• |
ide | kryesore

Leonardo DiCaprio sërish në mbrojtje të Vjosës

-Instant, Paparazzi, Slider



Leonardo DiCaprio ka qenë një nga zërat më fuqishëm për mbrojtjen e lumit Vjosa. Më herët ai publikoi në llogarinë e tij në Instagram një foto nga lumi Vjosa, ku njerëzit kishin shkruar me shkronja të mëdha pranë tij “Vjosa pa diga”.

DiCaprio nuk ka ndërmend të ndalet me këtë nismë të tij dhe disa ditë më parë shpërndau një tjetër video. Në video shfaqen pamje nga Tirana dhe Berlini, ku aktivistë të ndryshëm kërkuan në Ditën Botërore të Ujit që Vjosa të kthehet në Park Kombëtar.

“Javën e shkuar, në Ditën Botërore të Ujit, aktivistët rreth Europës i kërkuan qeverisë shqiptare dhe Komisionit të Bashkimit Europian që të mbështesin nismën Vjosa Park Kombëtar.

Vjosa është lumi i egër më i madh në Europë. Janë 300 kilometra rrjedhje të pandërprera nga burimi i saj në malet në Greqi në detin Adriatik. Lumi është shumë i rëndësishëm për jetën e më shumë se 1,100 lloje peshqish të ujërave të ëmbla dhe nga ana kulturore është po ashtu i rëndësishëm për njerëzit në Shqipëri. Dje, Parlamenti Evropian nxiti autoritetet shqiptare “të krijojnë sa më shpejt të jetë e mundur Parkun Kombëtar Vjosa, duke e zgjatur në tërë gjatësinë e lumit.”

Shpërndajeni këtë video dhe kërkojini Edi Ramës, Lulzim Bashës, Monika Kryemadhit dhe Ilir Metës të bëjnë të njëjtën gjë”, ka shkruar aktori i famshëm i “Hollywood-it” në postimin e tij.

Aktori s’ka ndërmend të ndalet dhe disa orë më parë ka bërë sërish thirrje në Twitter, duke kërkuar shpalljen e Vjosës si Park Kombëtar.

DiCaprio është shprehur se ky status ‘do ta mbrojë zonën nga digat dhe një kërcënim i ri si shpimet e naftës dhe gazit’. Aktori 46-vjeçar e shoqëroi postimin me një artikull të organizatës ‘Global Wildlife Conservation’ të shkruar nga gazetarja Gege Li, një biokimiste e cila prej vitesh shkruan për natyrën në revista shkencore si ‘New Scientist’ apo ‘Chemistry World Magazine’. Në artikull përmenden protestat e vazhdueshme nga shoqëria civile dhe angazhimet e aktivistëve mjedisor apo dhe komunitetit shkencor për ta shpallur Vjosën Park Kombëtar.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *