• |
ide | kryesore

Vrasja e Florian Lamçes/ Prokuroria dërgon për gjykim dhëndrin e Qazim Sejdinit

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit
sejdini



Prokuroria e Elbasanit ka mbyllur hetimet për vrasjen e Florian Lamçes dhe ka dërguar për gjykim Sokol Sanxhaktarin, i cili është edhe dhëndri i ish-kryebashkiakut të Elbasanit Qazim Sejdini.

Së bashku me Sanxhaktarin për gjykim është dërguar edhe Adriano Hajdari, të cilët akuzohen për vrasje ne bashkëpunim të Lamçes, ngjarje e ndodhur nje vit me pare.

Si ka ndodhur ngjarja

Tre shokët ndodheshin në ambientet e lokal “Piazza del sol”, në qendër të Elbasanit. Florian Lamçja, ose siç njihet ndryshe në Elbasan me nofkën “Flor Qorri”, Adriano Hajdari dhe Sokol Sanxhaktari, në shoqërinë e njëri-tjetrit kanë konsumuar pije alkoolike.

Një burim nga Policia tha se ata mund të kenë konsumuar edhe lëndë narkotike, fakt ky i pakonfirmuar zyrtarisht. Në bisedë e sipër, rreth orës 04:00 të mëngjesit ata janë zënë me njëri-tjetrin duke bërë që të përdorin shishet e birës dhe për pasojë kanë lënë të vdekur Florian Lamçjan. Për këtë ngjarje janë arrestuar Adriano Hajdari dhe Sokol Sanxhaktari, dhëndri i ish-kryetarit të Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdinit. Dy të arrestuarit dhe vetë viktima Florian Lamçja konsiderohen si persona me precedentë penalë në Elbasan.

Por kush është Sokol Snxhaktari?

Sokol Sanxhaktari, dhëndri i ish-kryebashkiakut Qazim Sejdini, është një personazh i njohur për drejtësinë.

Sanxhaktari është akuzuar se ka kryer një sërë veprash penale, por me sa duket, gjithmonë i ka shpëtuar drejtësisë. Ndërkohë Sanxhaktari njihet edhe si miku i afërt i Sokol Çelës, ky i fundit i akuzuar si i përfshirë në ngjarjen që ndodhi mesnatën e 18 shtatorit kur një automjet i blinduar tip “Audi A8” goditi makinën e patrullës së Policisë, brenda të cilit ishte ish-zv.drejtori i Policisë, Gjergji Oshafi.

Po ashtu, mbetur vetëm në “thashethemet” mediatike dhe akuzat politike të opozitës shqiptare, dhëndri i Qazim Sejdinit, Sokol Sanxhaktari, dyshohet se është i përfshirë në grupin kriminal të bandës së Çelës.

Ai është arrestuar disa herë, por gjithnjë ia ka dalë të rifitojë lirinë, duke i shpëtuar drejtësisë me dënime qesharake. Zakonisht ndodhte që viktimat të tërhiqeshin nga akuzat që ngrinin ndaj Sanxhaktarit, ose prokurori detyrohej të largohej nga çështja e hetimit, ose Policia shpallej nga gjykata në tejkalim kompetencash sepse kishte shoqëruar dhëndrin e kryetarit të Bashkisë.

Në janar të vitit 2016 Sokol Sanxhaktari i shkruan drejtuesit të prokurorisë Elbasan, Besnik Cani, që të zëvendësojë prokuroren e çështjes Erinda Lamkën. Në letrën e shkruar, 34-vjeçari aludonte se akuzat i ishin ngritur për shkak të lidhjes që ai kishte me ish-kryetarin e Bashkisë së Elbasanit.

Sanxhaktari vijonte duke thënë se prokurorja e çështjes po kryente hetime tendencioze dhe keqdashëse ndaj tij, pasi Qazim Sejdini nuk kishte pranuar t’i punësonte bashkëshortin. Ngjarja për të cilën prokuroria ngriti akuza penale ndaj Sanxhaktarit kishte ndodhur mbrëmjen e 20 dhjetorit 2015. Salla operative e Policisë në Elbasan atë kohë është njoftuar se një person ndodhej i armatosur në ambientet e një lokali “Lloto-Sporti”, ne lagjen “Luigj Gurakuqi” të qytetit të Elbasanit.

Në vendngjarje, përveç patrullës, mbërrijnë edhe drejtues më të lartë të policisë së qarkut, të cilët personin e armatosur e identifikojnë si Sokol Sanxhaktarin./Panorama



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *