• |
ide | kryesore

Boiken Abazi i përgjigjet kritikëve të strategjisë së Albin Kurtit ndaj Vuçiçit: Ndihmojnë Serbinë

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Një prej figurave më të rëndësishme të Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, Boiken Abazi, i përgjigjet kritikëve të qasjes së Albin Kurtit ndaj dialogut Kosovë-Serbi, e më konkretisht Aleksandër Vuçiçit.

Abazi në një postim në Facebook thekson se kritikat ndaj mënyrës si Albin Kurti u soll në tryezën e dialogut në Bruksel janë ahistorike, cinike dhe regresive.

Lexo më tej: 

Albin Kurti kap në befasi Vuçiçin/ 4 kërkesa në tryezë presin përgjigje nga serbët 

“Me ose pa vetëdije, në fund, kritikët ahistorikë, cinikë dhe regresivë, nuk bëjnë gjë tjetër përveç se çojnë ujë në mullirin e Serbisë.” – thotë mes të tjerash Abazi.

Postimi: 

Kritika ahistorike, cinike dhe regresive ndaj KM Kurti

Mos kërko respektimin e të drejtave të tua pa i kërkuar këto të drejta një herë aleatët – Ky është thelbi i një prej vektorëve të kritikës që ka shënjestruar KM Kurti prej kur u bënë publike katër propozimet drejtuar Serbisë në dialogun e zhvilluar në Bruksel.

Dhe kështu, KM Kurti po etiketohet ose si “delirant”, ose si politikan që vepron përmes dialogut vetëm për të fituar pikë në politikat e brendshme në Kosovë.

Kjo lloj “kritike” është:

1. Ahistorike. Asnjëherë nuk ka ndodhur në historinë tonë si komb që aleatët tanë të kenë mbështetur të drejtat tona, pa i kërkuar së pari ne ato, e pa luftuar së pari ne për to, me aq sa dimë dhe me aq sa mundemi. Bash, asnjëherë! Kritika që nuk merr parasysh historinë, të lë pa të ardhme, ashtu siç u rrezikua Kosova në 10 vite dialog, me politikanë të korruptuar që ia vendosën në pikëpyetje edhe shtetësinë.

2. Cinike. E trajton politikanin si qenie e interesuar vetëm për pushtet, pa integritet, i motivuar vetëm nga interesa personale jashtë idealeve për të mirën e përbashkët. Ky cinizëm është pjesë e ideologjisë mbizotëruese neoliberale dhe postmoderne, që mohon ekzistencën e çdo përpjekjeje të sinqertë për të arritur me mund e sakrifica përparimin shoqëror. Ky është cinizmi që, në thelb, e sheh njeriun si kafshë, që kërkon vetëm mbijetesën, por jo edhe drejtësinë … Po të ishte për pushtet dhe interesa të ngushta personale, LVV do kishte hyrë në qeveri që pas zgjedhjeve të vitit 2010, ku disa ndërkombëtarë dhe PDK iu lutën për të hyrë në koalicion. Por LVV refuzoi pikërisht nga që e dinte se me atë lloj koalicioni nuk mund t’i jetësonte idealet, sepse poltikat e Lëvizjes nuk janë cinike.

3. Regresive. Kërkon kthimin te gjendja e mëhershme. Kritikëve ahistorikë dhe cinikë nuk i mjaftojnë 10 vite dështime të dialogut të mëhershëm, dhe kërkojnë rikthimin në binarët që po e çonin Kosovën drejt greminës. Tentakulat e regjimit të vjetër në Kosovë dhe të mbështetësve të këtij regjimi edhe në Shqipëri, synojnë rikthimin në binarët e regjimit të vjetër, aty ku konsolidohej pushteti i tyre duke dobësuar shtetin.

Me ose pa vetëdije, në fund, kritikët ahistorikë, cinikë dhe regresivë, nuk bëjnë gjë tjetër përveç se çojnë ujë në mullirin e Serbisë.



1 Comment

  1. Populli i kosoves i ka dhene nje mbeshtje te madhe kryeministrit Kurti ne zgjedhjet e bera. Eshte harxhim kohe te meresh me gje tjeter. Kurti e ka detyrim qe kete mbeshtetje ta finalizoj me nje marveshje te drejte me Serbine dhe te qeverisi normalisht. Eshte e padiskutueshme qe kerkesat e shqiptareve te kosoves te harmonizohen me interesat e qellimet e fuqive te medha, ndryshe nuk ka te ardhme te qete. Nje vend pa opozite eshte fatkeqesi. Pres qe mençuria e Kurtit ti sherbej shqiptareve e jo Kurtit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *