• |
ide | kryesore

Lamtumirë Giampiero Boniperti: një jetë në bardhezi mes triumfesh e kampionësh

-Instant, Sport



Është ndarë nga jeta në mbrëmje në Torino për shkak të një dështimi të zemrës Giampiero Boniperti, presidenti i nderit i Juventusit, për të cilin ai ishte një flamur fillimisht si lojtar dhe më pas si drejtues. Lajmin e ka bërë të ditur familja. Boniperti, që në vitet e fundit ishte tërhequr në jetën private, do të kishte mbushur 93 vjeç në 4 korrik. Funerali do të bëhet në ditët e ardhshme privatisht, me vullnet të familjes.

“Juventusit mund t’i uroj vetëm një dëshirë: të vazhdojë të fitojë sepse, siç e dini, mbetet e vetmja gjë që ka rëndësi…”, kishte rrëfyer ai për Ansa, me një letër të shkruar me dorën e tij për 90 vjetorin e tij. Kjo frazë, “fitorja nuk është e rëndësishme, është e vetmja gjë që ka rëndësi” është marka identifikuese e Juventusit, një koncept dhe një paralajmërim, në të njëjtën kohë, për këdo që vesh fanellën bardhezi. Giampiero Boniperti e veshi atë fanellë për 444 ndeshje. E megjithatë, kur ishte fëmijë ai do të ishte kënaqur – si kishte thënë kohë më parë – ta vishte vetëm “një herë, e të ishte i lumtur përgjithmonë”.

Suksese dhe kënaqësi te Juventus ai ka patur shumë, në fushë, por mbi të gjitha pas tavolinës: pesë kampionate si lojtar, në ‘Trion Magjike’ me Charles dhe Sivori, të gjitha trofetë e mundshëm, në Itali dhe në botë, në njëzet vitet e tij si president. Në klubin bardhezi ai kishte arritur moshën 17 vjeçare, i blerë për 60 mijë lireta, gjysëm për gjysëm mes ekipit të vendlindjes, Barengo (Novara) dhe Momos që e kishte teseruar. Doli prej aty 48 vjet më vonë, kur u largua nga presidenca efektive e Juventusit. Ai ishte president nga ’71 deri në ’90 dhe më pas, kur u thirr nga familja Agnelli, administrator i deleguar nga ’91 në ’94. Që nga viti 2006 ai ishte president nderi. “Juve – një tjetër nga shprehjet e tij më të dashura – nuk është vetëm ekipi i zemrës sime, por është edhe zemra ime”. Si president, ai largohej nga stadiumi në fund të pjesës së parë dhe e ndiqte të dytën në radio; ndër sfidat më të vuajtura ishin derbi kundër Torinos, edhe pse granatave i kishte shënuar më shumë se çdo bardhezi tjetër: 14 gola (13 në kampionat, 1 në Kupën e Italisë).

“Derbi – shpjegonte ai, si drejtues – më konsumon, e dua shumë Juven dhe kam aq shumë respekt për Juve sa nuk mund të jetë ndryshe”. Me lojtarët ai gjithmonë e kishte thikën në anën e dorezës, por koha e mbizotërimit të menaxherëve ishte shumë larg. Pas Mundial, të fituar nga Italia në 1982 në Spanjë, ai e kishte lënë jashtë skuadre, sepse kishin kërkuar një ngritje page, Paolo Rossin, Tardellin dhe Gentilen. Një javë pezullim, një miqësore e humbur, para se të merreshin përsëri nga Boniperti, dhe të firmosnin kontratën, me një përmirësim të vogël.

Nga shumë futbollistë që solli te Juventus, dy nga më të dashurit ishin Scirea dhe Del Piero; në bardhezi ai solli një Giovanni Trapattoni të ri nga Milan me të cilin ndau dhjetë sezone me sukseset e para ndërkombëtare. Një bast i fituar kundër skeptikëve: me ‘Trap’ në krye, Juve menjëherë fitoi titullin me rekordin në kuotën 51, kur fitoret ishin ende me vlerë dy pikë. Ai ishte anëtar i Parlamentit Evropian nga ’94 deri në ’99. Por pasioni i tij i madh, i vërtetë dhe i vetëm ka qenë gjithmonë Juventusi.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *