• |
ide | kryesore

Investigimi/ Si miliarderët amerikanë shmangin taksën mbi të ardhurat

-Instant, Arkiva, Planet

Në vitin 2007, Jeff Bezos, në atë kohë një miliarder dhe tani njeriu më i pasur në botë, nuk pagoi asnjë qindarkë në taksat federale mbi të ardhurat e tij. Ai e arriti këtë gjë përsëri në vitin 2011. Në 2018, themeluesi i Tesla, Elon Musk, personi i dytë më i pasur në botë, gjithashtu nuk pagoi taksa federale mbi të ardhurat e tij.


Michael Bloomberg arriti të bënte të njëjtën gjë në vitet e fundit. Investitori miliarder Carl Icahn e bëri këtë gjë dy herë. George Soros nuk pagoi asnjë taksë federale mbi të ardhurat e tij për tre vjet me radhë.


ProPublica ka siguruar një numër të madh të dhënash nga Shërbimi i Brendshëm i të Ardhurave, IRS, për kthimet e taksave të mijëra njerëzve më të pasur të vendit, duke mbuluar më shumë se 15 vjet. Të dhënat ofrojnë një këndvështrim të pashembullt brenda jetës financiare të manjatëve të Amerikës, përfshirë Warren Buffett, Bill Gates, Rupert Murdoch dhe Mark Zuckerberg. Kjo tregon jo vetëm të ardhurat dhe taksat e tyre, por edhe investimet e tyre, tregtinë e aksioneve, fitimet nga lojërat e fatit dhe madje edhe rezultatet e auditeve.

Të marra së bashku, këto të dhëna shkatërrojnë mitin e sistemit amerikan të taksave: që të gjithë paguajnë pjesën që u takon dhe amerikanët më të pasur paguajnë më shumë. Të dhënat e IRS tregojnë se më të pasurit mundet të paguajnë taksa mbi të ardhurat që janë një pjesë shumë e vogël nga qindra milionat, në mos edhe miliardat, me të cilat rritet çdo vit pasuria e tyre.

Shumë amerikanë jetojnë të varur nga rroga e tyre, duke grumbulluar pak pasuri dhe duke i paguar qeverisë federale një përqindje të të ardhurave të tyre që rritet nëse ata fitojnë më shumë. Gjatë viteve të fundit, një familje mesatare amerikane fitoi rreth 70,000 dollarë në vit dhe pagoi 14% në taksa federale. Shkalla më e lartë e tatimit mbi të ardhurat, 37%, u fut këtë vit për çiftet me të ardhura mbi 628,300 dollarë.

Të dhënat konfidenciale të taksave të siguruara nga ProPublica tregojnë se njerëzit jashtëzakonisht të pasur e anashkalojnë në mënyrë efikase këtë sistem.

Miliarderët e Amerikës përfitojnë nga strategjitë e shmangies së taksave përtej mundësive të njerëzve të zakonshëm. Pasuria e tyre buron nga vlera në rritje e aseteve të tyre, si aksione dhe prona. Këto fitime nuk përkufizohen si të ardhura të tatueshme nga SHBA-ja, përveç rasteve kur miliarderët i shesin këto.

Për të kuptuar realitetin financiar të amerikanëve më të pasur, ProPublica realizoi një analizë që nuk është bërë kurrë më parë. Ne krahasuam sa taksa paguan 25 amerikanët më të pasur çdo vit krahasuar me sa Forbes vlerësoi se u rrit pasuria e tyre në të njëjtën periudhë kohore.

Ne do ta quajmë këtë normën e tyre të vërtetë të taksave.

Rezultatet janë të zymta. Sipas Forbes, këta 25 persona panë që vlera e tyre u rrit me një vlerë kolektive prej 401 miliardë dollarësh nga 2014 në 2018. Ata paguan një total prej 13.6 miliardë dollarësh në taksa federale mbi të ardhurat në ato pesë vite, sipas të dhënave të IRS. Kjo është një shumë marramendëse, por normal reale e taksave të paguara arrin në vetëm 3.4%.

Kjo është diçka krejtësisht ndryshe për amerikanët e shtresës së mesme, për shembull, në fillim të të 40-ave të cilët kanë grumbulluar një sasi tipike pasurie për moshën që kanë. Nga viti 2014 deri në 2018, familje të tilla panë që vlera e tyre neto u zgjerua me rreth mesatarisht 65,000 dollarë pas taksave, kryesisht për shkak të rritjes së vlerës së shtëpive të tyre. Por për shkak se pjesa më e madhe e fitimeve të tyre ishin paga, faturat e tyre tatimore ishin pothuajse po aq, gati 62,000 dollarë, gjatë asaj periudhe pesë-vjeçare.

Asnjë nga 25 njerëzit më të pasur nuk shmangu aq shumë taksa sa multimiliarderi Buffett. Kjo është ndoshta e habitshme, duke pasur parasysh qëndrimin e tij publik si mbrojtës i taksave më të larta për të pasurit. Sipas Forbes, pasuritë e tij u rritën 24.3 miliardë dollarë midis vitit 2014 dhe 2018. Gjatë atyre viteve, sipas të dhënave, Buffett raportoi se kishte paguar 23.7 milionë dollarë taksa.

Kjo na rezulton të jetë një normë e vërtetë tatimore prej 0,1%, ose më pak se 10 cent për çdo 100 dollarë që ai shtoi në pasurinë e tij.

Në muajt në vijim, ProPublica do të përdorë të dhënat IRS që kemi siguruar për të eksploruar në detaje se si njerëzit jashtëzakonisht të pasur shmangin taksat, shfrytëzojnë hendeqet dhe i shpëtojnë kontrollit nga auditorët federalë.

Ekspertët e kanë kuptuar prej kohësh se sa pak taksohen të pasurit në Shtetet e Bashkuara dhe shumë njerëz të tjerë kanë dyshuar prej kohësh të njëjtën gjë.

Por shumë pak specifika për individët dalin ndonjëherë në publik. Informacionet mbi taksat janë një nga sekretet të ruajtura me më shumë zell në qeverinë federale. ProPublica ka vendosur të zbulojë informacione individuale mbi taksat e disa prej amerikanëve më të pasur sepse vetëm duke parë specifikat publiku mund të kuptojë realitetet e sistemit të taksave të vendit.

Merrni si shembull vitin 2007 për Bezos, një nga vitet që ai pagoi zero taksa federale mbi të ardhurat. Aksionet e Amazon më shumë se u dyfishuan. Pasuria e Bezos kapërceu 3.8 miliardë dollarë, sipas Forbes, vlerësimet e pasurisë së të cilës citohen gjerësisht. Si përfundoi që një person me një pasuri të tillë të mos paguante asnjë taksë mbi të ardhurat?

Në atë vit, Bezos, i cili paraqiti taksat e tij së bashku me gruan e tij të atëhershme, MacKenzie Scott, raportoi një fitim të vogël (për të) prej 46 milionë dollarësh, kryesisht nga pagesa e interesit dhe dividendit për investimet e jashtme. Ai qe në gjendje të kompensonte çdo qindarkë të fituar me humbje nga investimet anësore dhe zbritje të ndryshme, si shpenzimet e interesit për borxhet dhe kategorinë e paqartë të “shpenzimeve të tjera”.

Në vitin 2011, një vit në të cilin pasuria e tij mbeti thuajse e qëndrueshme në 18 miliardë dollarë, Bezos dorëzoi një deklaratë tatimore duke raportuar se ai humbi para – të ardhurat e tij atë vit u kompensuan me humbjet nga investimet. Madje, sipas ligjit të taksave, ai fitoi aq pak, saqë deklaroi edhe një kredi tatimore prej 4,000 dollarësh për fëmijët e tij.

Shmangia e taksave nga ana e tij është edhe më e habitshme nëse analizoni nga viti 2006 deri në vitin 2018, periudhë për të cilën ProPublica ka të dhëna të plota. Pasuria e Bezos u rrit me 127 miliardë dollarë, sipas Forbes, por ai raportoi një total prej 6.5 miliardë dollarësh në të ardhura. 1.4 miliardë dollarët që ai pagoi për taksa federale personale është një shifër shumë e madhe – megjithatë kjo shumë arrin në një normë të vërtetë taksash prej 1,1% krahasuar me sasinë me të cilën u rrit pasuria e tij.

Zbulimet e siguruara nga të dhënat e IRS vijnë në një çast tepër të rëndësishëm. Pabarazia e pasurisë është bërë një nga çështjet përcaktuese të epokës sonë. Presidenti dhe Kongresi po konsiderojnë rritjen më ambicioze të taksave në dekada për ata me të ardhura të larta. Por debati amerikan është mbizotëruar nga ai mbi ndryshimet në rritje, të tilla si nëse norma e lartë e taksave duhet të jetë 39.6% në vend të 37%.

Të dhënat e ProPublica tregojnë se ndërsa disa amerikanë të pasur, të tillë si menaxherët e fondeve mbrojtëse, do të paguanin më shumë taksa sipas propozimeve aktuale të administratës Biden, shumica dërrmuese e 25 më të pasurve do të shihnin shumë pak ndryshim.

ProPublica i siguroi të dhënat e taksave pasi botuam një sërë artikujsh që shqyrtonin me kujdes IRS-në. Artikujt zbuluan se si vite shkurtimesh buxheti kanë penguar aftësinë e agjencisë për të zbatuar ligjin dhe se si korporatat më të mëdha dhe të pasurit kanë përfituar nga dobësia e IRS. Ata gjithashtu treguan se si njerëzit në rajone të varfra tani kanë më shumë gjasa të auditohen sesa ata në zona të pasura.

ProPublica nuk po zbulon se si i siguroi të dhënat, të cilat na u dhanë në formë të papërpunuar, pa kushte ose përfundime. Gazetarët e ProPublica kaluan muaj të tërë duke përpunuar dhe analizuar materialin për ta shndërruar atë në një bazë të dhënash të përdorshme.

Më pas verifikuam informacionet duke i krahasuar elementet e tij me dhjetëra detaje taksash tashmë publike (në dokumente gjykate, deklarata financiare politikanësh dhe lajme) si dhe duke i verifikuar me individë, informacionet tatimore të të cilëve janë në këto të dhëna. Çdo personi, informacionet tatimore të të cilit përshkruhen në këtë analizë, iu kërkua të jepte një koment. Ata që u përgjigjën, përfshirë BuffettBloomberg dhe Icahn, të gjithë thanë se kishin paguar taksat që kishin detyrë të paguanin.

Një zëdhënës i Soros tha në një deklaratë: “Midis vitit 2016 dhe 2018, George Soros humbi para në investimet e tij, prandaj ai nuk u desh të paguante taksa federale ato vite. Zoti Soros ka mbështetur prej kohësh taksat më të larta për amerikanët e pasur.” Përfaqësuesit personalë dhe të korporatave të Bezos nuk pranuan pyetje të hollësishme në lidhje me këtë çështje. ProPublica u përpoq të arrijë Scott përmes avokatit të saj të divorcit, një përfaqësuesi personal dhe anëtarëve të familjes, por ajo nuk u përgjigj. Musk iu përgjigj një pyetjeje fillestare me thjesht një pikëpyetje: “?”.Pasi i dërguam pyetje më të hollësishme, ai nuk u përgjigj.

Një nga miliarderët e përmendur në këtë artikull kundërshtoi, duke argumentuar se publikimi i informacioneve mbi taksat personale është shkelje e privatësisë. Ne kemi arritur në përfundimin se interesi publik për ta ditur këtë informacion në këtë çast të rëndësishëm është më i madh sesa shqetësimi i ligjshëm.

Pasojat e lejimit të njerëzve të pasur që të luajnë me sistemin e taksave kanë qenë të mëdha. Buxhetet federale, përveç shpenzimeve ushtarake, kanë qenë të kufizuara për dekada. Rrugë dhe ura janë shkatërruar, shërbimet sociale kanë mbetur pa para dhe aftësia paguese e Sigurimeve Shoqërore dhe atyre mjekësore është në pikëpyetje.

Ekziston një problem edhe më i madh sesa cilat programe financohen ose jo: Taksat janë një lloj sakrifice kolektive. Askujt nuk i pëlqen t’ia japë qeverisë paratë e fituara me vështirësi. Por sistemi funksionon vetëm për sa kohë që ai perceptohet se është i drejtë.

Analiza jonë e të dhënave tatimore për 25 amerikanët më të pasur përcakton se sa i padrejtë është bërë sistemi.

Deri në fund të vitit 2018, këta të 25 kishin një vlerë totale prej 1.1 trilionë dollarë.

Duke pasur parasysh këtë shumë, do të duheshin 14.3 milionë amerikanë të zakonshëm për ta barazuar këtë sasi pasurie.

Fatura e taksave federale të paguara nga 25 më të pasurit në vitin 2018 ishte 1.9 miliardë dollarë.

Fatura për rrogëtarët e thjeshtë ishte 143 miliardë dollarë.

Ideja e një takse të rregullt mbi të ardhurat, aq më pak një takse trashëgimie, nuk shfaqet në dokumentet themeluese të vendit. Në fakt, neni 1 i Kushtetutës së SHBA-së në mënyrë të qartë ndalon taksat “e drejtpërdrejta” për qytetarët në rrethanat nga më të ndryshmet. Kjo do të thoshte që për dekada, qeveria e SHBA-së kryesisht e financoi veten përmes taksave “indirekte”: tarifat dhe taksat për mallrat e konsumit si duhani dhe alkooli.

Me kostot e Luftës Civile që po afronte, Kongresi vendosi një taksë kombëtare mbi të ardhurat në 1861. Të pasurit ndihmuan në shfuqizimit e kësaj takse menjëherë pas përfundimit të luftës. (Pakënaqësia ndaj saj mund të përkeqësohej vetëm nga fakti që ligji kërkonte zbulim publik. Të ardhurat vjetore të manjatëve të asaj kohe – 1.3 milionë dollarë për William Astor; 576,000 dollarë për Cornelius Vanderbilt – u renditën në faqet e The New York Times në 1865.)

Nga fundi i shekullit të 19-të dhe fillimi i shekullit të 20-të, pabarazia në pasuri ishte akute dhe klima politike po ndryshonte. Qeveria federale filloi të zgjerohej, duke krijuar agjenci për të mbrojtur ushqimin, punëtorët dhe më shumë. Kishte nevojë për fonde, por rëndonin më shumë mbi amerikanët e thjeshtë sesa mbi të pasurit. Gjykata e Lartë kishte hedhur poshtë një ligj të vitit 1894 që do të kishte krijuar një taksë mbi të ardhurat. Kështu që Kongresi veproi për të ndryshuar Kushtetutën. Amendamenti i 16-të u ratifikua në vitin 1913 dhe i dha qeverisë pushtetin”për të vendosur dhe mbledhur taksa mbi të ardhurat, nga çfarëdolloj burimi që ato vinin”.

Në vitet e para, taksa personale mbi të ardhurat funksionoi ashtu siç synonte Kongresi, duke rënë plotësisht mbi më të pasurit. Në vitin 1918, vetëm 15% e familjeve amerikane kishin borxh ndonjë taksë.

Por një pyetje mbetej ende: Çfarë do të llogaritej si e ardhur dhe çfarë jo? Në vitin 1916, një grua me emrin Myrtle Macomber mori një divident për aksionet e saj në “Standard Oil of California”. Falë ligjit të ri, ajo duhet të paguante taksa. Megjithatë, dividenti nuk kishte ardhur në para të thata. Ai erdhi në formën e një aksioni shtesë për çdo dy aksione që ajo kishte tashmë. Ajo pagoi taksat dhe më pas ngriti një çështje gjyqësore. Po, ajo ishte bërë pak më e pasur, por nuk kishte marrë para. Prandaj, argumentoi ajo, ajo nuk kishte marrë asnjë “të ardhur”.

Katër vjet më vonë, Gjykata e Lartë ra dakord. Në çështjen Eisner kundër Macomber, gjykata e lartë vendosi që të ardhurat rrjedhin vetëm nga të ardhurat. Një person duhej të shiste aksion, bono ose ndërtesë dhe të merrte para në mënyrë që të mund të taksohej.

Që atëherë, koncepti që të ardhurat vijnë vetëm nga të ardhurat – kur fitimet “realizohen” – ka qenë themeli i sistemit të taksave në SHBA. Pagat tatohen. Dividentët në para të thata taksohen. Fitimet nga shitja e pasurive taksohen. Por nëse një taksapagues nuk ka shitur asgjë, nuk ka të ardhura dhe për këtë arsye nuk ka taksë.

Kritikët bashkëkohorë të Macomber ishin të shumtë dhe të zgjuar. Cordell Hull, kongresmeni i njohur si “babai” i taksës mbi të ardhurat, e sulmoi vendimin, sipas studiueses Marjorie Kornhauser. Hull parashikoi që shmangia e taksave do të bëhej e zakonshme. Hull paralajmëroi se vendimi hapte një hendek, i cili do t’i lejonte industrialistët të ndërtonin një kompani dhe të merrnin hua për të paguar shpenzimet e jetesës. Kushdo mund të “jetojë me vlerën” e aksioneve të kompanisë së tij “pa e shitur atë, dhe natyrisht, pa paguar kurrë” taksa, tha ai.

Parashikimi i Hull do të arrinte kulmin vetëm dekada më vonë, nxitur nga një seri ndryshimesh ekonomike, ligjore dhe kulturore që filluan me vrull në vitet 1970. Zbatuesit e antitrustit pranuan gjithnjë e më shumë shkrirjet dhe ndaluan përpjekjet për të shpërbërë korporatat e mëdha. Nga ana e tyre, kompanitë u fiksuan me vlerën e aksioneve të tyre duke përjashtuar pothuajse gjithçka tjetër. Kjo ndihmoi që në 40 vitet e fundit të lindnin një sërë korporatash monolite – duke filluar me Microsoft dhe Oracle në vitet 1980 dhe 1990 dhe duke vazhduar me Amazon, Google, Facebook dhe Apple sot – që shpesh kanë pronësi të përqendruar, marzhe të larta fitimi dhe aksione të shtrenjta. Ekonomia “fituesi i merr të gjitha” ka krijuar pasuri moderne që në një farë mase eklipsojnë ato të John D. Rockefeller, J.P. Morgan dhe Andrew Carnegie.

Pikërisht këtu dhe tani, super të pasurit përdorin një sërë teknikash që nuk janë në dispozicion të atyre me mjete më të vogla për të kapërcyer sistemin e taksave.

Sigurisht që mes tyre ka persona që i shmangin në mënyrë të paligjshme taksat, por rezulton se miliarderët nuk është e nevojshme t’i shmangin taksat në mënyrë ekzotike dhe të paligjshme – ata mund t’i shmangin ato në mënyrë rutinë dhe ligjërisht.

Shumica e amerikanëve duhet të punojnë për të jetuar. Kur e bëjnë këtë, ata paguhen – dhe për pasojë edhe taksohen. Qeveria federale konsideron se pothuajse çdo dollar që një punëtor fiton konsiderohet si “e ardhur”, dhe punëdhënësit i taksojnë ata direkt nga pagat e tyre.

Bezosët e botës nuk kanë nevojë të paguhen me paga. Pagat e Amazon të Bezos janë vendosur prej kohësh në nivelin e klasës së mesme prej rreth 80,000 dollarësh në vit.

Për vite me radhë, ka pasur një lloj konkursi midis themeluesve ose drejtorëve ekzekutiv elitarë për të shkuar edhe më poshtë. Steve Jobs merrte vetëm 1 dollar rrogë kur u kthye në Apple në vitet 1990. Zuckerberg i Facebook, Larry Ellison i Oracle dhe Larry Page i Google kanë bërë të njëjtën gjë.

Megjithatë, ky nuk është një gjest dhe aq vetë-sakrifikues sa duhet. Pagat taksohen me një normë të lartë. Njëzetë e pesë amerikanët më të pasur raportuan 158 milionë dollarë paga në 2018, sipas të dhënave të IRS. Kjo është vetëm 1.1% e asaj që ata renditën në formularët e tyre të taksave si të ardhurat e tyre totale të raportuara. Pjesa tjetër kryesisht vinte nga dividentët dhe shitja e aksioneve, obligacioneve ose investime të tjera, të cilat taksohen me norma më të ulëta se pagat.

Siç e parashikoi kongremeni Hull shumë kohë më parë, miliarderët zakonisht do të kapen fort pas aksioneve në kompanitë që ata kanë themeluar. Shumë titanë të shekullit të 21-të kanë shuma të mëdha parash që njihen si fitime të pazbatuara, madhësia totale e të cilave luhatet çdo ditë ndërsa çmimet e aksioneve rriten dhe bien. Nga pasuria prej 4.25 trilionë dollarësh të mbajtur nga miliarderë amerikanë, rreth 2.7 trilionë dollarë janë të pazbatuara, sipas Emmanuel Saez dhe Gabriel Zucman, ekonomistë në Universitetin e Kalifornisë, Berkeley.

Buffett ka mbajtur aksionet e tij në kompaninë që ai themeloi, Berkshire Hathaway, konglomeratin që zotëron Geico, Duracell dhe aksione të konsiderueshme në American Express dhe Coca-Cola. Kjo i ka lejuar Buffett të shmangë transformimin e pasurisë së tij në të ardhura. Nga 2015 deri në 2018, ai raportoi të ardhura vjetore që varionin nga 11.6 milionë dollarë në 25 milionë dollarë. Kjo mund të duket shumë, por Buffett renditet përafërsisht si personi i gjashtë më i pasur në botë – ai ka një vlerë prej 110 miliardë dollarësh nga vlerësimi i Forbes në maj 2021. Të paktën 14,000 taksapagues amerikanë në 2015 raportuan të ardhura më të larta se ai, sipas të dhënave të IRS.

Ekziston edhe një strategji e dytë tek e cila mbështetet Buffett për të minimizuar të ardhurat, dhe për pasojë, taksat. Berkshire nuk paguan një divident, shumën (një pjesë e fitimeve, në teori) që shumë kompani i paguajnë çdo tremujor atyre që zotërojnë aksionet e tyre. Buffett gjithmonë ka argumentuar se është më mirë që ato para të përdoren për të gjetur investime për Berkshire që do të rrisin më tej vlerën e aksioneve të mbajtura nga ai dhe investitorët e tjerë. Nëse Berkshire do të kishte ofruar diku afër dividendit mesatar në vitet e fundit, Buffett do të kishte marrë mbi 1 miliard dollarë të ardhura nga dividendi dhe do të duhet të kishte paguar miliona dollarë taksa çdo vit.

Shumë kompani në Silicon Valley dhe infotech kanë imituar modelin e Buffett, duke shmangur dividentët e aksioneve, të paktën për një kohë. Në vitet 1980 dhe 1990, kompani si Microsoft dhe Oracle u ofruan aksionerëve rritje dhe fitime të shpejta, por nuk paguan dividentë. Google, Facebook, Amazon dhe Tesla nuk paguajnë dividentë.

Në një përgjigje të hollësishme me shkrim, Buffett mbrojti praktikat e tij, por nuk adresoi drejtpërdrejt llogaritjen taksave të bërë nga ProPublica. “Unë vazhdoj të besoj se kodi tatimor duhet të ndryshojë thelbësisht”, shkroi ai, duke shtuar se ai mendonte se “pasuria e madhe dinastike nuk është e dëshirueshme për shoqërinë tonë”.

Vendimi për të mos paguar dividentë nga Berkshire është mbështetur nga shumica dërrmuese e aksionerëve të tij. “Nuk më vjen ndërmend asnjë kompani e madhe publike me aksionerë kaq shumë të bashkuar në bindjet e tyre për të riinvestuar”, shkroi ai. Dhe ai vuri në dukje se Berkshire Hathaway paguan taksa të konsiderueshme korporate, duke zënë 1.5% të taksave totale të korporatave të SHBA-së në 2019 dhe 2020.

Buffett përsëriti se ai ka filluar ta dhurojë pasurinë e tij të madhe dhe së fundmi planifikon të dhurojë 99.5% të saj për bamirësi. “Unë besoj se paratë do të jenë më të dobishme për shoqërinë nëse disbursohen në mënyrë filantropike sesa nëse përdoren për të ulur paksa një borxh amerikan gjithnjë në rritje”, shkroi ai.

Atëherë, si i paguajnë miliarderët faturat e tyre shumë të mëdha kur zgjedhin paga prej 1 dollarësh dhe kur varen nga aksionet e tyre? Sipas dokumenteve publike dhe ekspertëve, përgjigja për disa është huazimi i parave – shumë, madje.

Për njerëzit e thjeshtë, marrja hua e parave shpesh është diçka që bëhet nga nevoja, të themi për një makinë ose një shtëpi. Por për ultra të pasurit, kjo mund të jetë një mënyrë për të pasur qasje në miliarda dollarë pa prodhuar të ardhura, dhe kështu, pa u taksuar mbi të ardhurat.

Matematika tatimore siguron një stimul të qartë për këtë. Nëse zotëroni një kompani dhe merrni një pagë të madhe, do të paguani 37% të saj në taksa mbi të ardhurat. Shisni aksione dhe do të paguani 20% të vlerës në taksa mbi fitimin nga kapitali – dhe do të humbni një pjesë të kontrollit mbi kompaninë tuaj. Por merrni një kredi dhe këto ditë do të paguani një normë interesi shumë të ulët dhe asnjë taksë. Duke qenë se huat duhen shlyer, IRS nuk i konsideron ato si të ardhura. Bankat zakonisht kërkojnë kolateral, por të pasurit kanë mjaftueshëm nga këto.

Shumica dërrmuese e kredive të njerëzve shumë të pasur nuk shfaqen në regjistrat e taksave të siguruara nga ProPublica pasi ato përgjithësisht i zbulohen IRS-së. Por herë pas here, kreditë pasqyrohen në regjistrat e tyre të sigurisë. Në vitin 2014, për shembull, Oracle zbuloi se drejtori i saj ekzekutiv, Ellison, kishte një kredi për të cilën kishte lënë si garanci rreth 10 miliardë dollarë të aksioneve të tij.

Vitin e kaluar Tesla njoftoi se Musk kishte premtuar rreth 92 milionë aksione, të cilat kishin vlerë prej rreth 57.7 miliardë dollarësh deri më 29 maj 2021, si kolateral për kredi personale.

Me përjashtim të një viti kur ai përdori më shumë se një miliard dollarë në aksione të ndryshme, faturat e taksave të Musk në asnjë mënyrë nuk pasqyrojnë pasurinë që ai ka në dispozicion. Në vitin 2015, ai pagoi 68,000 dollarë taksa federale mbi të ardhurat. Në vitin 2017, ishte pagoi 65,000 dollarë dhe në 2018 ai nuk pagoi asnjë taksë federale mbi të ardhurat. Midis 2014 dhe 2018, ai pati një normë taksash mbi të ardhurat prej 3.27%.

Të dhënat IRS ofrojnë një pamje të huave të tjera masive. Si në vitin 2016 ashtu edhe në vitin 2017, investitori Carl Icahn, i cili renditet si amerikani i 40-të më i pasur në listën e Forbes, nuk pagoi asnjë taksë federale mbi të ardhurat pavarësisht se raportoi gjithsej 544 milionë dollarë në të ardhura të rregulluara bruto (të cilat IRS i përcakton si fitime minus artikuj si pagesa interesi kredie studenti ose ushqimi). Icahn kishte një hua të papaguar prej 1.2 miliardë dollarësh me Bankën e Amerikës, midis kredive të tjera, sipas të dhënave të IRS. Ishte teknikisht një hipotekë sepse ishte e siguruar, të paktën pjesërisht, nga apartamentet penthouse në Manhatan dhe prona të tjera.

Huamarrja ofron përfitime të shumta për Icahn. Ai merr shuma të mëdha parash për të karikuar kthimet e tij të investimeve. Pastaj ai merr për të zbritur interesin nga taksat e tij. Në një intervistë, Icahn shpjegoi se ai i raporton fitimet dhe humbjet e perandorisë së tij të biznesit në taksat e tij personale.

Icahn pranoi se ai është një “huamarrës i madh. Unë marr hua shumë para.” I pyetur nëse ai merr hua edhe për të ulur faturën e tij të taksave, Icahn tha: “Jo, aspak. Unë marr hua që të fitoj. Më pëlqen konkurrenca. Më pëlqen të fitoj.”

Ai tha se të ardhurat bruto të rregulluara ishin një shifër mashtruese për të. Pasi mori qindra miliona dollarë zbritje për interesin e kredive të tij, ai regjistroi humbje për dy vjet. “Nuk fitova para, sepse, për fat të keq për mua, interesi im ishte më i lartë sesa të ardhurat e mia të rregulluara”.

I pyetur nëse ishte me vend që ai nuk kishte paguar asnjë taksë mbi të ardhurat në disa vite të caktuara, Icahn tha se habitej nga kjo pyetje. “Ka një arsye pse ajo quhet taksë mbi të ardhurat”, tha ai. “Arsyeja është se nëse je një person i varfër, një person i pasur, nëse je Apple – nëse nuk ke të ardhura, atëherë nuk paguan taksa.” Ai shtoi: “A mendoni se një person i pasur duhet të paguajë taksa pavarësisht gjithçkaje? Nuk mendoj se është e përshtatshme. Si mund të ma bësh këtë pyetje?”

Skeptikët mund ta vënë në dyshim analizën tonë mbi sasinë e vogël të taksave që paguajnë super të pasurit. Ata mund të argumentojnë se pronarët e kompanive goditen nga taksat e korporatave. Ata gjithashtu mund ta kundërshtojnë faktin që disa miliarderë nuk mund t’i shmangin dot të ardhurat dhe për pasojë taksat. Dhe pas vdekjes, urtësia e përgjithshme është se ka një mjet kufizues: taksa e trashëgimisë, që vendos një taksim të lartë për shuma më të mëdha se 11.7 milionë dollarë.

ProPublica zbuloi se asnjë nga këta faktorë nuk e ndryshon pamjen e përgjithshme.

Merrni si shembull taksat e korporatave. Kur kompanitë i paguajnë ato, thonë ekonomistët, këto kosto u kalojnë pronarëve të kompanive, punëtorëve apo edhe konsumatorëve. Modelet ndryshojnë, por ato përgjithësisht supozojnë se aksionerët e mëdhenj mbajnë pjesën më të madhe.

Taksat e korporatave, megjithatë, kanë rënë ndjeshëm në dekadat e fundit në atë që është bërë një epokë e artë e shmangies së taksave të korporatave. Duke dërguar jashtë vendit fitimet, kompani si Google, Facebook, Microsoft dhe Apple shpesh kanë paguar pak ose aspak taksa korporatash në SHBA.

Për disa nga njerëzit më të pasur të kombit, veçanërisht Bezos dhe Musk, shtimi i taksave të korporatave në ekuacion zor se do të ndryshonte ndonjë gjë. Kompani të tjera si Berkshire Hathaëay dhe Walmart paguajnë më shumë, që do të thotë se për njerëz si Buffett dhe Waltons, taksa e korporatës mund të shtojë ndjeshëm barrën e tyre.

Është gjithashtu e vërtetë që disa miliarderë nuk shmangin taksat duke shmangur të ardhurat. Në vitin 2018, nëntë nga 25 amerikanët më të pasur raportuan më shumë se 500 milionë dollarë të ardhura dhe tre më shumë se 1 miliardë dollarë.

Në raste të tilla, megjithatë, të dhënat e siguruara nga ProPublica tregojnë se miliarderët kanë një gamë opsionesh për shmangien e taksave për të kompensuar fitimet e tyre, duke përdorur kredi, zbritje (të cilat mund të përfshijnë dhurime bamirësie) ose humbje për të ulur apo edhe zeruar faturat e tyre të taksave. Disa prej tyre kanë ekipe sportive që ofrojnë zbritje taksash deri në atë pikë saqë ata përfundojnë duke paguar taksa më të ulëta sesa lojtarët e tyre milionerë. Të tjerë zotërojnë ndërtesa tregtare që rriten vazhdimisht në vlerë, por megjithatë mund të përdoren për të raportuar humbje që kompensojnë të ardhurat.

Michael Bloomberg, amerikani i 13-të më i pasur në listën e Forbes, shpesh raporton të ardhura të larta sepse fitimet e kompanisë private që ai ka në pronësi i shkojnë kryesisht atij.

Në vitin 2018, ai raportoi të ardhura prej 1.9 miliardë dollarësh. Kur erdhi puna te taksat e tij, Bloomberg arriti ta ulte faturën e tij duke përdorur zbritjet e bëra të mundura nga uljet e taksave të miratuara gjatë administratës Trump, donacione bamirësie prej 968.3 milionë dollarësh dhe kredi për të paguar taksat e huaja. Rezultati përfundimtar ishte se ai pagoi 70.7 milionë dollarë në taksa mbi të ardhurat për ato rreth 2 miliard dollarë të ardhura. Kjo ishte një normë taksash prej vetëm 3.7%. Midis vitit 2014 dhe 2018, Bloomberg kishte një normë të vërtetë taksash prej 1.30%.

Në një deklaratë, një zëdhënës i Bloomberg vuri në dukje se si një kandidat, Bloomberg kishte mbështetur një shumëllojshmëri rritje taksash mbi të pasurit. “Mike Bloomberg paguan normën maksimale të taksave për të gjitha të ardhurat e tatueshme federale, shtetërore, lokale dhe ndërkombëtare siç përcaktohet nga ligji”, shkroi zëdhënësi. Dhe ai dhurimet për bamirësi të Bloomberg, duke ofruar llogaritjen se “të marra së bashku, ajo që Mike dhuron për bamirësi dhe paguan në taksa arrin në afërsisht 75% të të ardhurave të tij vjetore”.

Deklarata gjithashtu vuri në dukje: “Publikimi i deklaratave tatimore të një qytetari duhet të ngrejë shqetësime reale për shkelje të privatësisë, pavarësisht nga përkatësia politike ose pikëpamjet mbi politikën e taksave. Në Shtetet e Bashkuara asnjë qytetar privat nuk duhet të ketë frikë nga publikimi i paligjshëm i sasisë së taksave që ai paguan. Ne synojmë të përdorim të gjitha mjetet ligjore në dispozicionin tonë për të përcaktuar se cili individ apo entitet qeveritar i nxori këto të dhëna dhe për t’u siguruar që ata të mbajnë përgjegjësi.”

Pas dekadash të tëra akumulim pasurie, taksa e trashëgimisë supozohet të shërbejë si një prapavijë, duke u ofruar autoriteteve një mundësi që më në fund të mund të marrin një pjesë të pasurive gjigante para se ato të kalojnë te një brez i ri. Por në realitet, përgatitja për vdekjen ngjan më shumë si faza e fundit e përgatitjes për shmangie të taksave nga ana e super të pasurve.

Profesori i ligjit për taksat në Universitetin e Kalifornisë Jugore, Edward McCaffery e ka përmbledhur të gjithë këtë në shprehjen “bli, merr hua, vdis”.

Nocioni i vdekjes si një përfitim tatimor duket paradoksal. Normalisht kur dikush shet një pasuri, edhe një minutë para se të vdesë, ai ose ajo duhet të paguajë 20% taksë mbi fitimet e kapitalit. Por me vdekjen, kjo ndryshon. Çdo fitim kapitali deri në atë moment nuk taksohet. Kjo i lejon super të pasurit dhe trashëgimtarët e tyre të shmangin pagimin e miliarda taksave. Kjo njihet gjerësisht nga ekspertët në të gjithë spektrin politik si një e metë në kod.

Pastaj vjen taksa e trashëgimisë e cila, me 40%, është ndër më të lartat në kodin federal. Kjo taksë supozohet se do t’i japë qeverisë një shans të fundit për të marrë një pjesë të të gjitha atyre fitimeve të parealizuara dhe pasurive të tjera që amerikanët më të pasur akumulojnë gjatë jetës së tyre.

Megjithatë, nga të dhënat e akumuluara nga IRS është e qartë se ata mund t’i shpëtojnë me lehtësi kësaj duke kthyer pothuajse gjysmën e vlerës së pasurive të tyre. Shumë nga më të pasurit krijojnë fondacione filantropike, të cilat sigurojnë zbritje të mëdha taksash gjatë jetës së tyre dhe anashkalojnë taksën e trashëgimisë kur ata vdesin.

Menaxherët e pasurisë u ofrojnë klientëve një sërë opsionesh të ndryshme dhe të komplikuara që i lejojnë amerikanët e pasur t’u japin shumë të mëdha trashëgimtarëve të tyre pa paguar taksat e trashëgimisë.

Rezultati është që pasuri të mëdha mund të kalojnë kryesisht të paprekura nga një brez në tjetrin. Nga 25 njerëzit më të pasur në Amerikë sot, rreth një e katërta janë trashëgimtarë: tre janë Waltons, dy janë nga perandoria e ëmbëlsirave Mars dhe njëri është djali i Estée Lauder.

Në këtë 1.5 vitin e fundit, qindra mijëra amerikanë kanë vdekur nga COVID-19, ndërsa miliona të tjerë ngelën pa punë. Por një nga periudhat më të errëta në historinë amerikane rezultoi të ishte një nga periudhat më fitimprurëse për miliarderët. Ata i shtuan 1.2 trilionë dollarë pasurive të tyre nga janari 2020 deri në fund të prillit të këtij viti, sipas Forbes.

Kjo e papritur është midis shumë faktorëve të ndryshëm që e kanë çuar vendin drejt një pike lakimi, një që pason në një gjysmë shekulli pabarazie në rritje përsa i takon pasurisë dhe krizës financiare të vitit 2008, e cila shkaktoi një dëm të qëndrueshëm ekonomik. Historia amerikane është e pasur me kthesa të tilla. Ka pasur akte të famshme rezistence ndaj taksave, si “Festa e çajit në Boston”, pasuar nga përpjekje më pak të njohura për t’i detyruar të pasurit të paguajnë më shumë.

Një incident i tillë, më shumë se gjysmë shekulli më parë, u shfaq sikur mund të shkaktonte ndryshime të mëdha. Sekretari i thesarit në largim i presidentit Lyndon Johnson, Joseph Barr, tronditi kombin kur zbuloi se 155 amerikanë që në total kishin një vlerë prej 200,000 dollarësh (rreth 1,6 milionë dollarë sot) nuk kishin paguar taksa. Ai grup, i tha ai Senatit, përfshinte 21 milionerë.

“Sot ne përballemi me mundësinë e një revolte nga ana e taksapaguesve, nëse nuk bëjmë së shpejti reforma të mëdha në taksat tona mbi të ardhurat” tha Barr. Anëtarët e Kongresit atë vit morën letra më të zemëruara nga taksapaguesit, sesa morën në lidhje me Luftën e Vietnamit.

Kongresi miratoi disa reforma, por tendenca afatgjatë ishte një revoltë në drejtim të kundërt, e cila më pas u përshpejtua me zgjedhjen e Ronald Reagan në 1980. Që atëherë, përmes një kombinimi donacionesh publike, lobimi, donacionesh bamirësie dhe madje ofertash të drejtpërdrejta për poste politike, super të pasurit kanë ndihmuar në formësimin e debatit rreth taksimit në favor të tyre.

Një përjashtim i dukshëm: Buffett, i cili doli nga radhët e të tjerëve duke bërë thirrje për taksa më të larta për të pasurit. Në një opinion të famshëm të botuar në The New York Times në 2011, Buffett shkroi: “Unë dhe miqtë e mi jemi përkëdhelur prej kohësh tashmë nga një Kongres miqësor ndaj miliarderëve. Ka ardhur koha që qeveria jonë të tregohet serioze përsa i takon sakrificës së përbashkët.”

Buffett bëri diçka në atë artikull që pak amerikanë e bëjnë. Ai zbuloi publikisht sa kishte paguar në taksat federale personale vitin e kaluar (6.9 milionë dollarë). Më vete, Forbes vlerësoi se pasuria e tij ishte rritur me 3 miliardë dollarë atë vit. Duke përdorur këtë informacion, një vëzhgues mund të ketë llogaritur normën e tij të vërtetë të taksave, e cila ishte 0.2%. Por atëherë, si tani, diskutimi që pasoi mbi taksat u përqendrua në normën tradicionale të taksës mbi të ardhurat.

Në vitin 2011, presidenti Barack Obama propozoi legjislacionin e njohur si Rregulli Buffett. Ai do të kishte rritur normat e tatimit mbi të ardhurat për njerëzit që raportojnë mbi një milion dollarë në vit. Ky ligj nuk u miratua. Megjithatë, edhe sikur të ishte miratuar, Rregulli Buffett nuk do t’i kishte rritur në mënyrë të konsiderueshme taksat e Buffett. Nëse mund të shmangësh të ardhurat, mund të shmangësh taksat.

Sot, vetëm disa vjet pasi republikanët miratuan një ulje masive të taksave që favorizoi në mënyrë disproporcionale të pasurit, vendi mund të përballet me një tjetër kërkesë popullore për të rritur taksat mbi të pasurit. Përballë pabarazisë në rritje dhe me ambicie për shpenzime që rivalizojnë ato të Franklin D. Roosevelt ose Johnson, administrata Biden ka propozuar një sërë ndryshimesh. Këto përfshijnë rritjen e normave të taksave për njerëzit që fitojnë më shumë se 400,000 dollarë dhe rritje të taksës mbi të ardhurat nga 37% në 39,6%. Administrata gjithashtu dëshiron të rrisë normën e taksës së korporatave dhe të rrisë buxhetin e IRS.

Disa demokratë kanë shkuar më tej, duke hedhur ide që sfidojnë strukturën e taksave pasi ajo ka një shekull që ekziston. Senatori i Oregonit, Ron Wyden, kryetari i Komitetit të Financave të Senatit, ka propozuar taksimin e fitimeve të parealizuara të kapitalit, një goditje në zemër të Macomber. Elizabeth Warren dhe Bernie Sanders kanë propozuar taksa pasurie.

Ligjet e reja agresive do të frymëzonin teknika të reja dhe të sofistikuara për shmangie të pagimit të taksave. Disa vende, përfshirë Zvicrën dhe Spanjën, kanë taksa pasurie në një shkallë të vogël. Disa vende të tjera, së fundmi Franca, kanë hequr dorë nga këto taksa duke i konsideruar si të papunueshme. Kundërshtarët pretendojnë se ato janë të ndërlikuara për t’u administruar, pasi është e vështirë të vlerësosh pasuritë, veçanërisht të kompanive dhe pronave private.

Ajo që do të duhej për një rishikim themelor të sistemit të taksave në SHBA nuk është e qartë. Por të dhënat IRS të siguruara nga ProPublica tregojnë se të gjitha këto biseda janë zhvilluar në një vakum. As liderët politikë dhe as publiku nuk kanë pasur kurrë një pasqyrë të qartë të mënyrës se si amerikanët më të pasur shmangin pagimin e taksave.

Buffett dhe shokët e tij miliarderë e kanë ditur prej kohës këtë sekret. Siç tha Buffett në 2011: “Gjatë njëzetë viteve të fundit ka pasur një luftë klasash dhe klasa ime ka fituar.”/birn

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu