• |
ide | kryesore

Qeveria e Kosovës: Padia ndaj Serbisë do të marrë shumë kohë

Arkiva, Lajme, Të fundit

Sherife Mirenës gjatë luftës në Kosovë forcat serbe ia vranë bashkëshortin, Nazifin dhe bashkë me të edhe 15 anëtarë të tjerë të familjes. Për Mirenën, është e papranueshme se si deri tash Serbia nuk është dënuar për krimet, masakrat, vrasjet dhe zhdukjet e personave.


“Shumë gjatë, shumë vite janë bërë dhe Serbia nuk është dënuar për gjenocid. Kjo është e padrejtë. Të vrasësh njerëz dhe të mos dënohet asnjë person, e as shteti i Serbisë”, tha Mirena.


Më 21 prill të vitit 1999, në rrethinën e Komunës së Fushë Kosovës, forcat serbe nxorën nga shtëpitë e tyre 16 burra dhe djem mbi moshën 15-vjeçare, të cilët i përkisnin të njëjtës familje. Pastaj, ata u ekzekutuan. Sipas familjarëve, pavarësisht se kanë dorëzuar dëshmi te misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, e më pas tek ai i Bashkimit Evropian, EULEX, asnjëherë nuk është iniciuar proces gjyqësor për vrasjen e këtyre personave.

Sherife Mirena tha për Radion Evropa e Lirë se shteti i Kosovës nuk duhet të humbë kohë, por duhet të ngre padi kundër Serbisë në gjykata ndërkombëtare.

“Serbia, për krimet e kryera në Kosovë, duhet të marrë një dëmin shumë të rëndë”, tha Mirena.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tashmë ka paralajmëruar dhe ka shprehur vendosmëri se qeveria e tij do të përgatisë padi kundër Serbisë për gjenocid. Javën e kaluar, Kurti tha se ngritja e padisë kundër Serbisë, është një nga çështjet që pritet të realizohet në kuadër të programit qeverisës. Siç ka thënë ai, padia pritet të ngrihet pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Rozafa Kelmendi, zëdhënëse e Qeverisë së Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, se sa i përket ngritjes së pandemisë për gjenocid ndaj Serbisë janë duke u bërë vlerësime të juridiksionit dhe po bëhen analiza në aspektin e brendshëm dhe të jashtëm, në mënyrë që më pas të vazhdohet me procedura të tjera.

“Sapo të finalizohet procesi i hartimit të planit, mund të fillohet edhe me hartimin e padisë. Por, duhet pasur parasysh që një nga gjërat m; të rëndësishme në gjithë këtë proces është puna masive e cila kryhet prapa perdeve, meqenëse kjo padi dorëzohet direkt kundër një shteti tjetër, ndaj edhe kërkohet edhe kujdes i shtuar”, tha Kelmendi.

Ajo tha se procesi i padisë kundër Serbisë është i ndjeshme dhe i ndërlikuar, rrjedhimisht, sipas Kelmedit, kjo çështje do të marrë kohë.

“Është herët të flasim se kur do të ndodhë dhe nuk mund të themi ndonjë datë të caktuar, pavarësisht se është duke u punuar intensivisht në të gjitha fazat e procesit. Ky proces duhet të jetë i përgatitur shumë mirë, prandaj edhe do të marrë kohë më shumë”, tha Kelmendi.

Ahmet Grajqevci, drejtor i organizatës “Shpresa dhe Kujtimi”, organizatë kjo që hulumton çështjen e personave të zhdukur dhe krimet e luftës në Kosovë, thotë se Kosova është vonuar shumë në ngritjen e padisë për gjenocid kundër Serbisë.

“Mendoj se për të ngritur një kallëzim penal për krim dhe gjenocid mbi popullatën shqiptare në Kosovë, duhet të jemi shumë të vetëdijshëm që duhet të jemi të përgatitur shumë mirë, të sistemuar mirë me materiale, fakte e argumente sepse duhet ta dimë se me kë kemi punë. Sa i përket strukturës e cila duhet të përgatitet rreth këtij materiali, duhet të jenë njerëz eminentë që e njohin këtë punë mirë, e që janë punëtorë të kësaj çështjeje, në bashkëpunim me ekspertë ligjorë”, u shpreh Grajqevci.

Grajqevci tha se Kosova ka dëshmi të bollshme për të dëshmuar se në Kosovë është kryer gjenocid, por ai kritikoi institucionet që deri tash nuk kanë sistemuar dëshmitë e fakte.

“Dëshmitë nuk janë të sistemuar dhe këtu duhet kohë. Kjo ka qenë neglizhencë e institucioneve tona, duke mos e ngritur Institutin për Krime Lufte, që të përgatiten dosjet komplet, duke nisur nga viktimat e deri te plaçkitja e institucioneve shtetërore”, shtoi Grajqevci.

Njohësit e çështjeve ndërkombëtare kanë pikëpamje të ndryshme lidhur me atë se a duhet Kosova të synojë që një padi të tillë ta parashtrojë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë apo në Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Afrim Hoti, profesor i të Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, ka thënë më herët për Radion Evropa e Lirë, se për ngritjen e një padie kundër gjenocidit të Serbisë në Kosovë, mundësia ekziston, marrë parasysh faktin që krimet e luftës, përfshirë edhe gjenocidin, janë vepra, të cilat nuk mund të parashkruhen.

Por, sipas tij, në kuptimin formal, Kosova gjendet para vështirësive të caktuara, për shkak se pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, mund të aplikojnë vetëm shtetet që janë anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, pjesë e së cilës Kosova nuk është ende.

Kurse, profesori i të Drejtës Penale Ndërkombëtare, Ismet Salihu, ka thënë se vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, cilido qoftë ai, në rast se Kosova eventualisht deponon padinë, do të kishte karakter vetëm këshillëdhënës dhe jo obligues. Marrë parasysh këtë dhe komplikimet tjera, Saliu ka thënë se Kosova do të veprojë drejtë në rast se padinë e tillë do ta ngreh në Gjykatën Penale Ndërkombëtare (GJPN).

Në vitin 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka konstatuar se vrasjet e rreth 8 mijë myslimanëve të Bosnjë e Hercegovinës në Srebrenicë, kanë përbërë gjenocid.

Ndryshe, sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, në luftën e fundit në Kosovë janë vrarë rreth 13,500 persona./REL/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu