• |
ide | kryesore

Manastirliu: 11 700 vaksina Pfizer mbërrijnë këtë javë në Shqipëri

-Instant, Lajme, Të fundit



Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ka ndjekur nga afër vaksinimin masiv në sheshin “Skënderbej”, ku tha se ritmi i vaksinimit nuk do të ndalet, ndërkohë që ka bërë me dije kalendarin e mbërritjes së vaksinave në vend.

“Janë mbi 736 mijë doza vaksine tashmë të mbërritura në vend. Ndërkohë që presim përgjatë kësaj jave 11,700 doza vaksine, të cilat vijnë nga kontrata që ne kemi me Pfizer si dhe një pjesë e tyre, nga kontrata që kemi lidhur me Bashkimin Europian, si pjesë e instrumentit që Bashkimi Europian ka ndërtuar për mbështetjen për vendet e Ballkanit”, tha Manastirliu.

Ndërsa ka ndjekur procesin e vaksinimit me dozat e dyta për të moshuarit në sheshin “Skëndebej”, Manastirliu bëri me dije se përgjatë muajit maj priten të mbërrijnë 99 mijë doza vaksinash nga kontratat e lidhura.

“Përgjatë muajit maj ne presim rreth 99 mijë vaksina të tjera nga kontratat që kemi lidhur me instrumentin Covax, me Pfizer dhe gjithashtu me instrumentin e krijuar tashmë nga Bashkimi Europian”, tha Manastirliu.

Ajo theksoi se Shqipëria arriti kryerjen e 500 mijë vaksinimeve para afatit të vendosur, ndërkohë që bëri me dije objektivin e ri.
“Janë mbi 500 mijë vaksinime të kryera rreth 29 ditë përpara afatit që ne kishim premtuar, pikërisht objektivin tonë për kryerjen e 500 mijë vaksinimeve. Ne tashmë jemi drejt 1 milion vaksinimeve. Shqipëria është ndër vendet që ka një ritëm të lartë të vaksnimeve. Kjo për arsye të ecjes me shpejtësi, të lidhjes së kontratave dhe gjithashtu edhe lëvrimit të dozave të vaksinave në një kohë shumë të shpejtë”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë ka bërë një apel për qytetarët, për të vijuar të respektojnë masat e vendosura, pavarësisht situatës së kontrolluar epidemiologjike.
“Një thirrje të gjithë qytetarëve për të mos neglizhuar respektimin e masave, masat e distancës, higjienës dhe vendosjes së maskës kudo në ambiente e hapura dhe të mbyllura, janë masa të detyrueshme për të gjithë qytetarët”, apeloi Manastirliu.

Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 504,386 doza të vaksinës anticovid, prej të cilave 403,066 vaksinime janë kryer për personat mbi 60 vjeç. Procesi i vaksinimit po kryhet sipas të gjithë parametrave të sigurisë dhe cilësisë nga ekipe të trajnuar vaksinatorësh në të gjithë vendin.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *