• |
ide | kryesore

Ministrja e Jashtme e Kosovës në mediat zvicerane: Të hetohen vrasjet politike të pasluftës

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës Donika Gërvalla ka vijuar me deklaratat e forta ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në një intervistë për gazetën zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” ajo thotë se tani është koha e “drejtësisë për të gjithë”.

“Gervalla-Schëarz kërkon që shumë vrasje të pasluftës në vend të zgjidhen. Pas tërheqjes së trupave serbe, ato u kryen kryesisht nga anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare Kosovës, UÇK. Viktimat ishin serbë, romë dhe shqiptarë oponent të UÇK-së” – thuhet në artikullin e gazetës zvicerane.

Për moszbardhjen e vrasjeve të pasluftës, kryediplomatja e Kosovës ua lë fajin, gjyqësorit dhe qeverive të mëhershme ndërsa thekson se kryeministri Albin Kurti e ka kundërshtuar Gjykatën Speciale.

“Së bashku me të tjerët, unë kam kërkuar vazhdimisht që vrasjet politike pas përfundimit të luftës të hetohen plotësisht”, – ka deklaruar Gërvalla duke kërkuar drejtësi pa dallim për shqiptarët, serbët e romët.

Shkaktoi debate të forta në politikën e Kosovës një deklaratë e dhënë kohë më parë nga Gërvalla që i akuzonte ish-krerët e UÇK-së për vrasje të kundërshtarëve politikë pas luftës. Atëherë ajo premtonte se do të dorëzonte dëshmi nëse do krijohej një gjykatë që do të gjykon ata.

“Brenda mundësive që kam patjetër që do të kërkoj materiale në Gjykatën Speciale. Po, kam materiale. Kemi një kryetar të parlamentit që unë e quaj më të turpshëm se sa Thaçi që është president. Gjithë bota e di kush është Kadri Veseli dhe gjithë bota e di kush është Hashim Thaçi. Kadri Veseli ka qenë koka e organizatës që ka bërë krime ndaj kundërshtarëve politikë”, – pati deklaruar ajo.

Pas këtyre reagimeve Gërvalla bëri një sqarim në Facebook.

“Asnjëherë nuk do të pushoj së kërkuari drejtësi për të gjitha viktimat në Kosovë, pa marrë parasysh përkatësinë politike, gjininë, kombësinë apo funksionin e viktimave dhe autorëve të krimit”, – shkroi kryediplomatja.

Vetë Kurti tha se po ngrihej një fushatë sulmesh ndaj Gërvallës. ©LAPSI.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *