• |
ide | kryesore

Një imazh i shtrembëruar i diktaturës shqiptare në bienalen e Venecias

-Instant, Blog



Shqipëria po prezantohet në Biennalen e Venecias me konceptin e fqinjësisë së mirë gjatë komunizmit përkundër të huajtjes dhe ftohtësisë gjatë ditëve të sotme.
Deri 20 vjet më parë, shprehen autorët e projektit, fqinjët ishin gati më të rëndësishëm sesa familja, dhe këtë e ilustrojnë me skena të filmit “Në shtëpinë tonë”, prodhim i Kinostudios i vitit 1979.
Sepse filmat e asaj kohe, sipas tyre, “na tregojnë më së miri jetesën në komunitet” gjatë komunizmit.
Absurde të përdorësh një nga diktaturat më të egra në Lindje, një nga shoqëritë më të izoluara ndër vendet komuniste, si model bashkëjetese paqësore dhe ta krahasosh atë aq lehtësisht me kontekstin e ditëve të sotme.
Natyrisht nuk mungonte fqinjësia e mirë as dje dhe as sot, por ta analizosh dallimet mes kohërave lypset thellim në rrafsh sociologjik, antropologjik, historik, etj. Ama, një gjë është e sigurt: Skenat idilike të një filmi propagandistik nuk rrëfejnë dot kurrsesi atë realitet të hidhur gjatë diktaturës, ku edhe “muret kishin vesh”, ku fqinji të denonconte, ku këshilli i lagjes të demaskonte dhe të priste “biletën” për burg a internim, dhe ku “patronazhistët” e caktuar nga partia vigjilonin edhe brenda anëtarëve të familjes. Në respekt të qindra mijëra shqiptarëve të përndjekur, të spiunuar, të burgosur e të vrarë në vitet 1944-1990, projekti “In our home”, i cili mbështetet nga Ministria e Kulturës do duhej të shoqërohej me një reflektim kritik mbi kontekstin dhe referencat e asaj kohe. Përndryshe, çdo qasje tjetër i ofron publikut ndërkombëtar, i cili e njeh pak ose aspak egërsinë e diktaturës shqiptare, një mesazh të rremë, përveçse sipërfaqësor. Për analogji, do të ishte e paimagjinueshme që të ashtuquajturit “filma kulturorë” (Kulturfilm) të propagandës naziste gjatë viteve 1930, si “Der Kampf um den Himalaya” (Beteja për Himalajën), “Der Berg des Schicksals” (Mali i fatit), “Olympia” etj, të përdoreshin sot si referencë e besueshme për të treguar epërsinë fizike të gjermanëve!!
Fakti se ke lindur pas vitit 1990 dhe nuk e ke përjetuar atë kohë, nuk e justifikon mungesën e njohurive për komunizmin dhe të reflektimit mbi rolin thelbësor që arti dhe filmi, ndër të tjera, luajnë si agjitatorë dhe propagandues në një regjim diktatorial.
Susan Sonntag vërtet shprehet se “qëllimi i artit nuk është të na ndihmojë që të gjejmë të vërtetën…”, por ambicia artistike në filmat e Kinostudios synonte në mënyrë sistematike keqinformimin, tjetërsimin me dashje të përmbajtjes së fakteve objektive, duke gjetur mënyra adekuate prezantimi të një realiteti gjasme autentik.
Ky keqinformim, sidomos për brezin e ri, ka pasur ndikim të madh atëherë dhe, siç duket qartë në rastin e autorëve të këtij projekti, vazhdon ta ketë atë deri më sot. Ndaj debati i hapur disa vite më parë, për shfaqjen e prodhimtarisë propaganduese të Kinostudios pa kriter dhe pa shpjegime kontekstuale, ka qenë e mbetet i dobishëm, dhe ai duhet të vazhdojë.
Marre nga facebook i autores Jonila Godole



5 Comments

  1. Fqinjesia e mire eshte virtyt kombetar historik i shqiptareve, i lidhur me rrethanat historike dhe gjeografike ku eshte zhvilluar shoqeria e vendit tone.

    As nuk lind e as nuk modifikohet me komunizmin, perkundrazi i rreziston dhe i mbijeton ketij te fundit.

    Sfida ndaj fqinjesise se mire ndoshta vdekjeprurese ndaj saj eshte dukuria e migracionit, te brendshem, te jashtem e super te shpejte qe perjetuam e po perjetojme ende.

    Krahasimisht me epoken para fillimit te viteve 90-te sot fqinjesia eshte ne krize, ngjashem me shume vende te tjera te botes se zhvilluar.

    Kuratoret e pavjonit ndoshta kane marre per etalon periudhen e komunizmit pasi ajo eshte e miredokumentuar, me video, filma, foto e me rradhe, nderkohe qe me pare nuk kemi deshmi materiale te perdorshme per komunikim.

    Nuk bie kurresesi dakord me idene e percjelljes jashte te dhimbjeve te komunizmit, si sinteze e jetes sone ne ate periudhe. E para sepse nuk eshte e vertete, edhe ne komunizem kishte jete, brenda kornizes. E dyta sepse kerkujt nuk imintereson me kjo retorike, sot kur ajo sfide eshte fituar dhe ka plot te tjera qe duhen luftuar.

    Filmi i Anagnostit eshte kryeveper.

  2. Po të kishte ndonjë petsonazh ose familje të përndjekurish me të vërtetë do të kishte kuptim ai film.Por ata ishin armiq dhe armiqtë përmendeshin si të tillë përherë.Ajo që jepet në film është pjesa sipëfaqsore e jetës në atë sistem por ajo më thella ishin burgjet dhe vëndet e internimeve por që dhe pse të izoluar kishin njerzillikun e mirë të bashkëjetonin në atë ferr.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *