• |
ide | kryesore

Hipokrizia e shoqërisë me gjykatësen beldredhur, buzëtrashë, seksuale dhe bionde

-Instant, Blog



Stuhia e denoncimeve që u ngrit kundër gjyqtares Kapedani për një video të saj të publikuar (nuk dihet ende nga kush) në “Tik Tok”, ishte e habitshme, sidomos po të kemi parasysh mungesën e ndonjë skandali në video dhe problemet e gjyqësorit tonë.

Me të drejtë, analisti Bushati vërente se kemi të bëjmë me një kauzë krejtësisht të parëndësishme, që nuk e justifikon zhurmën e prodhuar. Ndaj është e rëndësishme të shtrojmë pyetjen se përse video në fjalë ka shkaktuar kaq shumë reagime të forta.

Sipas Bushatit, kemi të bëjmë me fetishizimin e kauzave të parëndësishme. Dhe kjo mund të jetë e vërtetë, por kauza të parëndësishme ka plot, dhe mbetet mister se përse pikërisht video në fjalë prodhoi kaq shumë zemërim dhe urrejtje publike. Natyrisht, disa me të drejtë do thonë se u shkel etika dhe serioziteti i postit të gjyqtarit. Po kjo është një shkelje krejt e papërfillshme në raport me atë çka ndodh te gjyqësori apo në administratën tonë publike në përgjithësi.

Të argumentosh se trashja e buzëve në një video private nga një gjyqtare nën melodinë e një këngë ku përmendet mafia do të trondiste sistemin tonë të drejtësisë, është qesharake. E megjithatë, video krijoi një tronditje të fortë në psikikën tonë sociale.

Gazetat i kushtuan faqen e parë, a thua se bëhej fjalë për videon e Ilir Metës. Reagimet pa fund erdhën nga të gjitha anët, që nga denoncimi deri te propozimet për shkarkim për trashje buzësh.

Urrejtja për gjyqtaren u bë sa e prekshme, edhe e frikshme.

I gjithë ky reagim buron nga fakti se gjyqtarja në atë video performoi femrën apo idealin femëror që krijon çdo ditë shoqëria jonë. Kjo femër ideale është flirtuese, . Atë e gjen kudo, jo vetëm në rrugë, por edhe në televizione dhe në fantazitë e meshkujve shqiptarë.

Është një ideal krejtësisht i papërputhshëm me postin publik në përgjithësi dhe me rolin e gjyqtares apo të kryetares së Gjykatës në veçanti, që presupozon mençuri, seriozitet dhe burrëri. Është pikërisht ky kontrast mes feminitetit dhe postit publik që ka gërricur nervat e publikut duke prodhuar një vrer krejt disproporcional në raport me përmbajtjen e videos.

Mesazhi që dha video në fjalë është se femra ideale, që ëndërron dhe prodhon shoqëria jonë, nuk ka vend në gjyqësor. Pikërisht te kjo kontradiktë qëndron hipokrizia e shoqërisë sonë.

Nga njëra anë, ajo prodhon një ideal femëror që e redukton femrën te seksualiteti, flirtimi, nënshtrimi dhe mendjelehtësia. Nga ana tjetër, suksesi në hapësirën dhe postet tona publike kërkon pikërisht të kundërtën e këtij ideali, vendosmëri, mençuri dhe agresivitet. Kështu, shoqëria jonë i kërkon femrës të pamundurën.

Nëse suksesin e arrin nëpërmjet feminitetit, përçmohet se ka përdorur hiret dhe seksin për karrierë. Nëse refuzon të jetë feminine, akuzohet se është bërë si burrë, agresive, histerike, e ftohtë dhe ka humbur feminitetin. Nuk janë pak femrat në hapësirën tonë publike që e vuajnë këtë dilemë. E thënë ndryshe, në shoqërinë tonë është pamundur të jesh njëkohësisht “femër ideale” dhe gjyqtare. Janë dy role të ndërtuara në kontradiktë me njëra–tjetrën.

Ama, kjo kontradiktë nuk zgjidhet duke linçuar një gjyqtare femër sepse e nxori atë në pah, por duke krijuar ideale të reja feminiteti, ku hyn edhe inteligjenca, karakteri dhe vendosmëria.

“Panorama.al’



4 Comments

  1. Problemi eshte se ne shoqerine shqiptare edhe femrat qe kane kohe gjithe kohes per te kuruar feminitetin e tyre gjejne vend per te depertuar masivisht edhe ne pozicionet ku duhet te mbreteroje truri, si ne akademi, gjyqesor apo administraten e larte. Kjo nuk ndodh vetem ngaqe ne kemi nje sistem te deformuar merite, por edhe sepse aktiviteti ne keto institucione si rrallekund perputhet me nje nivel medioker apo te ulet inteligjence, i tille qe i jep hapesire edhe ketyre lloj femrave, apo femrave. Kete lloj perfaqesimi te femrave nuk e gjen as ne perendimin e intelektit, pavaresisht presionit dhe ndikimit te jashtezakonshem qe levizjet gjinore kane ne ato vende dhe mundesive reale qe kane femrat per te zhvilluar pavaresine dhe intelektin. Tani, kjo eshte teme tjeter, por per krahasim edhe meshkujt duhet te sakrifikojne shume nga arketipi ideal (individualizmi, inponimi, aventurizmi, etj.)per te qene ne rregull me shoqerine moderne qe duhet te dominohet nga “burgu” i shtetit administrativ apo shtetit te se drejtes. Ne fakt shumica prej nesh skandalizohet edhe nga njerez si Doshi edhe pse modeli i mashkullit ne Shqiperi kerkon te sillesh si ai. Per te qene te sakte arketipi femeror eshte me afer shoqerise moderne te pakten ne nivelin mesatar te saj (e merzitshme), por nese duhet te shkojme drejt atij modernizmi,duhet imponimi i vlerave mashkullore te rezistences ndaj figurave dominante te tipit Rama-Doshi.

  2. Gjygjtarja eshte pasqyre e narko shtetit.
    Eshte rama i pari qe e ka katandisur kryeministrine ne bordello me neon, mure me flutura, dhe kosha basketbolli ne zyre.

  3. O Kajsi edhe kesaj qe ska bythe ku te rrije do ja gjesh justifikimin. Po eshte Kryegjygjtare nuk eshte nje cope juriste o Kajsi, po eshte bere Elbasani si Teksasi i kohes se kaubojsave o Kajsi perdite vrasje. Ky vend ka shume Lepirsa te Rilindjes por ata te pakten kane pak stil, kurse ti dole ashiqare fare qe me analizat e para.

  4. Duke ndjekur këtë debat të madh mediatik që shpërtheu për rastin e kësaj gjykatësje bukuroshe, vërej se ky shkrim hyn në trajtimin më naiv “analitik”.
    Diskursi duhej që të përqëndrohej në një fakt flagrant.
    Nga pjesa më e madhe e mediave shqiptare, Elbasani është konsideruar si qyteti që ka më shumë probleme me grupet kriminale.
    Në shumë emisione televisive , veç këtij fakti, është përmendur edhe dyshimi se problem për këtë qytet ka qenë edhe bashkëpunimi me krimin e institucioneve të zbatimit të ligjeve si policia, administrata, prokuroria e gjykatat.
    Është ndoshta normale që në studiot televizive të përzgjidhen moderatore femra të hijëshme e njëkohësisht inteligjente, pasi nëse kombinohen të dyja së bashku, forma e përmbajtja e një moderatoreje televizive, suksesi është i sigurtë.
    Por nëse ekziston ky mendim publik për Elbasanin, ishte e pashmangëshme që videot që e paraqesin këtë gjyqtare si një femër të bukur e me gjeste joshëse seksuale, është një kontrast i madh midis objektit të drejtësisë serioze e koketërisë femrore..
    Sigurisht që është përtej llogjikës humane që kjo femër të sulmohet për ta linçuar, sepse i pëlqen të ekspozojë hiret e saj trupore.
    Është një “sëmundje” që e kanë shumica e femrave të bukura.
    Ajo që nuk shkon në këtë debat, është se po meremi me formën e kësaj gjykatësje e ja me përmabajtjen e punës së saj.
    Është përmendur fakti se kjo gjykatëse ka liruar nga burgu para kohe, një të dënuar për krime e për rastin e Elbasanit , ky veprim është me pasoja të mëdha.
    Kjo gjykatëse koketë, ndonëse pa ndonjë eksperiencë profesionale, është emruar si kryegjykatëse e qarkut të Elbasanit.
    Kush dhe përse e ka përzgjedhur ate për këtë detyrë ?
    Pikërisht kjo pyetje mund të shpjerë tek burimi i shkaqeve të korrupsionit e pandëshkueshmërisë së tij e të krimit në Shqipëri.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *