• |
ide | kryesore

Historia e parashikuar në tatuazh e sulmuesit të lindur në Xhamajka e rritur pranë Wembley

-Instant, F1, Kryesore, Sport



Gati një dekadë që nga debutimi i tij në ekipin kombëtar të Anglisë, Raheem Sterling, ka parë shumë gjëra të ndodhin e ëndërra të realizohen. Ai ka shkuar nga një yll i ndritshëm në një Kupë Bote të mjerueshme në 2014 për të udhëhequr në marshimin drejt gjysmëfinales katër vjet më vonë, me një dalje zhgënjyese kundër Islandës në Kampionatin Evropian në mes.

Në nëntor 2012, vetëm 17-vjeçar, Sterling ishte një nga gjashtë debutuesit kundër Suedisë dhe karriera e tij ndërkombëtare provoi të ishte më afatgjata. Ndeshja ishte e vetmja që Ryan Shawcross, Steven Caulker dhe Carl Jenkinson arritën në nivelin ndërkombëtar, ndërsa pas dy të tjerash përfundoi edhe aventura e Leon Osman. Wilfried Zaha, një tjetër i ri emocionues që bëri debutimin e tij atë natë, ka vazhduar me gjëra më të rëndësishme, por tani ai vesh ngjyrat e Bregut të Fildishtë. Në skuadrën e Gareth Southgate vetëm Jordan Henderson ka pasur një karrierë më të gjatë në Angli.

Jetëgjatësia e karrierës ndërkombëtare të Sterling është diçka që duhet festuar si një demonstrim i qëndrueshmërisë së tij në nivelin më të lartë, megjithëse ai shpesh është sulmuar nga një pjesë e mediave britanike. Detyra për vendin shpesh përdoret nga tabloidët si një mundësi për të shënjestruar yllin e Manchester City.

Sterling ka qenë “karremi” i lajmeve që kanë shkruar histori të çuditshme për jetën e tij private, ose e kanë nxjerrë në faqen e parë duke kritikuar tatuazhet e tij. Por e vërteta është se asnjë lojtar i Anglisë nuk ka lidhjen, që Sterling ka me të ashtuquajturën shtëpi të futbollit; Uembli. Sulmuesi është rritur në hijen e harkut të famshëm të stadiumit. Për të, të luajë në stadiumin kombëtar është një kthim në shtëpi.

‘KJO ËSHTË ÇMENDURI’

Sterling është rrëfyer për fëmijërinë e tij në Londrën Veriore në një video të fuqishme, prodhuar për ekipin e Anglisë nga ish-lojtari Marvin Sordell. Në të, ai përshkruan se si ndihet duke shëtitur rrugëve në të cilat ishte rritur dhe parqeve në të cilat ai ka luajtur përpara se të ishte profesionist.

“Sa herë që kthehem në stadiumin Wembley; Kupa e FA, çfarëdo që të jetë, është njëlloj, si një shaka”, ka thënë sulmuesi i Manchester City në video. Sot e kësaj dite, as që mund ta mendoj se është e vërtetë. Kur shikon rrugë të caktuara dhe ti thua ‘unë isha atje’. Dhe thjesht duke hedhur shikimin prapa, sa herë që shkoj qesh me veten time e them ‘kjo në fakt është çmenduri’. Por në të njëjtën kohë kur futesh në fushë, është sikur kam një besim të fortë se do të bëj mirë në Stadiumin Wembley pa marrë parasysh çfarë. Nuk ka asnjë mënyrë – unë jam në shtëpi, në zonën time – nuk jam duke u paraqitur ” ka thënë sulmuesi që shënoi golin e tij të parë në një turne madhor me Anglinë pikërisht në Wembley.

Është e pazakontë të dëgjosh një lojtar, vecanërisht në nivelin e Sterling, të flasë kaq hapur për eksperiencat personale në futboll, por lojtari i Manchester City është unik edhe në këtë pjesë. Sterling e filloi karrierën e tij me Queens Park Rangers para se të nënshkruante për Liverpool në 2010. Ai fitoi çmimin Golden Boy në 2014. Në korrik 2015, pas një mosmarrëveshje të gjatë mbi një kontratë të re, ai u largua nga Anfield Road e nënshkroi me Manchester City në një transferim potencialisht me vlerë £ 49 milion, tarifa më e lartë e transferimit e paguar ndonjëherë për një lojtar anglez në atë kohë. Ai më pas vazhdoi të ndihmojë Manchester City të fitonte tituj me radhë në Premier League në sezonet 2017–18 dhe 2018–19. Në sezonin 2018–19, ai u zgjodh në Ekipin e Vitit të Premier Premier dhe fitoi PFA Lojtari i Ri i Vitit dhe Futbollisti i FWA i Vitit.

Ndërsa mund të përfaqësonte gjithashtu Xhamajkën, Sterling bëri debutimin e tij me ekipin e parë të Anglisë në nëntor 2012, pasi kishte luajtur më parë me ekipet e të rinjve të Anglisë në nivelet U 16, U 17, U 19 dhe U 21. Ai u zgjodh në skuadrën e Anglisë për Kupën e Botës FIFA 2014, Kupën e Botës FIFA 2018, UEFA Euro 2016 dhe tani në UEFA Euro 2020.

PROFECIA

Me golin që vendosi ndeshjen kundër Kroacisë në Wembley, sulmuesi anglez i Manchester City në fakt ka përmbushur ëndrrën e një fëmije të rritur në hijen e atij stadiumi madhështor. I lindur në Xhamajka, Sterling u transferua në Angli në moshën pesë vjeçare dhe kaloi fëmijërinë e tij në Neeld Crescent, një periferi vetëm disa minuta nga stadiumi i Londrës, ku ai dikur dëshironte të bëhej mbreti. Një dëshirë aq e fortë saqë e kishte bërë tatuazh në lëkurë: në parakrah ai ka imazhin e tij si fëmijë, me fanellën me numrin 10 të Anglisë mbi supet e tij, ndërkohë që admiron madhështinë e Wembley. Sot, 27 vjeçar, Sterling e bëri ëndrrën e tij të vërtetë, por kundër Republikës Çeke duhet më shumë se thjesht ndjekja e një ëndërre individuale. Anglia ka nevojë për golat e tij dhe i gjithë vendi i ka sytë nga ai.

Një gol, i pari për sulmuesin në fazën finale të një kompeticioni ndërkombëtar, që lejoi Anglinë të fitojë për herë të parë në debutimin e saj në Kampionatin Evropian: “Është një ndjenjë e mirë – shpjegoi Sterling – Kam thënë gjithmonë se një ditë do të luaja në Wembley dhe do të shënoja në një turne të madh. Unë u rrita dy minuta larg këtij stadiumi, e dija se duhej të shënoja. Ishte një ndjenjë e shkëlqyer të isha në gjendje ta bëja atë. Dhe na duhej fitorja. Duhet të vazhdojmë të fitojmë dhe të kemi këtë mentalitet fitues për të vazhduar më tej”. Finalja më 11 korrik do të luhet pikërisht në Wembley …



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *