• |
ide | kryesore

Rezistenca fillon me krijimin e një modeli anti arrogancë

-Instant, Blog
Arbër Zaimi



Nuk është çështje e një emri, as e keqja e qeverisë dhe as ajo e opozitës. Edhe po të ndërrohen emrat e kryeministrit, apo kryeopozitarit, situata me shumë gjasë do të mbetej e njëjta nëse nuk preken disa gjëra thelbësore.

Çështja sa i përket qeverisë është: si të ndërtohet një drejtësi shoqërore e një politikë demokratike që nuk kapet nga miliardat e kokainës dhe të betonit?

Nuk bëhet as treg i lirë e as demokraci sociale nën sundimin e eskobarëve nga prapaskena.

Çështja sa i përket opozitës është: si të ndërtohen aleanca mes të ndryshmëve, si një front rezistues?

Nuk bëhet kjo duke treguar secili – secilin si fajtor.

Individët nuk janë pa faje, por fajet e tyre duhet të jenë të lokalizueshme në argument, e jo abstrakte. Tridhjetë vite “të ikë ky e të vijë ai” e kanë ulur nivelin e politikës dhe të shoqërisë nën nivelin e mejhanes.

Vetëm dikush që ndihet i pafuqishëm predikon se pret ardhjen e heroit të pacen, dhe zhvleftëson këdo tjetër që s’është mjaftueshëm hero. Vetëm dikush që e ka përqafuar fatalisht padrejtësinë predikon se pret ardhjen e shenjtorit engjëllor, dhe zhvleftëson këdo tjetër që s’është mjaftueshëm shenjt.

Një prej fenomeneve që dëgjoj më shpesh të ndodhë, është vlerësimi negativ – gratis – për atë që s’mendon si ty apo s’është si ty, në ide, vlera, sjellje a pamje. S’vlen gjë filanja, s’është burrë i mirë fisteku, mos i beso atij e mos i beso asaj. Shpesh, duke justifikuar mendimin negativ përmes vëzhgimit të jetës private, e duke u hyrë të tjerëve gjer edhe në shtrat, për t’ua gjetur cenin e matur moralin. Ky është terreni ku janë mbjellë patronazhistët.

Ky vlerësim negativ i “popullit” për “popullin”, që mirëmbahet me një gjendje thashethemi të vazhdueshëm (shih mediat), është ndër mjetet më të forta të regjimeve. Ky është i famshmi “përça e sundo” – që aplikohet me ose pa vetëdije nga zanatlinjtë e fryrjes së gjoksit si gjel lafshëskuqur, që e dinin gjithnjë se si do vinte dështimi, e që tregojnë me gisht gjithkënd pos vetes së vet.

Duhet të mësojmë të na pëlqejnë edhe të tjerët veç vetes, e të bëjmë komunitet edhe me ata që nuk na pëlqejnë – pra t’ua mbrojmë integritetin e të drejtat. Arroganca po sundon, duhet ndërtuar e kundërta e saj. Ky është gurthemeli i rezistencës.

Marrë nga Facebook i autorit Arbër Zaimi



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *