• |
ide | kryesore

Teoritë konspirative/ Çfarë qëndron vërtet pas bllokimit që Bullgaria i bën Maqedonisë së Veriut

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Këtë të martë ministrat për çështje evropiane nuk arritën dot të merrnin një vendim për nisjen zyrtare të negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Nëse për Shqipërinë kishte për herë të parë një konsensus të gjerë, shkak i bllokimit u bë vetoja e Bullgarisë për Maqedoninë e Veriut duke penguar kështu të dyja vendet.

Por cilat janë arsyet që Bullgaria nuk pranon avancimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian?

Kjo pyetje është një nga temat më të përmendura muajt e fundit, por në Shqipëri janë të paktë ata që janë në brendësi të asaj që po ndodh. Lapsi.al sjell më poshtë pretendimet zyrtare të palëve, por edhe teoritë që qarkullojnë në Shkup dhe në Sofje për këtë konflikt.

Qëndrimi zyrtar i Bullgarisë

Zyrtarisht, qeveria bullgare thotë se nuk do të lejojë fillimin e negociatave të anëtarësimit në BE të Maqedonisë së Veriut nëse kjo e fundit nuk pranon të paktën 3 kërkesa. E para është zbatimi i marrëveshjes së fqinjësisë së mirë (në mënyrën si e lexon atë Bullgaria). Së dyti është aderimi në formulën e 99-të të gjuhës.

Pra, duhet të përcaktohet që gjuha e Maqedonisë së Veriut të mos jetë “maqedonishtja”, por “Gjuha zyrtare e Maqedonisë Veriore”. Kjo, sepse Bullgaria pretendon se “maqedonishtja” nuk është një gjuhë e vërtetë, por një degë e bullgarishtes.

Sipas historiografisë zyrtare bullgare banorët me origjinë sllave të Maqedonisë së Veriut janë bullgarë dhe flasin bullgarisht – por atyre iu bë “lavazh truri” gjatë regjimit komunist në Jugosllavinë e Titos dhe se një identitet dhe gjuhë e re “maqedonase” u imponuan artificialisht.

Kushti i tretë është një tekst që qeveria e Shkupit duhet të firmosë se nuk do të mbështesë pretendimet e pakicës maqedonase në Bullgari të cilat konsiderohen përçarëse.

Ka edhe disa përplasje për disa ngjarje dhe figura historike që të dyja vendet i konsiderojnë të tyret për të cilat është rënë dakord të ngrihen grupe pune të përbashkëta për t’i zgjidhur, por pa rezultat.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Bullgaria, aleate me Fuqitë e Boshtit – Romën, Berlinin dhe Tokion, pushtoi pjesë të asaj që tani është Maqedonia e Veriut. Në historiografinë e Maqedonisë së Veriut, kjo periudhë quhet “okupimi fashist bullgar”. Në Bullgari, nga ana tjetër, thuhet se trupat bullgare “çliruan” vëllezërit në Maqedoninë e Veriut.

Në një deklaratë të miratuar nga parlamenti bullgar vitin e kaluar, Maqedonisë së Veriut iu kërkua të ndalojë përdorimin e termit “okupim fashist” në librat e historisë duke iu referuar Bullgarisë dhe të fshijë të gjitha referenca të tilla nga monumentet në vend.

“Rusia bllokon Maqedoninë përmes Bullgarisë”

Një tezë që qarkullon gjerësisht është se Rusia përmes mënyrave të saj në Bullgari po bllokon fillimin e negociatave për Maqedoninë e Veriut me BE-në. Kjo teori bazohet edhe në qëndrimin e mëparshëm të Moskës kundër anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO. Në atë kohë, politika ruse doli hapur duke shkuar përtej mesazheve standarde diplomatike.

“BE po bllokon Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë përmes Bullgarisë”

Një tjetër tezë që përmendet, (jo shumë në publik) është se bllokada e rrugës evropiane të Tiranës dhe Shkupit vjen direkt nga Bashkimi Evropian duke përdorur në çdo rast arsye të ndryshme. Sipas këtij shpjegimi, megjithëse BE miraton zyrtarisht fillimin e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, përsëri nuk dëshiron që të dy vendet të fillojnë rrugën evropiane tani.

Arsyet janë të shumta: Problemet brenda BE, valët e emigrantëve, lodhja nga zgjerimi, pakënaqësia me nivelin e proceseve demokratike në Evropën Lindore, niveli i lartë i korrupsionit në të dy vendet, apo edhe popullsia dominuese myslimane. Sipas kësaj teorie, vetoja bullgare është një mbulesë ideale për të mos lejuar avancimin e këtyre vendeve.

“Prapa Bullgarisë qëndron Greqia…

Edhe kjo teori qarkullon në analizat mediatike që bëhen në Shkup. Sipas kësaj teorie, Athina dhe Sofja kanë bërë një plan afatgjatë para nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës për bllokimin e Shkupit. Për shkak të presionit amerikan, Greqia e firmosi marrëveshjen e Prespës dhe tashmë “ia ka kaluar topin” Bullgarisë.

…ose Shqipëria e Madhe”

Këtë teori e mbështesin më së shumti radikalët maqedonas që këmbëngulin se pse shqiptarët nuk flisnin dikur për konfliktin Maqedoni – Greqi apo sot për përplasjen Maqedoni e Veriut – Bullgari. Sipas tyre, shqiptarëve u intereson ky konflikt që në rast të bashkimit të territoreve bullgare (dëshirë e kahershme e disave në Sofje), shqiptarëve do t’u hapej rruga për atë që njihet si “Shqipëri e madhe”.

Si përfundim?

Asnjë variant mund të mos jetë tërësisht i vërtetë ose janë të gjitha nga pak. Në fund të gjithë besojnë atë që duan. ©LAPSI.al



4 Comments

  1. Historikisht Bullgaria ka pretenduar per banoret sllavisht foles te dialektit (Bullgar – Maqedonas) qe banojne ne Maqedonine e Sotme, ne veriun e Greqise ne Jugun e Serbise e pak ne Shqiperi qe jane bullgare. Dokumentat e vjetra keta banor i permendin me te dyja emertesat nacionale, bullgar e maqedonas. Ne Luften e dyte Boterore Konferenca e Vjenes 1941 i dha Bullgarisi teritore qe aferisisht shtrihen ne Maqedonine e sotme, Jugun e Serbise, Veriun e Greqise megjith portin e Selanikut dhe qytetet e Ohrit, Manastirit, Shkupin e te tjera qytete dhe realisht shqiptaret e bullgaret u bene kufitar megjith pretendimet teritoriale te ndersjellta per teritore ne Perendim te Maqedonise. Ne Maqedoni qe heret ne kohen e perandorise Osmane kane pase dy qasje ndaj ketij probleme e pare qe jane pjese e trungut bullgare dhe e dyta qe jane ne vete si maqedonas.

  2. Që nacionalizmi bullgar ka pasur e ka pretendime as që diskutohet.Dhe pretendimet e saj shtrihen në një hapësirë më të madhe në Ballkan por që Europa i mban larg të dyja dhe kjo qëndron më shumë.Pra me një gur vrasin dy zogj.Me zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri zogu është kryesori.

  3. Shqipëria është në vëndin e dytë në botë për nivelin e korrupsionit.
    Keto Ulurima aktuale nuk jane vertet idealet apo vlerat mbi te cilat jeton, ndertohet e ritet Europa…………..

    Po pyes veten se a do ta kemi valle Fatin, a do tia arrijme dot ta rrembejme kete vit Medaljen e arte ne kete Disipline ne rrafshin me prestigjoz te Planet tone????????

    Cohuni Burra e dergoni ca patronazhista ne Zambia qe ta marrim vesh nje here e mire se kush duhet te veshi pantallona e kush duhet te veshi fustan ne kete bote

  4. Konkretisht, nga viti 2007 deri në vitin 2013, të ardhurat e Argitës nga fakultetet private janë 314 mijë euro. Në vitin 2011 ka shënuar nivelin më të lartë, duke deklaruar 8.4 milionë lekë ose 84 mijë USD dhe 35 mijë euro nga mësimdhënia në fakultetet private.

    Nga viti 2014, kur Berisha nuk ishte më në pushtet, deri në mars të vitit 2019, Argita Berisha deklaron vetëm 7.5 milionë lekë ose rreth 61 mijë euro të ardhura nga fakultetet private. Nivelin më të ulët të të ardhura e ka shënuar në vitin 2016 me 1 milionë lekë.Tironsi toke e xanun qe salihu e solli ne vitin 2000 se i duheshin shpellkaret per rrumpallen e tij shtetare kriminale beast are te salih karaxhic berisha

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *