• |
ide | kryesore

Vrasja që tronditi Tiranën/ Çfarë dihet deri tani për ekzekutimin e Kudret Saliajt nga vjehrri

-Instant, Arkiva, Kryesore, Lajme



Kur kanë kaluar tre ditë nga vrasja shokuese e Kudret Saliajt nga vjehrri i tij, Mexhit Picari, detaje të rënda vazhdojnë të mbushin dosjet e prokurorisë dhe rrjedhin në media.

Nga ty dy krahët hidhen akuza të forta. Çifti kishte vite që kishte probleme, fëmijët qëndronin prej kohësh në shtëpinë e Kudret Saliajt, dhe jo më nënën e tyre, Dhuratën. Ngjarjet që do sinjalizonin një ndarje të mundshme, kanë ndodhur, sipas Mexhit Picarit, që 10 vite më parë.

Megjithatë, për tu kthyer tek e premtja, dita kur i moshuari Mexhit Picari vrau dhëndrin e tij, Kudretin, në një lokal pranë gjykatës së Tiranës, dëshmitar ishte dhe djali i Kudretit, që ka për gjysh autorin. 16-vjeçari është filmuar teksa është nxjerr nga policia nga lokali në gjendje të rënduar psikologjike pasi ka parë gjyshin e tij, Mexhitin teksa i zbrazte armën babait. Edhe Dhurata Saliaj po hetohet si bashkëpunëtore në vrasje.

(Kudret Saliaj) 

Por, edhe pse kjo ishte një skenë që i kapërcen kufijtë e të përfytyrueshmes, 16-vjeçari ka qenë dëshmitar i plot skenash të tjera mospapajtueshmërie midis prindërve dhe familjes së gjerë.

Jo vetëm ai, por edhe motra dhe vëllai i vogël, kanë dëshmuar në dosjen për divorcin e prindërve, me deklarata që rëndojnë nënën e tyre, Dhurata Saliaj.

Kudret Saliaj dhe Dhurata Saliaj kishin kohë që kishin filluar procesin e divorcit.

Dhurata duket se ishte vënë në qoshe nga i shoqi, familjarët e tij dhe fëmijët, si një grua me lidhje jashtëmartesore. Tabloja që pikturojnë njerëzit e Kudret Saliajt rëndon figurën e Dhuratës, sidomos kur kombinohet me dëshmi të fëmijëve të tyre të bëra publike në media, se ajo i thoshte të mos tregonin, i kërcënonte e i rrihte, pasi ata ishin në dijeni të lidhjes së saj.

Hetuesit kanë marrë dëshminë e tre fëmijëve të çiftit. Djali E. Saliaj tregoi se në telefonin e nënës së tij ai ka lexuar mesazhe që ajo shkëmbente me një person me të cilin dyshohej të kishte një raport intim.

I pyetur nga policia, djali i mitur i çiftit, E. Saliaj ka deklaruar se mamaja e tij nuk sillej mirë me të, e godiste dhe e kanoste me fjalët “do të vras, do të mbys me litar”. 

Si shkak të sjelljes së saj deklaron se ai ka parë mesazhe që ajo i kishte dërguar personave të ndryshëm me përmbajtje ”o zemra ime, të dua shumë, kur do takohemi?”, dhe për këtë shkak ajo sillet ashpër me të.

Për të ndjekur linjën, argumentat e dëshmitë nga familja e Kudret Saliajt, duhet përmendur edhe një vendim gjykatë që rëndon mbi Dhurata Saliajn dhe arrestimi për dhunë në familje. Ka qenë pikërisht vjehrra e Dhuratës, nëna e Kudretit, e cila e kallëzuar nusen për dhunë në familje.

Në dosjen e organit të akuzës thuhet se vjehrra e kallëzoi nusen e djalit për shkak të dhunës së ushtruar ndaj saj dhe fëmijëve. Sipas dëshmisë së vajzës F. Saliaj, Dhurata Saliaj bisedonte me persona të tjerë për të cilët kishte dijen i vëllai i saj, të cilin e ka goditur në fytyrë duke e kërcënuar se nëse do ti tregonte të atit do ta hidhte nga ballkoni.

(Dhurata Saliaj) 

“Në datën 2 tetor të vitit 2020 Saqine Saliaj ka kallëzuar në organin e policisë se nusja e djalit, e pandehura Dhurata Saliaj ka ushtruar dhe ushtron në mënyrë të vazhdueshme dhunë psikologjike ndaj saj dhe fëmijëve. Kallëzuesja ka deklaruar se e pandehura e ka marrë disa herë në telefon dhe e kanos me fjalë të ndryshme si: Do të vras ty dhe mbesën e gocën”, e fjalë të tjera kërcënuese.

Në dëshminë vajzës së Dhurata Saliajt thuhet: “E pyetur nga organi i policisë shtetasja F. Saliaj, vajza e mitur e të kallëzuarës, ka deklaruar se në datën 02.10.2020 rreth orë 12:00 ka qenë duke luajtur me vëllain e vogël në lagje. Ka ardhur babai i saj dhe pasi kanë hyrë në shtëpi ka dëgjuar se ai, babai, po i tregonte gjyshes se mamaja e saj kishte folur me persona të ndryshëm. Ajo është e shqetësuar dhe ka humbur ndjenjat.

Në darkë kur po qëndronte në shtëpi ka dëgjuar se mamaja e saj ka telefonuar gjyshen dhe e ka kanosur me fjalë se do ju vendos njerëz nga prapa për t’ju vrarë. Gjithashtu kjo shtetase deklaron se mamaja e saj ka rreth tre muaj që nuk sillet mirë me të vëllanë, e ka goditur në fytyrë, e ka pickuar, ndërsa vëllanë e ka goditur në fytyrë dhe me bërryl në pjesën e sipërme të vetullës dhe më pas i ka thënë nëse i tregon babait do të hedh nga ballkoni”.

Tre ditë më parë, të premten, do të mbahej seanca gjyqësore ku do të vendosej për kujdestarinë e fëmijëve. Familjarët e Dhurata Saliajt, kanë folur publikisht për problemet me bashkëshortin e vajzës dhe për faktin se Kudret Saliaj i kishte marrë kujdestarinë e nipërve.

Mexhit Picari, në dëshminë e dhënë para hetuesve, ka thënë se viktima i kërcënonte prej kohësh, edhe pas ndarjes nga bashkëshortja. Sipas Picarit, kërcënimet e vazhdueshme të viktimës e kanë detyruar atë që të mbajë armë me vete.

Dje, 53-vjeçari ka thënë para hetuesve se ka shkuar te Gjykata për të shoqëruar të bijën në seancën gjyqësore, por viktima është afruar dhe ka ofenduar vajzën, duke bërë që ai ta qëllojë për vdekje me disa plumba.

Prokuroria po heton si bashkëpunëtore në vrasje edhe Dhurata Saliajn, pasi dyshohet se ka ruajtur me të atin lëvizjet e Kudret Saliajt para vrasjes. Dëshmitë që babë e bijë kanë dhënë raportohen si kontradiktore.

“Me Kudretin kishim konflikte të vazhdueshme prej muajsh. Pasi u nda nga vajza dhe ma solli në shtëpi pa e lejuar të shohë fëmijët, ai ka vijuar të na kërcënojë dhe ofendojë. Ka ardhur te shtëpia dhe te biznesi disa herë. Për shkak të kërcënimeve unë mbaja armën me vete. Sot kam shkuar të shoqëroja vajzën për në Gjykatë sepse kishte seancën. Aty u përballa me Kudretin. Ai ofendoi vajzën time dhe unë e qëllova. Pas krimit kam hedhur armën dhe jam larguar drejt Unazës së Re në shtëpinë e motrës”, ka thënë Picari para hetuesve. Ai është ndodhur bashkë me vajzën Dhurata Salia në të njëjtin lokal me viktimën dhe duket se ka vendosur për krimin në gjaknxehtësi e sipër. Në lokal nuk ka pasur sherr mes tyre, por ai i ka shkuar afër dhëndrrit dhe e ka qëlluar me pistoletë.

(Mexhit Picari) 

Pasi ka kryer vrasjen, autori është larguar me këmbë mes pallatesh dhe më pas është arrestuar tek shtëpia e vajzës së tij në Yzberisht. U raportua se në dëshminë e tij në polici, Mexhit Picari tha se e ka bërë vrasjen për dinjitetin e vajzës, duke thënë se e kanë akuzuar pa të drejtë për tradhti ndaj bashkëshortit dhe dhunë fizike e psikologjike ndaj 3 fëmijëve të saj.

Në lojën me akuza dhe kundër akuza që ishte zhvilluar edhe publikisht në media para vrasjes, Mexhit Picari ka rrëfyar se ai që kishte tradhëtuar të bijën qe dhëndrri i tij, të cilin ai e kishte parë të bënte sherre edhe për femra të tjera.

“Unë e kam kapur vetë para 10 viteve. Kam qenë së bashku me babanë e tij. Kur kam shkuar unë, e kam gjetur të çarë këtu te nofulla, edhe kanë qenë 4 çuna duke u zënë për punë femrash. Kur e kam parë me gjak kështu, ju kam thënë policia, unë kam qenë punonjës policie. Ju kam thënë mos se policia këtu. Ata direkt e kanë lënë, edhe më tha më shpëtove, hallall ta bëftë Zoti. Po ç’na bërë kështu more dhëndër. Po ti je i martuar, a ke turp i thashë. A ke turp që zihesh për punë femrash. Ti je i martuar, ke fëmijë. Tha bëra gabim, po më fal. Edhe unë i thashë gocës, erdhi dhe i thashë për mua lere se ky nuk i heq huqet”, është shprehur më parë babai i Dhurata Saliajt në media.

Ndërsa pritet që drejtësia të hetojë e të zhbëjë këtë mish-mash akuzash e faktesh, një baba i tre fëmijëve është varrosur, gjyshi është autor i vrasjes dhe nëna bashkëpunëtore. Ky është bilanci i kësaj ngjarje tragjike dhe panorama e tmerrshme që rrethon tre fëmijë të mitur të çiftit. ©Lapsi.al 



3 Comments

  1. panorame tipike e gjendjes socilae te nje vend ne krize vlerash

    vend ku kryeministri publikisht ffalenderon hajdutet, paronashistet dhe banditet per fitoren e zgjedhjeve pa zgjedhje ne shqiperi

    qelbet peshku nga koka , jo nga drama e nje familjeje produkt i bastardizimit te shoqerise nga ripjellja dhe kultura e droges, trafikut dhunes kurverimit

    1. Me fjalinë e parë të komentit, i ke thënë të gjitha pa qenë nevoja për të shtuar të tjera.
      Është hedhur alarmi nga mediat se në Shqipëri këto vitet e fundit është rritur shumë numuri i divorceve .
      Rama është i vetmi kryeministër në historinë e Shqipërisë, që ka rekorde divorcesh

  2. Krize nga trute ka ky vend.Keto gjera , tradhti ne familje ndodhin ne gjithe boten.A jemi duke shkuar drejt evropes?Prej andej po mesojme.Pse duhet me kap pushket?Per cfare eshte gjykata? Te ndahen njerezit dhe ti zgjidhin punet me gjyq.Tash ai toqi kalbet ne burg kurse vajza fillon duke ngrene sallam perseri.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *