• |
ide | kryesore

300 kg kokainë, shihni ç’po ndodh në Portin e Durrësit (VIDEO)

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Një sasi prej 300 kilogramë kokaine është kapur në portin e Durrësit. Lajmi është bërë i ditur nga burime zyrtare të policisë. Ndërkohë Lapsi.al sjell pamjet ekskluzive nga Porti i Durrësit.

Njoftimi i Policisë së Durrësit:

Task Forca permanente e përbashkët e përbërë nga Policia Kufitare e Portit të Durrësit, Policia Kriminale e DVP Durrës dhe autoritetet doganore të Portit, evidenton dhe sekuestron rreth 300 kilogramë lëndë narkotike të dyshuar kokainë.

Arrestohet në flagrancë drejtuesi i mjetit me të cilin po transportohej lënda narkotike.

Si rezultat i kontrolleve të shtuara me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike, bazuar edhe në analizën e riskut të bërë nga Task Forca permanente e përbërë nga Policia Kufitare e Portit të Durrësit, Policia Kriminale e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe nga autoritetet doganore të Portit, e cila vepron në Portin e Durrësi, në bazë të dyshimeve të krijuara nga kjo Task Forcë kanë kaluar për kontroll të detajuar në vijën e dytë në dalje një kamion transit me targa të Maqedonisë së Veriut.

Si rezultat i kontrollit të imtësishëm të ushtruar në kamionin që drejtohej nga një shtetas nga Maqedonia e Veriut, Task Forca gjeti të fshehur në trupin e kamionit, një sasi rreth 300 kilogramë lëndë narkotike të dyshuar kokainë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës u arrestua në flagrancë drejtuesi i kamionit, shtetasi N. A., 40 vjeç, banues në Maqedoninë e Veriut..

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës vijon veprimet hetimore për dokumentimin e plotë kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në të.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *