• |
ide | kryesore

Individët dhe bizneset hapën 356 mijë llogari bankare vitin e kaluar, por u mbyllën më shumë

-Instant, Lajme, Të fundit



Individët dhe bizneset hapën rreth 356 mijë llogari të reja bankare gjatë vitit të kaluar. Sipas të dhënave të raportit të përgjegjësisë sociale për vitin 2020, të Shoqatës Shqiptare të Bankave, vitin e kaluar bankat tregtare investuan gjithashtu rreth 7.5 milionë lekë në produkte me qëllim përmirësimin e përfshirjes financiare. Pandemia e bëri më të prekshme se kurrë nevojën për të lëvizur më shpejt në dixhitalizimin dhe ofrimin e shërbimeve bankare në distancë, por parakushti kryesor për këtë proces ngelet rritja e aksesit të publikut në këto shërbime.

Mbështetur në informacionet e Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit të kaluar kishte rreth 2.96 milionë llogari bankare aktive. Pavarësisht se bankat raportojnë hapjen e 356 mijë llogarive të reja bankare, numri total i tyre, sipas Bankës së Shqipërisë, vitin e kaluar pakësua me rreth 28 mijë. Rënia ishte veçanërisht e theksuar në segmentin e individëve. Kjo rënie mund të lidhet me ecurinë negative të punësimit vitin e kaluar, që ka çuar në mbylljen e shumë llogarive rrjedhëse të lidhura me pagat.

Por, nga ana tjetër, statistikat nuk ofrojnë një informacion shumë të qartë mbi numrin e individëve dhe subjekteve që kanë të paktën një llogari bankare aktive. Një e dhënë e tillë do të hidhte më shumë dritë mbi shkallën reale të aksesit të shqiptarëve në shërbimet bankare. Strategjia Kombëtare e Pagesave Me Vlerë të Vogël, e vitit 2018, vinte në dukje se më pak se 40% e shqiptarëve në moshë madhore kishin një llogari bankare. Vlerësohet se kjo përqindje është sidomos e ulët në zonat rurale, ku edhe prania e njësive të shërbimeve bankare është e pakët. Për ekonomitë me të ardhura mbi mesataren, shkalla e zotërimit të një llogarie bankare është më e lartë se 70%.

Depërtimi relativisht i ulët i shërbimeve bankare është një nga arsyet kryesore pse Shqipëria ka një shkallë të lartë të përdorimit të parasë fizike në transkasionet ekonomike. Një vrojtim i Bankës së Shqipërisë ka treguar se 96% e pagesave të konsumatorëve kryhen në para cash. Megjithëse pandemia dha një ndikim pozitiv në drejtim të rritjes të përdorimit të kanaleve elektronike të pagesave, fakti që vetëm një pakicë e individëve kanë llogari bankare kufizon mundësitë e përfshirjes më të gjerë financiare dhe modernizimit të pagesave.

Banka e Shqipërisë ka vendosur si objektiv të vetin që shpenzimet paraprake për hapjen e një llogarie bankare dhe tarifat e detyrueshme të mirëmbajtjes mujore ose vjetore të shmangen. Arritja e këtij objektivi synohet të arrihet edhe nëpërmjet miratimit të një ligji të posaçëm që reflekton direktivën e BE-së për aksesin në llogarinë bankare bazike, krahasueshmërinë e komisioneve të llogarive të pagesave dhe kalimin e tyre nga një bankë te tjetra. Llogaria bazike e pagesës do të ketë një kosto zero ose simbolike dhe shihet si një instrument i rëndësishëm për të rritur përdorimin e shërbimeve bankare nga indvidët dhe bizneset e vogla. Afati më i fundit që Banka e Shqipërisë ka parashikuar për hartimin e një ligji të tillë është viti 2022. / MONITOR



2 Comments

  1. Ato llogari u hapen vjet nga halli qe te punesuarit te merrnin pagat e luftës!
    Sistemi bankar ketu eshte nje HAJDUTLLIK
    MAFIOZ!!! Nëse ke nje llogari kostoja mujore eshte 500 lek( te reja) dhe per çdo transaksion( brenda te njejtes bange) paguan komision! Kur operon ne banga te ndryshme komisioni 2-3 fishohet!
    Pa llogaritur kredite qe jane me perqindje goxha te larta dhe biznesin e vogel nuk e ndihmojne fare!!!

  2. Ato llogari u hapen vjet nga halli qe te punesuarit te merrnin pagat e luftës!
    Sistemi bankar ketu eshte nje HAJDUTLLIK
    MAFIOZ!!! Nëse ke nje llogari kostoja mujore eshte 500 lek( te reja) dhe per çdo transaksion( brenda te njejtes bange) paguan komision! Kur operon ne banga te ndryshme komisioni 2-3 fishohet!
    Pa llogaritur kredite qe jane me perqindje goxha te larta dhe biznesin e vogel nuk e ndihmojne fare!!!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *