• |
ide | kryesore

Video/ Cikalleshi super, Reja rrëzohet, Bare shtyllë: Shqipëria humbet 3-1 në Pragë

-Instant, F1, Sport, Video



Një humbje në takimin e parë historik me Republikën Ceke. Në Pragë, Shqipëria është thyer 3-1 në miqësoren me skuadrën ceke që kalon me sukses testin e fundit përpara se të marrë pjesë në Euro 2020. Schick hapi serinë e golave, Cikalleshi shënoi atë më të bukurin e mbrëmjes, ndërsa në të dytën Masopust e Celutskas i dhanë fitoren skuadrës së Silhavy.

Duhet të përmirësonim mekanizmin ofensiv e ndoshta e bëmë, por ajo që ishte pika më e fortë e barazimit në Uells katër ditë më parë, mbrojtja, bëri një nga performancat më të dobëta, me shumë gabime e paqartësi taktike. Përballë Republikës Çeke u duk që në fillim një detyrë e vështirë për kuqezinjtë e Edy Rejas, që në 20 minutat e para u bë shënjestër e sulmeve vendase dhe vetëm Selmani mbajti në lojë të tijtë, me dy ndërhyrje vendimtare. Por portieri nuk mund të bënte asgjë në minutën e 18 kundër Patrick Schick, që në qendër të zonës goditi saktë, duke kaluar të besuarit e Silhavy në avantazh.

Por ndeshjen e bëjnë edhe episodet e në një pjesë të parë të dominuar krejtësisht nga Republika Ceke një super gol i Sokol Cikalleshit ktheu në ekuilibër rezultatin, duke nxjerrë nga situata e vështirë kombëtaren e Rejas e duke i dhënë besim kuqezinjve. Sulmuesi ktheu në gol një aksion të zakonshëm, duke provuar të djathtën e tij nga distanca që përfundoi në kryqëzimin e shtyllave, aty ku Vaclik arriti vetëm me shikim.

Në pjesën e dytë, pati shumë më tepër ekuilibër, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Rejan, që përfundoi sërish i rrëzuar, ashtu si në miqësoren e katër ditëve më parë në Uells. Celutskas, që e kishte mendjen tek topi, shtyu teknikun italian që u rrëzua, por e mori me sportivitet. Në anën tjetër, zëvendësimet e Silhavy dhanë rezultat, edhe pse golin e avantazhit e shënoi Masopust, një nga ata që ishin në fushë, në minutën e 68, me një diagonale që nuk i la asnjë mundësi Selmanit. Mesfushori shfrytëzoi asistin e Daridës për të kaluar cekët edhe njëherë në avantazh.

Në fund pati kohë edhe për golin e tretë të Celutskas, por jo më parë se Cikalleshi të lëshonte edhe një tjetër goditje të fuqishme, që këtë herë gjeti të gatshëm portierin e Sevillas Vaclik. Veprimi i Bares në këtë aksion i gjithi për tu admiruar, ashtu si gjithë performanca e mesfushorit, që u ndal nga shtylla në fund (devijim i Vaclik) për atë që do të kishte qenë goli i 3-2. Tani cekët e kanë përqëndruar të gjithë vëmendjen te Kampionati Europian, ku bëjnë pjesë në Grupin D së bashku me Anglinë, Kroacinë dhe Skocinë, ndërsa Reja deri në shtator ka shumë gjëra për të rregulluar.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *