• |
ide | kryesore

Vrasësi grek arrestohet në Shqipëri

Arkiva, Lajme, Të fundit

Autoritetet greke kanë zbardhur një vrasje të ndodhur dhjetorin e kaluar në qytetin Kalyvia Thorikou në Greqi. Autori, një 32-vjeçar grek, kishte qëlluar për vdekje me armë një 60-vjeçar.


E përditshmja greke “Kathimerini” raporton se pas vrasjes, autori ishte larguar nga Greqia dhe ishte arratisur në Shqipëri së bashku me nënën e tij. Ai qëndronte në një fshat të Shqipërisë, sikurse shkruan shtypi grek.


Nga bashkëpunimi me autoritetet greke, 32-vjeçari u kap nga policia shqiptare. Ai u arrestua për hyrje të paligjshme në Shqipëri dhe u deportua në Greqi.

Autoritetet shqiptare e dorëzuan te pala greke, ndërsa 32-vjeçari u vu në pranga për vrasjen e 60-vjeçarit. Ai u dërgua në Athinë dhe gjatë marrjes në pyetje pranoi krimin.

Nga kontrolli në shtëpinë e tij u gjet një armë gjahu me të cilën dyshohet se kishte kryer krimin. Sipas informacioneve të publikuara nga mediat greke, autori dhe viktima jetonin në të njëjtin pallat dhe kishin konflikte. Gruaja e viktimës është menaxherja e pallatit, me të cilën kishte vazhdimisht probleme. Ky fakt është pohuar edhe nga banorët e tjerë të pallatit, të cilët kanë dëshmuar për konfliktet që kishin dy familjet.

Mëngjesin e 23 Dhjetorit, autori kishte ndjekur 60-vjeçarin dhe e kishte ekzekutuar me armë në parkingun e një qendre shëndetësore.

Pas vrasjes, autori kishte hequr targat e makinës së tij për të mos u identifikuar, kishte fshehur armën dhe ishte arratisur drejt Shqipërisë në mënyrë ilegale. Por hetuesit grekë mundën të identifikonin falë kamerave të tjera të sigurisë duke analizuar lëvizjet e tij pas ngjarjes.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu