• |
ide | kryesore

Shenja përparimi për rikthimin e SHBA në marrëveshjen me Iranin

-Instant, Lajme, Planet

Diplomatë të lartë nga Kina, Gjermania, Franca, Rusia dhe Britania arritën përparim në bisedimet e së shtunës me synim rikthimin e Shteteve të Bashkuara në marrëveshjen e tyre të rëndësishme bërthamore me Iranin, por thanë se u duhet më shumë punë dhe kohë për të arritur një marrëveshje të ardhshme.


Pas takimit, përfaqësuesi i lartë i Rusisë, Mikhail Ulyanov, shkroi në Tëitter se anëtarët e Planit të Përbashkët të Përgjithshëm të Veprimit, ose JCPOA, “vunë në dukje sot përparimin e padiskutueshëm në bisedimet e Vjenës për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore”. “Komisioni i Përbashkët do të mblidhet përsëri në fund të javës tjetër,” shkroi Ulyanov. “Ndërkohë, ekspertët do të vazhdojnë të hartojnë elemente të marrëveshjes së ardhshme.”


“Është tepër herët për t’u entuziazmuar, por ne kemi arsye për optimizëm të kujdesshëm dhe në rritje,” shtoi ai. “Nuk ka afat, por pjesëmarrësit synojnë përfundimin e suksesshëm të bisedimeve brenda rreth 3 javëve.”

Të tre vendet e Evropës Perëndimore të përfshira në bisedime  shprehën me tone më të përmbajtura. “Na mbetet shumë punë dhe pak kohë. Prandaj, do të shpresonim për më shumë përparim këtë javë,” thanë diplomatët e lartë duke folur në kushte anonimiteti sepse nuk ishin të autorizuar të flisnin publikisht. “Ende nuk kemi arritur në një mirëkuptim për pikat më të rëndësishme. Suksesi nuk është aspak i garantuar, por jo edhe i pamundur”. Në bisedimet e Vjenës mori pjesë Abbas Araghchi, zëvendës ministri i jashtëm i Iranit.

“Mund të them se tani diskutimet tona kanë arritur një pjekuri, si në temat e diskutueshme ashtu edhe në pjesët për të cilat jemi dakord,” i tha ai TV shtetëror iranian. “Megjithëse nuk mund të parashikojmë ende plotësisht se kur dhe si do të jemi në gjendje të të arrijë një marrëveshje, ajo po ecën përpara, edhe pse ngadalë,” tha ai.

Shtetet e Bashkuara. nuk kishin përfaqësues në tryezë kur diplomatët u takuan në Vjenë sepse ish-Presidenti Donald Trump tërhoqi në mënyrë të njëanshme vendin nga marrëveshja në vitin 2018. Ai gjithashtu rivendosi dhe rriti sanksionet në përpjekje për të detyruar Iranin që ta rinegociojë paktin me më shumë koncesione.

Por Presidenti Joe Biden dëshiron të rikthehet në marrëveshje, dhe një delegacion amerikan në Vjenë po merr pjesë në bisedime indirekte me Iranin, me diplomatët nga fuqitë e tjera botërore që veprojnë si ndërmjetës.

Administrata e Biden po shikon mundësinë e heqjes së disa prej sanksioneve më të rrepta të epokës Trump në përpjekje për ta bërë Iranin të respektojë marrëveshjen bërthamore, sipas disa zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve amerikanë që kanë dijeni për çështjen. /Voa/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu