• |
ide | kryesore

Histori personale/ Në betejë të heshtur me bakterin e rrezikshëm, rrëfimi i 31-vjeçares: E bekuar që kalova këtë sfidë

-Instant, Stil



1993

Në këtë vit nisi një rrugëtim i gjatë dhe i mbushur me sfida në dukje të panevojshme, por që Elona Horanlli i konsideron sot mësimet më të çmuara të jetës.

16-vjet, stafilokoku aureus qëndroi i fshehur në trupin e 31-vjeçares, e cila u kontaminua nga ky bakter prej mjekëve shqiptar gjatë një operacioni në këmbë.

Elona rrëfen për Lapsi.al kalvarin e gjatë e të mundimshëm të ndërhyrjeve kirurgjikale në gjymtyrët e saj, ndërsa nuk ishte e vetëdijshme për rrezikun kryesor që fshihej në trup e i kërcënonte shëndetin.

Pavarësisht të gjithë peripecive, ecjen përgjatë vijës së hollë që ndan jetën me vdekjen, ajo e cilëson si një bekim.

Sfidat e jetës e kanë bërë t’i kërkojë përgjigjet në thellësi e të luajë rolin që i shkon më për shtat momentit. Me kohën kuptoi se të qante për rrethanat ku ndodhej, nuk ishte zgjedhja që do e bënte të kalonte gjithë pengesat që i shfaqeshin përpara.

“Pakujdesia e mjekëve në moshën 12-vjeçare më bëri të përjetoj edhe gjendjen e komës. Më zgjon një lot i tim ati që më preku faqen . Ky moment kaq i rëndësishëm më bëri të kuptoj se nuk ka një vijë finishi mes JETËS dhe VDEKJES. Të dyja janë rifillim me destinacion dashurinë”.

***

Çastet e dhimbjes e shqetësimeve që shoqërojnë ardhjen në jetë të një fëmije harrohen të nesërmen, kur vend i mbetet vetëm gëzimit. Ky prezantim i parë me botën në rastin e Elonës nuk shkoi sipas këtyre pritshmërive klasike. Pasojat që rodhën prej pakujdesisë së atij momenti e kanë shoqëruar deri më sot. Një tërheqje e këmbës prej mamisë, solli keqinterpretime të problematikës prej mjekëve ndër vite dhe katër ndërhyrje kirurgjikale, të cilat ia shtuan edhe më dhimbjet.

“Në moshën tre vjeçare ka nisur kalvari i gjatë i rënies në kontakt me bisturinë. Supozohej se diagnoza ishte “Luksacion Koksofemoral”. Pas tentativash të cilat nuk rezultuan të suksesshme nga ana e mjekëve (shkak mungesa e aparaturave mjekësore apo teknologjisë të asaj kohe, i bënë gjërat të merrnin tjetër rrjedhë ( ishin vitet 1993 sapo kishim hyrë në demokraci ). Do të më duhej të realizoja një  operacion të dytë pasi të kisha mbushur 10 vjeç. Dhe ashtu ndodhi. Në pranverën e vitit 2000 kthehem për të bërë operacionin e parashikuar. Ky ishte dhe momenti kur unë infektohem në sallë me një bakter të quajtur stafilokok areus (ata që e njohin e dinë se sa agresiv dhe rezistent është. Rrisku që të shkaktojë endocarditis është i lartë, pasi kjo baktere hyn dhe qarkullon në gjak)”, rrëfen Elona.

Me hyrjen e këtij bakteri në trup, kërcënimi ndaj jetës ishte prezent në çdo sekond, pavarësisht se nuk ishte e vetëdijshme për këtë. Për 16 vite mjekët shqiptarë nuk arritën të diktonin prezencën e bakterit, i cili i shkaktonte inflamacion në mënyrë të përsëritur. Në vend që t’i shihte bluzat e bardha me mosbesim, prej dështimeve të njëpasnjëshme që i kishin shkaktuar vetëm shqetësime e të kërkonte të shmangte çdo imazh që i sillte ndërmend ata, zgjodhi të përballej e të bëhej një prej tyre.

“Fillova studimet në një nga disiplinat e mjekësisë, infermierisë së përgjithshme, ku jam diplomuar dhe liçensuar. Shkak i kësaj zgjedhje u bë “Stafilokoku aureus”. Vitin e fundit në universitet ai u shfaq sërish dhe një gabim i mjekëve bëri që unë gati të paralizohesha /deformohesha, situatë e cila zgjati për vite me radhë. Ishte tronditje dhe shkundje e fuqishme për mua pasi po përjetoja një realitet krejt ndryshe dhe nuk isha e përgatitur. Dhimbjet fizike ishin jashtëzakonisht të forta, ama asgjë krahasuar me dhimbjen që ndjeja në kraharor. Kalova një prolaps në zemër në moshën 22-vjeçare (dhe kam shpëtuar për pak), depresione të fuqishme, tentativa për t’i dhënë fund jetës (në momente të fundit reflektoja dhe bindja veten duke thënë jo kjo nuk është zgjidhje, shpirti im nuk e donte këtë, ndjeja sikur afër meje ishte një dorë e cila më ndalonte)”, tregon 31-vjeçarja.

Në këtë çast delikat të jetës, rrjedha e drejtoi për nga drita në fund të tunelit.

“Këtu filloi dhe kontakti im i thellë duke besuar dhe ndjerë se përtej ekzistojnë forca të jashtëzakonshme, të cilat jo vetëm na mbrojnë, flasin, dëgjojnë, por edhe na dërgojnë sinjale. Në këtë moment nisa të kërkoj drejt thellësive të jetës. Nisa të rrija me veten time dhe larg gjithçkaje (supozimeve, gjykimeve se pse nuk hapesha me askënd, faktit që buzëqeshja dhe dukesha një e marrë, e cila nuk “kuptonte seriozitetin e problemit të saj”). Këtë “problem” unë e shihja ARRITJE sepse shpirti im filloi të çelë dhe nuk pajtohesha dot me mënyrën si e shihnin apo konceptonin këtë ata që më rrethonin. Filluan udhëtimet drejt kërkimit dhe nisi shkëputja nga e shkuara dhe personazhet e saj, dashuria brenda meje për jetën shtohej dhe rritej”.

Pas ndërhyrjeve kirurgjikale e trajtimeve mjekësore të gabuara që kishte marrë në Shqipëri, vendoset në Madrid të Spanjës me shpresën se më në fund do të gjendej një zgjidhje. Në vitin 2019, prej komplikacioneve dhe shenjave klinike që paraqiste si paciente, mjekët arritën të zbulonin shkaktarin e gjithë problematikave që shfaqeshin në shëndet, stafilokokun aureus.

“Fillova të investigoj në lidhje me këtë bakter dhe kuptova se sa serioze ishte situata, pasi rrezikoja të humbisja dhe jetën, nuk mu dha shpëtim. Për mjekët ky rast ishte i panjohur dhe ju mori kohë ta dedektonin aq sa toksikohem nga një antibiotik i fuqishëm teksa luftonin bakterin, gjë që e vuri në rrezik për të disatën herë jetën time. Më dhanë 3 javë kohë. Nëse nuk do të shihnin përmirësim, do të detyroheshin të më kryenin një operacion radikal (heqjen e acetabulit dhe pjesës iliake ) pasi aty kishte sulmuar stafilokoku. Ky operacion do të realizohej për të më shpëtuar jetën, por pas tij nuk do të mund të ecja dot kurrë më pa një karrige me rrota.

NUK DOJA TA BESOJA, por vetëm qeshja duke shtrënguar shpirtin tim dhe duke puthur çdo natë telepatikisht sytë e tim eti dhe duke i treguar dhe dërguar mesazhin se do ia dilja, ndërkohë që iu kisha thënë se kisha vetëm një grip (pasi ata jetojnë në Tiranë). Nuk dëshiroja të krijoja panik e t’i shqetësoja”.

6-vjet më parë kur u largua prej Shqipërisë, mban mend fjalët e prindërve të cilët i thanë të shkonte aty ku ndihej e lirë dhe që të ndiqte ëndrrat e saj. Pasi u shpërngul në disa shtete europiane, në Spanjë gjeti qetësinë që kërkonte, por edhe zgjidhjet për jetën. Njerëzit që ka takuar këto kohë i cilëson çelës të rritjes personale dhe shpreh mirënjohje veçanërisht ndaj  mjekëve që i dhanë një shans të dytë për t’iu gëzuar jetës.

“Një letër e shkruar mjekut dhe ekipit që merrej me rastin tim transformoi rrjedhën tonë energjike së bashku, sepse iu hap rrugë dashurisë, bashkëpunimit, tolerancës, durimit dhe dhembshurisë. Pacientët duhet t’i bëjnë me dije mjekëve se i besojnë, duke demonstruar dashuri dhe mirënjohje. Mos prisni dashuri prej tyre, por nisjuni dashuri. Ajo do t’iu kthehet dyfish e do të ndihmojë në kurimin tuaj. Bëhu një histori ndryshe për ta, duke iu dhënë mundësinë e një kuptimi më të gjerë drejt vetëbesimit, si dhe se si trupi jonë ka gjithë mençurinë e mundshme për t’u kuruar nëpërmjet DASHURISE dhe DRITËS, cilido qoftë momenti në të cilin ndodhesh. Beso dhe nxit të të besojnë dhe kur shpresat t’i shfaqin zero. Aty është fillimi dhe rifillimi i një historie, e cila bëhet shpëtim për mijëra të tjerë. Falja dhimbjet jetës, mos harro se ajo të ka falur mençurinë”.

Në vend që t’i dorëzohej shpirtërisht parashikimeve pesimiste, zgjodhi të shpërndante dashuri ndaj jetës dhe atyre që kishin në dorë cilësinë e saj. Kjo goditje e radhës dha efekt të kundërt, duke e ngritur edhe më lartë, e duke ia shtuar forcën për t’i shkuar në fund kësaj rruge të vështirë që i qe futur pa e zgjedhur. Pikërisht prej këtij shkaku, besonte se në fund do të vendosej drejtësi.

Qëndruam në konsulta të vazhdueshme dhe me mjekime të fuqishme nga një familje antibiotikësh, e cila është posaçërisht për luftimin e kësaj baktere, bëmë radiacione të shumta, ndryshim diete ushqimore, detoksifikim, si dhe 50 % e kam kuruar vetë veten time duke e dashur KURIMIN dhe duke besuar në mrekulli. Në konsultën e fundit të muajit shkurt të këtij viti marr lajmin e shumëpritur që jam kuruar plotësisht.

Na mbetet edhe pak punë në vitet në vijim, ku duhet të bëjmë një korigjim proteze për ta balancuar ecjen si dhe ruajtur kockën, por janë ndërhyerje pa zarar. Shkencës nuk Iidihet asnjëherë pasi është në avancim e sipër dhe mbase korrigjimi mund të bëhet me anë fizioterapisë.

Suksesin e arritur në betejat shëndetësore ia dedikon mbështetjes së familjes, por edhe njerëzve të veçantë që iu bashkuan përgjatë rrugëtimit e iu bënë mbështetje.

“Dhe kur nxënësi është gati shfaqet mësuesi. Pikërisht kur isha në pragun e shumë pse-ve ,hfaqet në jetën time një specialiste e shkëlqyer e hipnoterapisë, neuroshkencës dhe manualit njerëzor, Diana Pushi. Ky ishte ÇELËSI kur sfidat e mia morën kuptim, qartësi, thellësi dhe mençuri ,pasi ne vijmë me një mision të caktuar në jetën tonë. I jam mirënjohëse ekipit të spitalit “Infanta Leonor” këtu në Madrid, veçanërisht doktor Florencio Alvarez si dhe çdo bashkëshoqëruesi në një moment rizgjimi kaq të rëndësishëm 360 gradë, specifikisht familjes, të afërmve dhe miqve”

Sot 31-vjeçarja jeton në kryeqendrën e Spanjës, në Madrid, ku u shërben të sëmurëve me alzhaimer. Njëkohësisht ndjek studime në spanjisht si dhe i është dedikuar artit, veçanërisht të shkruarit.

Në këtë rilindje të dytë, me mësimet e marra dhe besimin se në jetë e pamundura nuk është më tepër se sa një zgjedhje kufizuese e vetë njeriut, Elona vendos të shkojë me guxim e gëzim drejt së ardhmes që e krijoi vetë.

 

Autor: Klajdi Thaçi

©Lapsi.al



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *