat e krimit elektoral.
    Ndaloi të gjithë përkrahësit e opozitës për ti penguar në mbrojtjen e votës.
    Lejoi qarkullimin e bandës për të blerë dhe manipuluar vota.
    Dizinformoi opinionin publik duke i paraqitur si paramilitarë të paguar për destabilizim të vendit.

    Kësaj mynxyre ju bashkuan dhe mediat, organizuan emisione ku gënjyen dhe dizinformuan publikun.
    E dinin të vërtetën dhe qëllimisht nuk e treguan.Gjithcka për të trembur elektoratin dhe për ta dekurajuar që të marrë pjesë në votime dhe të ndëshkonte mazhorancën.

  2. Si u manipulua???Si janë manipuluar sa e sa të tjera!!!Nuk kemi se suprizohemi!!Nuk e di çfar bëjnë sherbimet e fshehta!!Janë shërbime antireroriste apo jo.A ka më terorizëm më të egër se terorizmi narkotrafikant i Rilindjes!!!

  3. Premtimet për lënie mandatesh si nga presidenti, ashtu dhe nga kandidatë të opozitës, duket se kanë qenë në modë gjatë fushatës së fundit.

    Rasti që po sjellim përket Grida Dumës e cila shprehet se: “Nëse PS dhe Veliaj merr 7% në Kavajë dhe Rrogozhinë, burrash e lë mandatin”.

    Mirëpo në 25 Prill, Partia Socialiste doli fituese në të dyja këto bashki. Në Kavajë PS mori 45,88% duke u renditur forcë e parë. Ndërsa në Rrogozhinë, 50.45%.Vetegjygjsia e patronazhishete pd me arme bere qe pd te jete viktime

  4. Kjo nuk eshte prove qe verteton blerjen e votave. Qe te kosiderohet prove duhet qe kete nje

    vendim me shkrim, te firmosur e te vulosur nga Km dhe PS, te regjistruar ne adio dhe Video, te

    protokolluar dhe te noterizuar, nje kopje e se ciles ti ishte vene ne dispozicion prokurorise se

    posacme dhe ne prani te mediave, te botohej edhe ne organet e shtypit ku te thuhej e te

    shkruhej e zeza mbi te bardhe :

    -1. Te organizohet ne te gjithe vendin vjedhja dhen manipulimi i votave.
    -2. te krijohet darabaze per cdo votues , te merren te dhenat personale te te gjithe votuesve
    tu caktohet nga nje spiun , te evidentohen perkatesite politike dhe karakteret e lekundura
    dhe te caktohet masa e shperblimit per ata votues te pavendosur por qe jane te gatshem
    te shesin voten e tyre.
    3.Te organizohen struktura ne qender e ne baze ne menyre kapilare qe kesaj dare te hekurt
    te mos i shpetoje askush.
    -4. Aty ku interesat e votuesve mund te plotesohen me favore nga shteti si punesime, legalizime
    shuarje detyrimesh apo gjobash, leje ndertimi apo thjesht shkelje syri per ndertime te reja apo
    shtesa ndertimesh , tu plotesohen.
    -5 Ata persona qe nuk kane interesa sipas pikes 4, tu shperndahen leket ne dore.
    -6. Tu behet e qarte shitesve te votave se jane te pergjuar ne fletet e votimit dhe se ne rst se nuk
    votojne per PS atehere jo vetem qe do te kthejne leket por do te kene edhe merine shtetit.
    5. Ngarkohen x, y, z per zbatimin e ketij vendimi.
    6. Per te ruajtur fshehtesine e procesit nga armiqte opozitare duhet qe grupet e korruptimit
    e te shperndarjes se parave te mos dine gje per njeri tjetrin dhe njohjet e tyre
    te mos shkojne me larg se pergjegjesi apo udhezuesi i tyre.

    Kryetari Sekretari

    firma vula.

    1. ke harruar te shkruash se si prove duhen dhe shenjat e gishterinjeve bashke me analizen ADN te sekrecioneve biologjike mbi ate dokument te vulosur

  5. Pd humbi se nuk krijoi dot fryme te pjesa e paangazhuar e elektoratit. Aleanca e premtuar me monika kryemadhun dhe lsi la nje shije te keqe te shumekush. Aleanca me partite si e Mediut e bene qesharake. Plus luli nuk ka karizem si njeri e nuk frymezon. Keto jane arsyet e verteta te humbjes. Keto punet me blerje votash etj jane thjesht justifikime per ti bere bisht te vertetes.

  6. Ke haruar edhe urdhërin e 7 të KQ të PSSH. të shpërndarë verbalisht në të gjitha organizatat .
    Porosia e kryetarit të PS që cilido antar i kryesisë, ti rekomandojë sekretarëve lokalë të PS t[ lidhen me kryetarë e antarë të bandave të trafiqeve të drogës e prostitucionit , si struktura në ndihmë të policisë “për mbrojtjen e votave të PS nga armiqtë e jashtëm e të mbrendshëm”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *