• |
ide | kryesore

Transportonin emigrantë të paligjshëm, arrestohen 2 persona në Korçë

-Instant, Lajme, Të fundit



Policia e Korçës ka vënë në pranga dy persona të cilët akuzohen për dhënie ndihmë klandestinëve të paligjshëm.

Në kuadër të operacionit të koduar “perimetri”, është bërë i mundur ndalimi i shtetasve me iniciale M. G., 34 vjeç dhe D. D., 35 vjeç, banues në Pogradec.

Këto dy shtetas në makinën tip Benz po transportonin 3 emigrantë të paligjshëm kundrejt shpërblimit, ata iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme në kuadër të operacionit “Perimetri”.

“U kapën duke transportuar emigrantë të paligjshëm dhe nuk iu bindën urdhrit të Policisë për të ndaluar, vihen në pranga 2 shtetas.

Strukturat për Hetimin e Krimeve në DVP Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe shërbimet e FRONTEX-it, në vijim të operacionit të koduar “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve M. G., 34 vjeç dhe D. D., 35 vjeç, banues në Pogradec.

Shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me ato të FRONTEX-it, kanë konstatuar në afërsi të fshatit Eçmenik, Devoll, shtetasit e mësipërm duke lëvizur me mjetin tip “Benz”. Shërbimet i kanë bërë me shenjë drejtuesit që të ndalonte, por ai nuk iu është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar dhe është larguar me shpejtësi, por pas ndjekjes është kapur dhe neutralizuar në afërsi të fshatit Zëmblak, Maliq. Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet u konstatuan 3 emigrantë të paligjshëm, të cilëve shtetasit M. G. dhe D. D., kundrejt shpërblimit, iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *