• |
ide | kryesore

Euro 2020, mbërrin derbi i zjarrtë mes Anglisë e Skocisë: Kroacia rrezikon daljen e shpejtë nga turneu

-Instant, F1, Sport



“Derbi i Brexit” mes Anglisë dhe Skocisë është sfida kryesore e kësaj dite në Euro 2020. Kombëtarja e Southgate dëshiron të përsërisë suksesin në debutimin e tyre, por nuk do të jetë një shëtitje në park. Në të njëjtin grup D, do të zbresë në fushë edhe Kroacia, që nuk mund të bëjë gabime ndaj Republikës Çeke të Schick. Një ndeshje e rëndësishme gjithashtu në grupin E, me Suedi-Sllovaki e cila tashmë mund të jetë vendimtare për të ardhmen e të dy skuadrave.

SUEDI-SLLOVAKI ORA 15
Dy skuadra në fazë pozitive, me një fitore, një barazim dhe paraqitje të mira në fushë, takohen në Shën Petersburg për raundin e dytë të Grupit E, që tashmë mund të japë disa përgjigje në funksion të kualifikimit. Nga njëra anë, Suedia i rezistoi sulmit të Spanjës dhe nga ana tjetër Sllovakia bllokoi Robert Lewandowskin. Të dy seleksionet mbështeten në një mbrojtje të fortë dhe ëndërrojnë fazën e 1/8 të Euro 2020. Një alarm i vogël vjen nga ekipi kombëtar i kapitenit Hamsik, me pozitivitetin e Covid të zbuluar te mbrojtësi i Lazios Denis Vavro dhe tek një anëtar i stafit teknik të ekipit kombëtar. Këto janë testet e para pozitive për Covid-19 që nga fillimi i Euro 2020. Vavro është asimptomatik dhe është vendosur në izolim. Për trajnerin sllovak Stefan Tarkovic “fitoret si ajo kundër Polonisë duhet të shijohen, por është e vërtetë që pas pesë minutash famë vijnë 20 minuta punë. Ne po shkojmë në drejtimin e duhur, duhet t’i japim vlerë paraqitjes kundër Polonisë. Pres një duel të ekuilibruar”. Trajneri suedez Janne Andersson nënvizoi se kundër sllovakëve “nuk do të luajmë siç bëmë me Spanjën, të cilët ishin më agresivë në topin e parë. Ne jemi të kënaqur me mënyrën se si shkoi loja. Mendojmë se do të kemi më shumë kontroll mbi ndeshjen, ndërsa ata janë të fortë në kundërsulme. Unë nuk mendoj se Sllovakia do të presojë aq lart sa Spanja, dhe kështu që ne mund të tregojmë aspekte të tjera të lojës sonë”, përfundoi ai.

KROACI-REPUBLIKA ÇEKE ORA 18
Një sfidë me pamje nga raundi i 1/8. Kështu mund të përkufizohet Kroaci-Republika Çeke e cila do të luhet në Hampden Park në Glasgoë. Nënkampionët e botës, të mundur nga Anglia në debutimin e tyre, nuk mund të gabojnë, në anën tjetër dëshiron të përsërisë performancën e mirë kundër Skocisë, dhe ndoshta edhe atë fitore, ekipi kombëtar i trajnerit Jaroslav Silhavy, të bindur se edhe ‘outsiders’ (në parashikimet e përgjithshme të grupit, çekët janë prapa anglezëve dhe kroatëve) mund të thonë fjalën e tyre. Gjëja më e rëndësishme është të kalojnë raundin, dhe ndoshta të besojnë në faktin se Schick do të vazhdojë të jetë ai që u pa kundër skocezëve, të mposhtur nga dygolëshi i tij. Kjo sfidë ka një precedent në Kampionatin e fundit Evropian, Francë 2016, kur në St. Ettiene përfundoi 2-2, por hedhja e fishekzjarreve e e tymueseve në fushë nga ultrasit kroatë, edhe pse skuadra e tyre po fitonte 2-0, ‘njollosi’ ndeshjen dhe i dha Republikës Çeke shtytjen për të reaguar dhe për të shënuar me zëvendësuesit Skoda dhe Necid. Këtë herë është një histori tjetër dhe Silhavy do ta përjetojë duke rreshtuar ekipin e tij me një 4-2-3-1 që duhet të përfshijë Vaclik në portë, Coufal, Celustka, Kalas dhe Boril në mbrojtje, pikat e referencës Kral dhe Soucek përpara prapavijës, ndërsa ka disa dyshime në lidhje me zgjedhjen e mesfushorëve sulmues edhe pse në fund të zgjedhurit duhet të jenë Masopust, kapiteni Darida dhe sampdoriani Jankto. Kjo treshe do të ketë si detyrë të ekzaltojë performancën e Schick. I njëjti modul 4-2-3-1 adaptohet zakonisht edhe nga Kroacia, trajneri i të cilës Zlatko Dalic ka një seri dyshimesh të shkaktuara mbi të gjitha nga sulmi: Kroacia nuk ka një qendërsulmues të vërtetë, Rebic nuk është i tillë, e në fakt në Kupën e Botës mbështeste Mandzukic, ndërsa tani nuk duket se ka një partner të të njëjtit nivel, dhe duhet të përshtatet si sulmues i parë. Të sigurtë Perisic në krah dhe Modric e Brozovic që organizojnë mesfushën. Kroatët nuk janë ndoshta në momentin e tyre më të mirë, por nuk duhet anashkaluar fryma e fortë nacionaliste që i shtyn kur veshin fanellën e kombëtares së tyre dhe kjo është arma shtesë e Dalic.

ANGLI-SKOCI ORA 21
“Një ndeshje e veçantë”, sipas fjalëve të trajnerit Gareth Southgate, i cili, megjithatë, preferoi ta kanalizojë ndeshjen në planin sportiv: “Kundër Skocisë nuk do të jetë kurrë një ndeshje normale – ka thënë tekniku i Anglisë Gareth Southagte -. Është një ndeshje që ofron dinamika të ndryshme, të cilat tejkalojnë aspektin krejtësisht sportiv. Por ne do të duhet të jemi të aftë të përqendrohemi vetëm në sfidën që Skocia do të shfaqë në fushë”. Me një sukses britanikët do të ishin të sigurt për kalimin në raundin e dytë të turneut, me një ndeshje para kohe e për më tepër Southgate ka rikupruar në qendër të mbrojtjes Harry Maguire. Në kampin tjetër, trajneri skocez, duhet të harrojë sa më shpejt hapin e gabuar të debutimit kundër Republikës Çeke. “Është një ndeshje që ka shumë rëndësi, madje edhe për anglezët, të cilët nuk duan të humbasin asnjëherë kundër nesh – komentoi Clarke -. Por unë preferoj që lojtarët e mi të mendojnë se ajo kundër Anglisë është një nga dy ndeshjet që mbeten për të fituar pikët e nevojshme për të kaluar përtej fazës së grupeve, për herë të parë në historinë tonë. Djemtë duhet të besojnë në vetvete. Do të jetë kushti i parë për të qenë në gjendje të luajnë në një nivel të mirë – vazhdoi ai. – Shumë prej tyre janë shokë me lojtarët e Anglisë dhe janë mësuar t’i takojnë ata në fushë, në ndeshje të rëndësishme, kështu që nuk mund ta imagjinoj që ata mund të shkojnë në këtë ndeshje pa besuar se mund të marrin një rezultat të mirë”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *