• |
ide | kryesore

Investigimi/ Në Veriun e Kosovës, prodhimi i kriptovalutës Bitcoin me energji “falas”

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Tavane shtëpish, bodrume, garazhe, madje edhe shtëpi në veri të Kosovës po jepen me qira për kriptovaluta, një biznes fitimprurës kur energjia elektrike është ‘falas’.

Nga Adelina Ahmeti, Kreshnik Gashi

Selimi [emër i sajuar] pranon të jetë pak i befasuar kur vitin e kaluar atij iu afrua një burrë i cili kërkonte nga ta merrte me qira një tavan të shtëpisë së tij në Suhodoll, një nga trevat e vogla të banuara me shqiptarë etnikë të Kosovës veriore, me banorë kryesisht serb.

Ai e kishte refuzuar atë ofertë duke e dëgjuar të njëjtën ofertë përsëri në fillim të këtij viti, këtë herë për aneksin e shtëpisë së tij.

“Më pyetën nëse mund të vendosnin 15 pajisje”, tha Selimi, i cili kërkoi që emri i tij i vërtetë të mos përdorej. “Fillimisht më ofruan 15 euro për njësi [në muaj], pastaj ata e rritën çmimin edhe për 20 euro më shumë.”

Selimi e kishte refuzuar përsëri këtë ofertë, por shumë të tjerë nuk e kanë refuzuar. Dhe tani zhurma e prodhimit të kriptovaluatave është bërë e zakonshme në veri të Kosovës, ku që nga lufta e viteve 1998-99, serbët etnikë i kanë rezistuar integrimit me pjesën tjetër të Kosovës të dominuar nga shqiptarët.

Dhe, ka një arsye të mirë pse është bërë kaq e popullarizuar: për 22 vjet, veriu i Kosovës nuk ka paguar asnjë cent për shpenzimin e energjisë elektrike, përbërësi vital i prodhimit të kriptovaluatave.

Kjo praktikë është përhapur shumë, ndërkohë që BIRN ka zbuluar se edhe fshatrat e largëta, si dhe qendrat urbane, janë bërë qendra për prodhimin e Bitcoin-ve.

Dhjetëra milionë euro

Duke përfituar nga statusi i tyre i padefinuar qysh nga fundi i luftës dhe shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, serbët në komunat veriore të Leposaviqit, Mitrovicës, Zubin Potokut dhe Zveçanit nuk kanë paguar as një faturë të vetme të energjisë elektrike për më shumë se dy dekada kohë.

Sipas një raporti nga Radio Evropa e Lirë, kostoja e energjisë së harxhuar në këto komuna është rreth 12 milionë euro në vit.

Deri në vitin 2017, qytetarëve tjerë kudo në Kosovë u ishte faturuar një çmim shtesë prej 3.5 për qind për të kompensuar deficitin, deri kur gjykata vendosi se një gjë e tillë është e paligjshme.

Javën e kaluar, qeveria e re e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti i dha lejen operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës, KOSTT, që t’i mbulojë faturat e papaguara nga të ardhurat e saj për gjashtë muaj të tjerë derisa qeveria të dalë me një zgjidhje afatgjatë.

Ndërkohë, prodhimi i kriptovaluatave digjitale, i cili konsumon sasi të mëdha të energjisë elektrike, po lulëzon në pjesën veriore.

“Kemi një problem me tensionin e energjisë në Suhodoll sepse ata kanë sjellë shumë pajisje Bitcoin këtu, si dhe në Gushavc dhe Vinarc,” tha Selimi, duke iu referuar dy fshatrave aty afër. Prodhimi i kriptovalutave po vazhdon në “çdo të dytën apo të tretën shtëpi”, shton ai.

Gazetarët e BIRN ishin në gjendje ta dëgjonin zhurmën që bëhej derisa bëhej prodhimi i kriptovalutave, zhurmë kjo që vinte nga shtëpia e një fqinji, mirëpo një grua e cila gjendej në oborr refuzoi të fliste e të na tregonte se kush qëndronte prapa kësaj zhurme.

Selimi deklaron se kjo praktikë po e mbingarkon sistemin dhe se me dhjetëra familje kishin kontribuar për një kabllo të re të energjisë elektrike. “Ne kemi paguar rreth 3,600 euro për të sepse energjia ishte shumë e dobët,” tha ai.

Të lëshuara pa pagesë

Duket se autoritetet po e mbyllin njërin sy, pavarësisht nga kostoja e parashikuar prej 40 milionë eurosh për arkat e shtetit gjatë tri viteve të fundit.

Në mbrëmjen e 20 prillit të këtij viti, dy zyrtarë të policisë së Kosovës të cilët po patrullonin afër qytetit verior të Leposaviqit e kishin ndaluar një veturë të drejtuar nga një banor lokal, një shtetas serb dhe i ngarkuar me 15 kompjuterë me vlerë afërsisht 45,000 euro të cilët përdoreshin për prodhimin e kriptovalutave.

Sipas një raporti policor në të cilin BIRN ka pasur qasje, zyrtarët policorë e kanë shoqëruar një burrë në stacionin policor në Leposaviq, ku komandanti i ndërrimit e kishte thirrur prokurorin lokal për t’i treguar se shoferi në fjalë nuk kishte dokumente të për pajisjet që i kishte në posedim.

Sipas atij raporti, Prokurori ishte përgjigjur se meqenëse shoferi nuk e kishte kaluar ilegalisht kufirin midis Kosovës dhe Serbisë dhe ishte pronar i atyre pajisjeve kompjuterike por jo edhe që të tregtonte me to, “në këtë rast, nuk ka elemente për ndonjë akuzë penale”. Andaj, ai burrë u la i lirë.

Raporti në fjalë thotë se Kryeprokurori i Mitrovicës Ismet Ujkani po ashtu kishte qenë i informuar mirëpo ai ishte pajtuar me prokurorin e rastit se shoferi duhej të lihej i lirë.

Të dy prokurorët refuzuan ta diskutojnë këtë çështje më tutje, tha për BIRN zyra e Prokurorisë në Mitrovicë: “Sipas informacionit të dhënë nga policia, u konfirmua që pajisjet ishin të vjetra dhe të përdorura dhe se prokurori kishte arritur në përfundimin se nuk kishte elemente të ndonjë vepre penale.”

‘Ka fitim’

Shuma të konsiderueshme parash mund të sigurohen nga prodhimi i Bitcoin-ve, pavarësisht faktit nëse e paguani apo jo energjinë elektrike.

Në Prishtinë, ekonomisti Milot Mehmeti, i cili kishte filluar të merrej me prodhimin e kriptovalutave digjitale në vitin 2015, deklaroi se “një pajisje me pesë karta grafike mundet me harxhu diku 100 deri 150 euro për një muaj energji elektrike, por ajo mundet me i gjeneru në rastin tash diku 300 euro vlerë e ki dyfishin e asaj që e shpenzon,” i tha ai BIRN.

“Në Kosovë, për fat të keq, energjia po përdoret në mënyrë të jashtëligjshme,” shtoi ai.

“Brenda vit kemi shpenzu diku 100 mijë euro për me prodhu kriptovaluta digjitale e të cilat kemi pagu. Fitimi ka qenë ndoshta trefishi i asaj që kemi pagu.”

Muajin e kaluar, kompania për shpërndarjen e energjisë elektrike në Kosovë, KEDS, mori një informacion në lidhje me keqpërdorimin e energjisë në një lagje të kryeqytetit.

Një inspektim i bërë zbuloi dhjetëra pajisje që përdoren për prodhimin e kriptovalutave e të cilat janë konfiskuar nga zyrtarë të Doganës së Kosovës.

Ndërkohë, në veri, banorët atje thonë se lokalet po lëshohen me qira për një çmim që varion mes 500 dhe 1000 eurosh në muaj me qëllim të prodhimit të kriptovalutave.

Në Leposaviq, gazetarët e BIRN, duke punuar në fshehtësi, kanë biseduar përmes telefonit me një burrë të quajtur Sergjan i cili tha se ishte i gatshëm ta lëshonte me qira shtëpinë e tij për prodhimin e kriptovalutave.

Kur u pyet për çmimin, ai u përgjigj, “kushton tridhjetë deri në dyzet euro, madje 50 euro (në muaj) në disa vende”.

Zoran Obradoviç, koordinatori i shpenzimeve të energjisë për Mitrovicën Veriore në Veri, i tha BIRN se konsumi ishte rritur vitin e kaluar, mirëpo e minimizoi rolin e prodhimit të kriptovalutave.

“Më herët mund të dëgjoheshin sepse bëjnë shumë zhurmë … mirëpo ato pajisje nuk janë më atje,” tha ai. “Nuk e di se ku i kanë zhvendosur sepse i lëvizin shpesh.”/ BIRN



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *