• |
ide | kryesore

Video/ Asani nxjerr në krye Partizanin: super-gol i sulmuesit, Apolonia dorëzohet 15 minuta nga fundi

-Instant, F1, Sport, Video

Partizani rikthehet në krye të klasifikimit, me fitoren minimale por shumë të rëndësishme kundër Apolonisë, kur kanë mbetur edhe 5 javë deri në fund të kampionatit. Të kuqtë kanë dominuar ndeshje, por kanë thyer rezistencën e Harizajt e të tjerëve vetëm 15 minuta nga fundi, në një aksion brilant që përfshiu gjithë ofensivën e Dajës të finalizuar nga Asani, në golin e nëntë në kampionat.


Në Elbasan Arena, kryeqytetasit, me një sy në Loro Borici ku luhej përplasja Vllazia-Teuta, kishin shansin më të mirë, duke luajtur përballë vendit të fundit të renditjes, që e ka mbyllur historinë me Superioren. E megjithatë skuadra e Camaratës përdori gjithcka kishte në zotërim për tia bërë të vështirë të kuqve, duke ia arritur edhe falë performancës pozitive të Harizajt, në lartësinë e situatës në të paktën 3-4 raste në pjesën e parë. Cinari, Asani por edhe Junior vunë në provë reflekset e numrit 1 fierak, ndërsa në të vetmin rast që Apolonia u pa rrezikshëm në anët e Hoxhës ishte në minutën e 27 në konkluzionin e Mihanas.


Kryeqytetasit rritën presionin në pjesën e dytë, duke e patur të qartë se një rezultat tjetër përvec fitores do të ngjante me një rast të madh të humbur, me pikë që do ti kushtonin renditjes. Flagrant rasti i minutës së 52, kur Çinarit iu mohua goli nga ndërhyrja e vendosur e Harizaj, ndërsa në vazhdimin e aksionit, Bardhi u ndal nga shtylla. Gjërat u thjeshtuan vetëm në minutën e 75 në një aksion që përfshiu të gjithë ofensivën e Dajës: spond me kokë i Junior për Cinarin, që me të parën shërbeu për Asanin. Nuk ganoi përpara portierit sulmuesi, duke shënuar golin që i dha Partizanit kryesimin. Meriton komplimenta Apolonia, që luan me dinjitet e fair play pavarësisht asaj që reflekton renditja…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu