• |
ide | kryesore

Video/ Teuta kampione me goleadë: titulli i parë në histori që vendoset me diferencë golash

-Instant, F1, Sport, Video



Teuta shpallet kampione duke e dërrmuar Apoloninë, në ndeshjen e fundit të kampionatit. Titulli varej nga golat dhe të besuarit e Martinit përmirësuan golavarazhin në javën e fundit me 6-1 kundër fierakëve, kur duhej të mos i linin asnjë shans Vllaznisë, me të cilët ndan pikët, 66, në krye të renditjes, por jo trofeun që kthehet në Durrës pas 27 vjetësh. Fitoi edhe Vllaznia 2-0 në Loro Borici kundër Laçit, por nuk mundet të kalojë diferencën që e mban të dytën. Mbijetesën e siguron Kastrioti por e vendosi Kukësi, që u mund nga krutanët, në kohën kur Partizani përmbysi 2-4 Bylis.

Një kampionat i gjatë, me plot befasi e përmbysje situatash, që edhe një javë nga fundi lanë të gjithë skenarët hapur. Por Teuta e Martinit nuk gaboi hapin e fundit që e ngjiti në kuotën e 66 pikëve, duke i lënë Vllaznisë, Partizanit e Laçit, rivalëve të 36 javëve, vetëm dëshpërimin për një trofe që vetëm i shkuan afër. Në fund ia del Teuta, në një vit të vështirë pandemik, që i jep më tepër vlerë arritjes, edhe pse në mënyrë kontroverse: të besuarit e Martinit ishin sulmi më i dobët ndër gjashtë skuadrat e para të kampionatit para goleadës së sotme dhe kanë fiksuar rekordin e 15 barazimeve. Në këtë rast vlen të thuhet se mbrojtja fitoi titullin, më e mira në kampionat me 16 gola të pësuar, që lejojnë kapitenin Arapi të ngrejë lart trofeun dhe të nisin festën….

Vllaznia e dinte që luante përtej mundësive reale e megjithatë e provoi deri në fund, duke mposhtur 2-0 Lacin. Shkodranët triumfuan falë golave të Herald Markut nga penalltia në minutën e 26-të dhe Dilaver në minutën e 59-të. Skuadra e Brdariç mbylli kështu një sezon spektakolar në vendin e dytë në kuotë të barabartë pikësh me Teutën kampione, por me golavarazh më të vogël. Shkodranët e kanë mundësinë ta mbyllin sezonin me një trofe, pasi janë në finalen e Kupës me Skënderbeun. Laçi e mbyll sezonin në vendin e 4-t me 61 pikë, 5 pikë më pak se kryesuesit.


Mbijetesën e siguroi Kastrioti, por me bamirësinë e Kukësit, që u dorëzua 2-1 kundër të besuarve të Ndreut që tani do të luajnë ndeshjen playoff me Tomorrin. Kastrioti ia doli të mbajë poshtë Bylis që e nisi në avantazh kundër Partizanit, por u dorëzua përballë informacioneve që vinin nga ndeshje tjetër, duke lejuar më pas përmbysjen e të kuqve 2-4 në Ballsh.

VERDIKTET
Kampion: Teuta
Europë: Vllaznia, Partizani, Laçi
Playout: Kastrioti
Rrëzohen: Bylis, Apolonia



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *