• |
ide | kryesore

Ish-“trashaluqi” kampion bote i peshave të rënda kthehet në ring: peshon 20 kg më pak dhe mendon për Joshuan

-Instant, F1, Sport



Përralla e tij kishte pushtuar planetin, duke shënuar revanshin e atyre që kanë favorizuar gjithmonë joshjen e kulinarisë përpara djersës dhe sakrificave të kërkuara nga palestra. Më 1 qershor 2019, Andy Ruiz, një kalifornian me rrënjë krenare meksikane, realizoi një nga surprizat më të bujshme në historinë e boksit, duke mundur Anthony Joshua në tempullin Madison dhe duke rrëmbyer kurorat e peshave të rënda Wba, Wbo, Ibf dhe Ibo.

Më shumë sesa thjesht një arritje, duke qenë se u thirr vetëm në fund për të zëvendësuar Jared Miller, i pezulluar për doping. Por më shumë se KO e tmerrshme në raundin e 7-të, befasoi (jo) forma fizike e Ruiz, ajo shtresë e pamatë dhjami që përhapet në 188 cm, ‘pasuri’ e vënë nga një pasion për birrën (kurrë nuk e ka fshehur, në të vërtetë), duke e bërë të dukej si një barsaletë përpara muskujve të gdhendur të Joshua. Edhe pse në boks, dhe veçanërisht në kategorinë mbretëreshë, e rëndësishme është që tulet të mos i bëjnë duart joefektive. E të tijat gjithmonë kanë fshehur dinamit, siç konfirmohet nga pseudonimi i ‘Destroyer’.

DEPRESIONI — Por siç ndodh shpesh me ata që e gjejnë veten si me magji në një dimension tjetër, në një shpërthim popullariteti, parash dhe shikueshmërie, ajo natë shënoi gjithashtu fillimin e fundit për Andy. I mbingarkuar nga mirëqenia e papritur sportive dhe financiare dhe pasioni i një populli, ai meksikan, i cili e do boksin por kurrë nuk ka pasur një mbret të peshave të rënda, kampioni i botës iu lëshua festave, argëtimeve, paraqitjeve në televizion, plotësisht i painteresuar për përgatitjen, edhe pse revanshi me Joshua ishte caktuar për 7 dhjetor. Gjashtë muaj ekstravagancë, me pasojën më të dukshme se kur futet në ring në Arabi ai duket edhe më i shëndoshë dhe mbi të gjitha i fryrë dhe shumë i ngadaltë: “Në ndeshjen e parë kam peshuar 121 kg, në revansh kam qenë 128, por në natën e Kupës së Botës isha padyshim rreth 136 ”. Dhe në fakt u morr përpara nga kundërshtari duke i humbur të gjithë raundet, edhe pse rezistoi me krenari në këmbë.

HUMNERA — “Përfundova në depresion, isha i vetëdijshëm se kisha hedhur në erë gjithçka që kisha ndërtuar dhe sikur vetëm të isha përgatitur mirë, mbase do të isha ende kampion. Unë thjesht doja të zvarritesha nën shtratin tim, të fshihesha dhe të haja Cheerios”. Që janë në fakt drithëra me mjaltë me ngarkesë kalorike si një bombë hidrogjeni. Ndër të tjera, si pasojë e gjendjes së pasigurt mendore, Ruiz mori akoma disa kilogramë, duke kapërcyer mbi 140.

RILINDJA — Pastaj, një ditë erdhi ndriçimi: “Thashë me vete: mund t’i kishte ndodhur kujtdo. Por tani nuk dua që t’i ndodhë më askujt”. Dhe kështu ai prezantohet në San Diego në palestrën e Eddy Reynoso, njeriu që kujdeset për stërvitjen atletike të Canelo Alvarez, një nga trajnerët më të njohur në Amerikë. E mrekullia merr formë: ishte struktura e nevojshme që mungonte në stërvitjen e tij. Në vetëm disa muaj, Andy ka humbur 20 kile dhe tani peshon më pak sesa kur u përball për herë të parë me Joshuan. Mbi të gjitha, trupi i tij tani është i dobët dhe muskuloz: “Gjithçka ka ndryshuar. Gjithçka është ndryshe. Mentaliteti im, shpirti im, gjithçka. Por gjëja më e rëndësishme është jashtë palestrës. Mësova të disiplinoj veten time dhe të mos çmendem. Nuk përpiqem të ha shumë si dikur ”.

I mësuar ti bëj gjërat vetë, me mungesën absolute të rregullave në palestër dhe në tryezë, tani ai sheh perspektiva të reja që hapen: “Nuk ka më ëmbëlsira, as tortat që i dua aq shumë. Gjatë fundjavës, kam një ditë ku mund të kënaqem me gjithçka. Por vetëm një ditë. E kur dua të porosis një pizza, ata më thonë të mos e bëj, të kujtohem për udhëtimin që po bëj”.

Tani më në fund sakrificat do të përqendrohen në një horizont të caktuar: të shtunën në mbrëmje, në Carson, California, Ruiz do të kthehet në ring për herë të parë që nga ajo natë e tmerrshme në Arabi, duke u përballur me dyzet vjeçarin Chris Arreola, që kishte sfiduar për titull Wilder në vitin 2016, dhe me shpresën për tu ndeshur më vonë me Dillan White, kampion i përkohshëm i Wbc dhe ndoshta duke e trajtuar veten në një sfidë tjetër yjore me Joshua ose Fury: “Do të jem një njeri i matur, do të kthehem një kampion brenda ringut dhe, mbi të gjitha, një kampion jashtë ringut”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *