• |
ide | kryesore

Ndërtimi “shpëton” buxhetin e kryeqytetit në 2020-n; 44% e të ardhurave nga lejet për pallate

-Instant, Lajme, Të fundit



Bashkitë në pothuajse të gjithë vendin kanë ndier presionin e pandemisë në vitin 2020, duke ulur të ardhurat e veta nga taksat dhe tarifat. Për rajonet që u goditën nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, pasojat kanë qenë edhe më të rënda. Më lehtë e ka kaluar krizën Bashkia e Tiranës, e cila, vitet e fundit, e ka rritur ndjeshëm varësinë nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, e lidhur me rritjen e sipërfaqeve të lejeve të ndërtimit

 

Në vitin 2020, bashkitë u gjendën të papërgatitura për një emergjencë të këtij lloji dhe përmase, çka preku ndjeshëm financat e tyre. Në kahun e të ardhurave, 61 bashkitë në vend vlerësohet të kenë pasur më shumë mjete financiare në dispozicion për të ushtruar funksionet dhe kompetencat për të cilat ato janë përgjegjëse, vlerësohet në Raportin e Financave Publike Vendore 2020, një publikim i Co-plan.

Megjithatë, përballimi në terma financiarë i efekteve të pandemisë duket të jetë mbuluar me fonde, të cilat u transferuan nga qeveria qendrore në trajtën e transfertave ndërqeveritare (transferta të kushtëzuara dhe të pakushtëzuara). Në të kundërt, të ardhurat e mbledhura nga burimet e veta vendore vlerësohet të jenë ndikuar negativisht në vijim të fatkeqësive natyrore, duke shënuar rënie vjetore.

Ndër faktorët që mund të kenë çuar në rënien e të ardhurave nga burimet e veta vendore mund të renditen: përkeqësimi i gjendjes financiare të bizneseve dhe të familjeve që mund të ketë përcaktuar mospagesa, hyrja e masave fiskale lehtësuese për kategoritë në nevojë, zhvendosja në kohë e pagesave për detyrimet vendore etj.

Nevojat për shpenzime në vitin 2020 u intensifikuan ndjeshëm në tre drejtime: përshtatja në mënyrën e ofrimit të shërbimeve nën kushtet e kufizimeve të vendosura prej COVID-19, mbështetjes së menjëhershme të shtresave në nevojë me produkte dhe shërbime bazike, përshtatja e burimeve njerëzore nën varësinë e bashkisë, me një mënyrë të re të punuari. Për pasojë, shpenzimet korrente vijuan të rriten në terma vjetorë dhe gërshëra u vendos tek investimet.

Bashkitë i sigurojnë burimet e veta në dispozicion nga dy drejtime. Së pari, të ardhurat e veta, kryesisht nga taksat dhe tarifat dhe së dyti, nga transfertat e kushtëzuara dhe të pakushtëzuara që merr nga qeveria. Sipas raportit të Financave Publike Vendore, në fund të vitit 2020, të ardhurat nga burimet e veta vendore përfaqësuan rreth 26.6% të burimeve financiare totale, vlerë kjo lehtësisht nën mesataren afatgjatë (prej rreth 26.8%).

Në terma nominalë, 61 bashkitë në vend mblodhën rreth 24.2 miliardë lekë në vitin 2020, në rënie me rreth 5.3% krahasuar me nivelin e mbledhur në vitin 2019. Sipas raportit, në terma historikë, ky është frenimi i parë i shënuar në të ardhurat nga burimet e veta vendore që prej vitit 2016. Përjashtuar Bashkinë e Tiranës (e cila përfaqëson rreth 57.7% të të ardhurave nga burimet e veta vendore të vitit 2020), rënia e shënuar në të ardhurat nga burimet e veta vendore të 60 bashkive thellohet më tej, në rreth 12.2% në terma vjetorë.

 

Varësi nga taksa e ndikimit në infrastrukturë

Raporti vlerëson se, ndonëse në terma të përgjithshëm, të ardhurat nga taksat vendore rezultojnë të kenë shënuar zhvillime pozitive, një vështrim i hollësishëm mbi elementet përbërëse nxjerr në pah dobësitë afatgjata apo varësinë ndaj një numri të kufizuar taksash. Në tre vitet e fundit, performanca e të ardhurave nga taksat vendore është përcaktuar nga dy elemente: taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja dhe taksat mbi pasuritë e paluajtshme (ndërtesa, tokë bujqësore, truall).

Ndërkohë që pesha e kësaj të fundit është tkurrur, pesha e të ardhurave nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtime të reja është rritur me ritme të përshpejtuara. Në vitin 2020, këto dy lloje taksash përfaqësuan 85.7% ndaj totalit të të ardhurave nga taksat vendore. Në të kundërt, pesha dhe kontributi i tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël dhe i taksave të tjera vijuan tkurrjen edhe në vitin 2020.

Të hyrat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, sipas raportit, vazhdojnë të përfaqësojnë një burim të rëndësishëm në buxhetin vendor. Në vitin 2020, të ardhurat nga kjo taksë përfaqësuan rreth 52.2% ndaj totalit të të ardhurave nga taksat vendore, rreth 32.8% ndaj totalit të të ardhurave nga burimet e veta vendore dhe u vlerësuan në rreth 0.5% të PBB-së nominale.

Zgjerimi i peshës së këtij zëri në buxhetet vendore vlerësohet të jetë ndikuar ndjeshëm nga zbatimi i PPV-ve nëpërmjet lejeve të ndërtimit për ndërtesa të reja, veçanërisht në tre vitet e fundit: në vitin 2018, u dhanë 1,194 leje, në vitin 2019, rreth 1,094 leje, dhe për gjashtë muajt e parë të vitit 2020 ishin 393 leje.

Zbatimi i Planeve të Përgjithshme Vendore (PPV) nëpërmjet lejeve të reja të ndërtimit, nga një anë, ndikon pozitivisht në rritjen e të ardhurave nga TNI për bashkitë, nga ana tjetër, i vendos ato në një pozicion sfidues për ofrimin e infrastrukturave të nevojshme publike, të cilat gjithashtu kërkojnë financime, si në zhvillim fillestar, ashtu dhe në mirëmbajtje të vazhdueshme.

Pas një rritje me ritme dyshifrore, të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja shënuan një nivel prej rreth 7.9 miliardë lekësh, në rënie me rreth 6.1% në terma vjetorë, ose rreth 514 milionë lekë më pak krahasuar me vitin e mëparshëm.

Tirana kryeson në mbledhjen e kësaj takse. Përjashtuar të ardhurat e arkëtuara nga Bashkia e Tiranës, 60 bashkitë e tjera në vend mblodhën rreth 1.5 miliardë lekë nga TNI, me rënie të theksuar në terma vjetorë me rreth 30%.

 

Bashkia e Tiranës, 44% të të ardhurave të veta nga taksa e ndërtimit

Pavarësisht krizës së pandemisë, Bashkia e Tiranës ka arritur të ruajë të njëjtin nivel të ardhurash nga taksat e tarifat në 2020-n.

Të ardhurat totale që bashkia më e madhe në vend siguron nga burimet e veta ishin 14.5 miliardë lekë, me një rritje të lehtë prej 1.3 me bazë vjetore, sipas buxheteve të detajuara, të publikuara nga Co Plan, dhe të përpunuara nga “Monitor”.

Së bashku me transfertat e kushtëzuara dhe të pakushtëzuara, Bashkia e Tiranës kishte në dispozicion në 2020-n rreth 22.4 miliardë lekë, ose 180 milionë euro, pothuajse i njëjti nivel sa viti i mëparshëm. Nga transfertat, kryeqyteti siguron 35% të burimeve të veta, duke pasur varësinë më të ulët në krahasim me Bashkitë e tjera, ku kjo peshë e kalon 70%.

Taksa e ndikimit në infrastrukturë është kthyer vitet e fundit në burimin kryesor të sigurimit të fondeve për kryeqytetin dhe vijoi rritjen e lehtë (+2.4%) edhe në 2020-n. Kjo taksë, që është e lidhur direkt me ecurinë e lejeve të ndërtimit, solli 44% të të ardhurave që Bashkia mbledh nga taksat dhe tarifat dhe 28.4% të totalit të buxhetit të saj (përfshirë transfertat), duke arritur një nivel rekord të varësisë nga kjo taksë. Në 2015-n, kjo taksë sillte vetëm 11.6% të të ardhurave të veta të bashkisë dhe 6.4% të totalit.

Në total, në vitin e pandemisë, bashkia mblodhi nga dhënia e lejeve të ndërtimit 6.4 miliardë lekë, ose rreth 51 milionë euro, që u korrespondon ndërtimeve me vlerë rreth 637 milionë euro (taksa e ndikimit në infrastrukturë është sa 8% e vlerës së shitjes).

Tarifat e pastrimit dhe gjelbërimit është zëri i dytë që solli më shumë të ardhura në kryeqytet, me 13.5% të fondeve të veta. Ndonëse në një vit pandemie, u mblodhën 9.6% më shumë se një vit më parë.

Nga taksa mbi pasurinë e paluajtshme u siguruan 13.4% e fondeve të veta të bashkisë, me një rritje të lehtë prej 4.4%. Formula e re e taksës së pronës nuk ka arritur ende të japë efekte.

Nga pandemia, rënien më të madhe e shënuan taksa e hotelit (-68%), tarifa e zënies së hapësirës (-27.6%) dhe taksa e tabelës (-9.8%). Në lidhje me shpenzimet, pagat e personelit përbënin gati 24% të totalit, nga 22.2% që ishte kjo peshë një vit më parë, për shkak të rritjes së fondit përkatës me 5.4%.

Në të kundërt, shpenzimet kapitale rezultuan me rënie të ndjeshme prej 22.5%, të ndikuara nga ulja e investimeve në infrastrukturë e transport. Në total, 29% e buxhetit shkoi për shpenzimet kapitale në 2020-n, në ulje të ndjeshme nga 37% që ishte kjo peshë vitin e mëparshëm./Monitor



2 Comments

  1. Monitor nuk zhgenjen asnje dite, perpiqen te hiqen si asnjanes po dalin bllof qe ne paragrafet e pare se drejt cilit krah propagandojne

  2. Do ta shpetoje perkohesisht per ta henger me pas te gjithe.

    E keni pare ate foton e Tirones te tema me siper? duket si neo cecenia.

    Yrysh perpara se noten ka muzike per delet 😉 Qeras lali hajduti.

    Mendoj , po perse nuk e ndertuan Tironen nen imazhin e Viena, Prague, Budapest, Beograd, Athens, Milano keto cecenat neokomunist e oligark qe shperdorojne parate e droges si idioti? Po na e bene kryeqytetin si lagjet e varfra te Brazilit.

    Ju befsha. … kullat, pallatet dhe gjithe budallenjt qe kane boshatisur Shqiperine per Tiranen.
    Tirana eshte nje hambar lopesh qe neokomunistet i kane hedhur nje vello fasades se m****t.

    Wake up stupid!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *