• |
ide | kryesore

Zgjedhjet, Boiken Abazi: Anëtarët e KAS janë bërë pjesë e banalitetit të së keqes në Shqipëri

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Nga Boiken Abazi

Fjalimi përmbyllës që pata mundësi të mbaja sot në KQZ/KAS për ankesën në lidhje me zgjedhjet në Qarkun Tiranë:
Jemi para një situate absurde. Absurdi në kuptimin muzikor lidhet me prishjen e harmonisë. Në kuptimin logjik, absurdi lidhet me shvlerësimin dhe boshatisjen e akteve dhe veprimeve nga idealet. Këto seanca dëgjimore, i ngjajnë pjesëve të Teatrit të Absurdit, të cilat kanë një formë rrethore. Pika e përfundimit është e njëjta me pikën e fillimit. Logjika dhe argumentet i lënë vendin përfundimeve irracionale, duke çuar në konkluzionin e pashmangshëm: heshtja.

Ne depozitojmë ankesa të cilat rrëzohen në tërësinë e tyre ende pa u trajtuar. Argumentet dhe provat nuk merren parasysh. As pamjet filmike të numëruesve që vendosin X-a në fletët e votimit gjatë procesit të numërimit nuk mjaftojnë. As fotografitë e fletëve të manipuluara nuk merren parasysh. Mohohet ekspertiza mbi fletët e votimit që janë manipuluar. Mohohet marrja e informacioneve shtesë nga organet e tjera shtetëtore. Të gjitha këto bëhen me synimin që vendimi i marrë prej fillimit për ta rrëzuar ankesën, pa marrë parasysh faktet dhe argumentet, të konfirmohet edhe në fund. Pra, që rrethi të marrë formën e plotë si në Teatrin e Absurdit dhe të vendoset heshtja.
Ndërkohë, jashtë kësaj salle Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, hesht prej katër ditësh. Ai që kishte për detyrë t’i mbronte zgjedhjet nga krimi elektoral, duket se ka komunikuar pikërisht me numëruesin që ka kryer krimin elektoral. Ministri nuk jep asnjë shpjegim. Nuk bën asnjë distancim, asnjë denoncim. Dhe kështu edhe ai tenton të vendos heshtjen.

Anëtarët e KAS-it që kanë vendosur prej fillimit ta rrëzojnë ankesën tonë pavarësisht fakteve dhe argumenteve kanë një detyrë të vështirë nga ana morale: të mbrojnë absurdin. Në këto seanca është faktuar përtej çdo dyshimi se në Tiranë, dhe jo vetëm, ka ndodhur deformimi i vullnetit të qytetarëve që ka ndikuar te fitorja e pandershme dhe e jashtëligjshme e një ose më shumë mandateve. Anëtarët e KAS-it që kanë vendosur prej fillimit të mbrojnë argumentin absurd se manipulimi dhe shkeljet ligjore në këto zgjedhje mbase duhen trajtuar nga organet e drejtësisë, por nuk duhen marrë parasysh si fakte që ndikojnë te rezultati. Anëtarët e KAS-it që kanë vendosur prej fillimit ta rrëzojnë këtë ankesë po përgatiten të na thonë në mënyrë absurde se vjedhja, blerja dhe manipulimi i votës nuk ndikon te rezultati i zgjedhjeve. Se përdorimi i jashtëligjshëm i fondeve publike dhe i punësimeve në admnistratë, bashkë me shkeljet e procedurave, nuk ndikojnë te rezultati. Pa bërë asnjë ekspertizë të mbi 18.000 votave të pavflefshme në Tiranë, duan të na thonë se ato janë të gjitha gabime njerëzore dhe jo manipulime, siç dëshmojnë videot dhe fotografitë. Nuk ka rëndësi për ta databaza e bërë publike e patronazhistëve me të dhënat e vjedhura të 900.000 qytetarëve të Tiranës. Nuk ka rëndësi që KQZ-ja nuk ua mundësoi votimin në spitale apo në vendet e karantinimit mbi 17.000 qytetarëve të Qarkut Tiranë.

Anëtarët e KAS-it që kanë vendosur prej fillimit ta rrëzojnë këtë ankesë, pa marrë parasysh faktet dhe argumentet, janë duke u bërë pjesë e banalitetit të së keqes që ka kapluar Shqipërinë. E keqja në këtë vend nuk rri vetë në këmbë. Ajo mbahet në këmbë përmes bashkëpunimit, përmes zbatimit të urdhërave që bien ndesh me konceptin e së drejtës dhe me ndërgjegjen tonë. Unë i bëj thirrje ndërgjegjes tuaj, që të dalim nga banaliteti i së keqes. Thyeni rrethin e absurdit ku jemi futur dhe filloni të vendosni drejtësi duke shpallur pavlefshmërinë e zgjedhjeve në Qarkun Tiranë.
***
30 minuta pas këtij fjalimi, KAS-i e rrëzoi ankesën tonë për Qarkun Tiranë.



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *