• |
ide | kryesore

Çmimi i pandemisë/ A ka vend për festë?

-Instant, Arkiva, Kryesore, Lajme



Rastet e reja me covid numërohen me gishtat e dorës këtë periudhë. Pacientët në spitalin infektiv janë të paktë, ndërsa prej ditësh nuk raportohen më të vdekur nga koronavirusi. Lajm i mirë ishte vendimi i presidencës portugeze që e përfshiu Shqipërinë në vendet e sigurta, qytetarët e së cilës mund të lëvizin pa pengesa në BE. Kryeministri Rama e përshëndeti me tone triumfalizmi. “Ia dolëm edhe kësaj sfide, sepse ne, Shqipëria, nuk ndalemi më në ngjitjen tonë drejt majës ku e meritojnë fëmijët tanë” – shkruajti Rama në Facebook.
Por sa i kushtoi shqiptarëve pandemia nga Covid-19? A ka vend për të festuar?

E trishtë/ Ndërron jetë nga Covid mjeku Drini Dobi

Mjekët që humbën jetën nga covid

55 mjekë dhe infermierë humbën jetën si pasojë e komplikacioneve nga koronavirusi në vendin tonë. Shpeshherë bluzat e bardha ngritën zërin për masat e pakjta mbrojtëse në fillim të luftës kundër covid. Të dhënat e siguruara nga Urdhri i Mjekëve dhe ai i Infermierëve tregojnë se komuniteti i punonjësve shëndetësorë në Shqipëri është ndër më të goditurit nga pandemia e COVID-19 mes vendeve të Ballkanit.

Sipas Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë, 30 mjekë humbën jetën gjatë vitit 2020 dhe 16 të tjerë në valën e dytë të pandemisë mes janarit dhe marsit 2021. Ndërsa Urdhri i Infermierëve raporton për 9 infermierë të vdekur të moshave nga 29 vjeç në 63 vjeç prej fillimit të pandemisë. Ndonëse shifrat janë të pjesshme dhe jozyrtare, ato tregojnë se pandemia vrau gati 2 herë mbi normën e Maqedonisë së Veriut dhe 4 herë mbi atë të Serbisë.

Rama flet për një paketë tjetër financiare: Nuk duam të mbyllim ekonominë

Goditja ekonomike nga karantina ekstreme

Ashtu si të gjithë botën, virusi Sars-cov-2 i gjeti autoritetet mjekësore dhe ato shtetërore të papërgatitura. Por ashtu si në pak vende të tjera, injoranca në menaxhimin e pandemisë i kushtoi shqiptarëve një karantinë ekstreme, me rregulla të ashpra dhe që goditi fort ekonominë dhe shëndetin mendor të popullsisë. Për tre muaj me radhë në fillim të vitit 2020, nën bombardimin e përditshëm të mesazheve propagandistike nga Facebook, nga televizori, nga celulari dhe kudo tjetër, kryeministri Rama vuri në zbatim një mbyllje totale të vendit, duke dhënë mesazhe shprese se sakrifica do të shpërblehej me mosinfektimin nga Covid-19.

Mesazheve të gabuara të Ramës që justifikonin mbylljen totale të vendit, iu bashkuan edhe një grup mjekësh që premtonin se mbyllja do të zgjaste pak dhe pas saj do të kalonte gjithçka. Mijëra biznese u mbyllën duke lënë pa punë qindra mijëra vetë. Ekonomia u godit fort. Ndryshe nga të gjitha vendet e rajonit, qeveria shqiptare dha vetëm dy paketa financiare, të cilat ishin të pamjaftueshme për të amortizuar goditjen nga karantina. Ajo që ndodhi më pas, në maj të vitit 2020, ishte një hapje e vendit dhe infektim masiv, njësoj si vendet e tjera.

Fshehja e vdekjeve nga Covid/ Shifrat që nxjerrin bllof propagandën e qeverisë

Manipulimi me vdekjet nga Covid

Ministria e Shëndetësisë raporton sot (16 qershor) 2,454 viktima nga Covid, por shifrat janë të dyshimta. Mijëra shqiptarët nuk u besuan spitaleve dhe preferuan të kurohen në shtëpi apo jashtë vendit. Një pjesë e tyre ndërruan jetë dhe nuk u raportuan zyrtarisht.
Kësisoj edhe shifrat zyrtare të të vdekurve nga Covid janë të dyshimta. Një denoncim i Partise Demokratike për fshehjen e vdekjeve nga covid nuk u hetua asnjëherë nga prokuroria e Tiranës. PD kishte një listë me thuajse 400 emrat e të vdekurve në spitalet covid, por që nuk ishin raportuar të tillë nga Ministria e Shëndetësisë.

Akuzat nuk u hetuan asnjëherë, por raportet e INSTAT mbi vdekshmërinë sollën një panoramë tjetër akoma më të rëndë mbi situatën. Sipas INSTAT, nga prilli 2020 deri në mars 2021, u shënuan rreth 9,300 vdekje shtesë në krahasim me periudhat përkatëse të vitit të mëparshëm, kur virusi nuk ishte i pranishëm. Një raport i Helath Data, një institut amerikan për vlerësimin e shëndetit, e renditi Shqipërinë të katërtën në botë për nivelin e vdekjeve reale nga Covid-19 në raport me popullsinë, pas Azerbajxhanit, Bosnjë-Hercegovinës dhe Bullgarisë.

“Pacientët me Covid në ambulanca”/ Mjeku jep alarmin: Te “Shefqet Ndroqi” s’ka më vende

Kapacitetet spitalore të munguara në kulmin e pandemisë

Pandemia e Covid-19 qe një test i vështirë për sistemet shëndetësore më të përparuara në botë. Në Shqipëri, sistemi kolapsoi në kulmin e përhapjes së virusit që u përkthye në mungesë të trajtimit të duhur për qindra pacientë.
Pamjet shokuese të të sëmurëve që qëndronin të shtrirë në ambulanca në dyert e spitaleve ishin objekt i punës së mediave për ditë me radhë. Në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij prekja nga virusi u kthye në mallkim. Trajtimi për të sëmurët në periudhën më të vështirë të pandemisë hasi vështirësi në gjetjen e kapaciteteve spitalore ose në ndihmën e parë nga personeli mjekësor. Mijëra vetë e kaluan sëmundjen në shtëpi.

Investigimi i BIRN/ Dhënia e laboratorëve me koncesion frenon betejën e Shqipërisë ndaj COVID-19

Testet e kufizuara në kulmin e pandemisë

Sot që rastet e reja janë më pak se dhjetë në ditë, Ministria e Shëndetësisë teston thuajse tre mijë persona në ditë.
Në janar të këtij viti, kur rastet e reja ishin 700 apo 800 në ditë, testimet ditore ishin në të njëjtin nivel.
Me gjithë kërkesën aggressive të të dyshuarve nga Covid, qeveria nuk arriti të testojë masivisht qytetarët, për shkak edhe të kapaciteteve spitalore të munguara.

Saga e vetëvrasjeve në spitalet COVID, kush mban përgjegjësi?

Vetevrasjet në spitale

Mbingarkesa me të sëmurët me covid u shoqërua me fenomenin e vetëvrasjeve në spitale. Në të dy spitalet covid në Tiranë, tek Infektivi dhe tek Sanatoriumi, pati 5 raste të vetëvrasjeve, shkaqet e të cilave mbetën pa një hetim të mirëfilltë. Mjekët thanë se virusi Sars-Cov-2 ndikonte edhe në sistemin nervor dhe për këtë arsye, vetëvrasjet ishin të pamundura të parandaloheshin.

Zgjerohen hetimet për Tiren e COVID 2/ Dyshime për skemë zhvatjeje, mjekë e infermierë të përfshirë

Korrupsioni në spitale

Rasti i Tire Alldervishit, sanitares që merrte para nga e bija e një pacienteje hapi një debat të gjerë në lidhje me rolin e bluzave të bardha gjatë pandemisë. Propaganda e ethshme qeveritare i prezantoi mjekët dhe infermierët si heronj, ndërkohë që denoncimet në media, tregonin korrupsioni kishte prekur sistemin spitalor njësoj si më parë. Në media dolën edhe pamje kur të afërm të pacientëve paguanin para që ushqimet dhe ilaçet që ata blinin vetë të shkonin tek të shtruarit.

Skandali/ Qeveria mbyll për zgjedhje kufirin me Greqinë. “Komiteti ekspertëve” karantinë për emigrantët që duan të votojnë

Perdorimi i pandemise per zgjedhjet

Database që Partia Socialiste përdori për të survejuar votuesit përmes patronazhistëve kishte të dhënat që qytetarët i kishin besuar në E-albania, një mjet i domosdoshëm për të qarkulluar përtej orës policore. Vetë kryeministri Rama udhëzoi vazhdimisht qytetarët të përdorin e-albania si një mjet të sigurtë dhe të shpejtë për të lëvizur të pashqetësuar nga policia në orët e mbrëmjes. Numrat e telefonit që shumë qytetarë kishin përdorur për e-albania u gjetën më pas në database që PS përdori për fushatën e 25 Prillit. Një tjetër përdorim flagrant i kushteve të pandemisë ishte vendimi i Komitetit të Ekspertëve që futi në fuqi karantinën me të ardhurit nga Greqia pak ditë para zgjedhjeve. Qëllimi i këtij vendimi nuk justifikohej nga krahasimi i shifrave të pandemisë, por shpjegohej më së miri me bllokimin e emigrantëve që ktheheshin për të votuar.

Vaksinimi, një histori suksesi në funksion të 25 Prillit

Hapja e dyerve për vaksinat kineze dhe ato ruse rezultoi një veprim i duhur i marrë nga Rama, në kushtet kur furnizimi nga BE apo kompanitë Pfizer dhe Astra Zeneca ishte në sasi minimale. Por ky proces u bë njësh me fushatën e Partisë Socialiste në të gjithë vendin. Çadrat e vaksinimit ishin një destinacion i zakonshëm i drejtuesve politikë të Partisë Socialiste para 25 Prillit. Pas zgjedhjeve, autoritetet shëndetësore e degraduan procesin deri në pikën që vaksinat Pfizer të aplikoheshin vetëm për një shtresë të përzgjedhur nga qeveria, ndërsa vaksinat e tjera për pjesën tjetër të popullsisë.©Lapsi.al



4 Comments

  1. Enkeleda Çela është demokrate e orëve të para. Ajo ka luftuar dhe sakrifikuar në çdo zgjedhje për të mbrojtur votat e Partisë Demokratike. Por më 13 Qershor, Enka u dhunua nga Kryetari i Degës nr 5 në Tiranë dhe u përzu nga qendra e votimit vetëm sepse ishte vëzhguese e imja dhe kërkoi të siguronte zgjedhje të drejta brenda partisë sonë.

  2. njerëzimi ka njohur edhe liderë “polifemë”, që kanë përdorur forcën e dhunën për të arritur synimet e tyre duke i detyruar të tjerët t’u nënshtrohen atyre, lidera “përbindësha”. Shembuj klasikë të liderëve që kanë përdorur forcën/dhunën/detyrimin për realizimin e qëllimeve janë Adolf Hitler, lider i Gjermanisë naziste, Sllobodan Millosheviç në Serbi dhe Sali Berisha në Shqipëri. Secili prej tyre ka shfrytëzuar autoritetin dhe rreptësinë që t’i detyrojë të tjerët që të sillen në mënyrën e parapërcaktuar. Pretendohet se liderët të cilët e përdorin imponimin nuk janë shembuj për lidership ideal e historik. Liderët të cilët e përdorin imponimin forcën e dhunën më tepër përqendrohen në qëllimet vetjake e më pak për nevojat e interesat e popullit të vet.

  3. Egoja dhe aftësia e tij me veprime të tilla, papritmas u bashkuan me realitetin social-politik të “vetëshembjes” së komunizmit, kur “zjarri” ishte bërë hi i zhuritur. Dhe, në këtë kohë e në vazhdim, u shfaq Saliu i tjetërsuar, por i vërteti, ai Sali që ishte i fshehur për vite të tëra në brendësinë e një shpirti “egosauri”. Nga një “punist i devotshëm”, u kthye në një “agjent të krahut reaksionar e revanshist antikomunist dhe nacionalist”. Vetëm e vetëm që të bëhej i besueshëm për padronët e rinj. Këtu u shfaq në rolin e “kumarxhiut politik”. Filloi të luajë bixhoz me jetën e shqiptarëve. Kur gjithçka e dogji, e shkatërroi, e rrënoi, e plaçkiti, e vrau, preu, duke i bërë “gjëmën biblike” Shqipërisë, jo vetëm nuk kërkoi falje asnjëherë këtij populli, që i ngriu “buzëqeshjen për 30 vjet”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *