• |
ide | kryesore

“Zëri i Amerikës”: PD voton nën hijen e humbjes dhe kritikave ndaj Bashës

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit

Në Shqipëri sot demokratët po votojnë për të zgjedhur drejtuesin e tyre të ardhshëm. Përballë kryetarit aktual, Lulzim Basha, i cili po kërkon një mandat të tretë radhazi, janë tre kandidatë të tjerë, Fatbardh Kadilli, Edit Harxhi dhe Agron Shehaj, të cilët bëjnë përgjegjës zotin Basha për rezultatin e zgjedhjeve politike të 25 Prillit, që e lënë sërish Partinë Demokratike në opozitë dhe për katër vitet e ardhshme


Demokratët do të zgjedhin sot kryetarin e tyre të ardhshëm nën hijen e një rezultati tjetër zhgënjyes në zgjedhjet e fundit parlamentar, të cilat rikonfirmuan në pushtet socialistët për të tretin mandat.


Kryetari në fuqi, Lulzim Basha nuk e ka pranuar humbjen duke folur për një masakër elektorale, e duke premtuar vazhdimin e betejës, ndaj atij që e quan rregjim i kryeministrit Edi Rama.

Zgjedhjet e sotme brenda partisë Demokratike u shoqëruan me kritika ndaj procesit, nga kandidatët e tjerë të cilët që në fillim folën për një garë të pabarabartë, për shkak të kohës së shkurtër, mos pasjes së listave të anëtarëve të partisë apo dhe faktit që zoti Basha mori pjesë në garë duke shfrytëzuar mbështetjen e të gjithë administratës dhe strukturave të Partisë.

Megjithatë zoti Basha e konsideroi sot këtë garë si një proces unik të vlerave të demokratëve: “Këto janë vlerat tona, janë vlerat e demokracisë, e shprehjes së lirë dhe vlerat e debatit. Me këto vlera e kemi nisur betejën për ndryshimin, për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Me këto vlera do ta çojmë deri në fund, deri në përmbysjen e rregjimit Rama-Doshi”.

Por tre sfidantët e tjerë kanë një këndvështrim të ndryshëm. Për zotin Fatbardh Kadilli “shqetësimi im i vërtetë sot, është fryma me të cilën do të dalin anëtarët e PD nga ky proces. PD dhe anëtarësia e saj në një kohë shumë të shkurtër kishin detyrimin për një reflektim shumë të madh. Eshtë hera e parë që një forcë politike shtrëngohet që në pak kohë të reflektojë shumë”.

Ndërsa kandidati tjetër Agron Sheja u shpreh se “këto zgjedhje rrisin vlerat e PD, por nëse standarti është i ulët, ky proces mund të kthehet në një boomerang për PD. Eshtë e rëndësishme se kush do të fitojë nga kandidatët, por është akoma më e rëndësishme besueshmëria e PD”

Nga ana e saj zonja Edit Harxhi tha se “është një ditë shumë e rëndësishme për ne. Uroj shumë të ketë një pjesmarrje masive, sepse në sot votojmë për ndryshimin, për një reformim të plotë e të thellë të PD, ringritjen e saj mbi vlerat e vitit 1990.”

Rivalët e zotit Basha kanë denoncuar gjatë ditës parregullsi në proces. Fillimisht ishte zoti Shehaj i cili bëri të ditur se në disa zona vëzhguesit e tij nuk ishin pranuar. Më vonë gjatë ditës dhe zonja Harxhi ngriti shqetësime për tkurrje të listës së anëtarëve të Partisë, për raste votimi familjar, apo fotografimi të votës, duke pretenduar parregullsi të shumta.

Kryetari Komisionit të zgjedhjeve në PD, Jemin Gjana në të kundërt ka folur për një proces normal, apo probleme të cilat kanë gjetur sipas tij zgjidhje.

VOA

1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu