• |
ide | kryesore

Zgjedhjet monopartiake/ A do rrëzohet prap Rama në Kushtetuese?

-Instant, Arkiva, Kryesore, Lajme



Në muajt e fundit Gjykata Kushtetuese ka dhënë disa vendime që bien ndesh me frymën qeverisëse të mazhorancës në pushtet. I tillë ishte vendimi që i dha të drejtë kërkesës së një gjyqtari të Shkodrës, Aleks Nikolli, i cili kishte kërkuar heqjen nga Kodi Penal të detyrimit për të marrë leje në polici para një proteste. Ishin muajt kur qytetarët që protestonin arrestoheshin menjëherë nga policia, duke përdorur si shkak pikërisht këtë klauzolë të ligjit dhe rregullat e pandemisë.

Një tjetër vendim i rëndësishëm qe ai që i dha të drejtë presidentit Ilir Meta për mosdekretimin e Gent Cakajt si Ministër i Jashtëm, me arsyetimin se Presidenti nuk është i detyruar të emërojë personin që propozohet nga Kryeministri në krye të diplomacisë.

I fundit ishte vendimi që nxorri bllof kryeministrin Rama në lidhje me shkarkimin e kryebashkiakut të Vaut të Dejës, para zgjedhjeve të 30 Qershorit. Me arsyetimin se kishte bërë shkelje të rënda duke mos lejuar zgjedhjet lokale me vetëm një parti, Zef Hila u shkarkua në një mbledhje urgjente të qeverisë, vendim të cilin Gjykata Kushtetuese e rrëzoi pak ditë më parë.

Por të mërkurën, në 23 Qershor, Kushtetuesja pritet të marrë një vendim për kushtetuetshmërinë e zgjedhjeve monopartiake të 30 Qershorit të 2019. Për nga pesha politike, ky vendim shkon përtej të gjitha pozicionimeve të mëparshme.

Mazhoranca e ka shfaqur një farë pasigurie në lidhje me vendimin e Kushtetueses. Ankimi për pavlefshmërinë e zgjedhjeve të 30 qershorit është hartuar nga Gjykata e Bashkive të Shqipërisë e kryesuar nga Voltana Ademi.

Për ta tërhequr ankimin, socialistët përdorën kryebashkiakun e Lezhës, Pjerin Ndreun. Pak ditë më parë, fare papritur, ai kërkoi një mbledhje të kryebashkiakëve që ishin pjesë e Shoqatës që drejtohej nga Voltana Ademi me qëllim zgjedhjen e kryetarit të ri.

Kjo tentativë u bllokua nga disa reagime të forta. Së pari nga Gjykata e Tiranës e cila kërkoi shpjegime nga Pjerin Ndreu se kush e thirri mbledhjen e jashtëzakonshme të shoqatës dhe së dyti, nga Këshilli Europian i Bashkive, që dënoi iniciativën e ndërmarrë nga Pjerin Ndreu, si një tentativë për kapjen e kësaj shoqate. Ajo që doli në pah ishte pasiguria e mazhorancës në lidhje me vendimin e pritshëm.

Gazetari i “The Economist”, specialisti i Ballkanit, Tim Judah u bën jehonë zgjedhjeve monopartiake

Ku bazohet kërkesa e Voltana Ademit për pavlefshmërinë e zgjedhjeve

Drejtuesja e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, Voltana Ademi kërkoi shpalljen antikushtetues të zgjedhjeve të 30 qershorit duke u bazuar në dy argumenta.

Së pari është dekreti për caktimin e datës së zgjedhjeve, që u shfuqizua nga vetë presidenti dhe së dyti në problematikën e pjesmarrjes së Partisë “Bindja Demokratike” në garën për 31 bashki të vendit.

Për çështjen e parë, socialistët pretenduan se presidenti i vendit nuk mund ta shfuqizojë një dekret të tij, pasi koncepti i çdekretimit nuk ekziston në ligj apo Kushtetutë. Pikërisht kjo është çështja që duhet të përcaktojë Gjykata Kushtetuese, e cila duhet të marrë vendim, nëse mundet presidenti të shfuqizojë një dekret që ka nxjerrë vetë apo jo.

Del raporti përfundimtar i OSBE-ODIHR: E vërteta e 30 qershorit

Për çështjen e Bindjes Demokratike, problematika qëndron në mosrespektimin e afateve ligjore të regjistrimit të kandidatëve të kësaj force politike në zgjedhje. Duke nxituar ta përdorin si fasadë një forcë politike që u krijua pikërisht për këtë qëllim, socialistët lejuan të shkeleshin hapur afatet ligjore në Kodin Zgjedhor.

Bindja Demokratike u regjistrua në gjykatë me 25 prill dhe në KQZ u regjistrua më 27 prill. Vendimi i gjykatës mori formë të prerë më 10 maj. Por para se të regjistrohej në gjykatë si forcë politike, Bindja Demokratike ishte regjistruar në zgjedhje në 21 Prill.

E vetmja gjykatëse që nuk e pranoi këtë absurditet ishte Mimoza Margjekaj në Durrës. Ajo nuk ia dha mandatin kryetares së Bashkisë, Valbona Sakos dhe i konsideroi të paligjshme zgjedhjet e 30 Qershorit, për shkak të shkeljes së afateve ligjore të Bindjes Demokratike. Mimoza Margjekaj u burgos më pas nga një hetim i zbuluar nga SPAK, që e mbante në përgjim.

Rasti Margjekaj/ Hakmarrje politike apo goditje e korrupsionit të gjyqtarëve

Ideja e ankimit në Gjykatën Kushtetuese

Ideja e goditjes së zgjedhjeve në Gjykatën Kushtetuese erdhi fillimisht nga ambasada amerikane. Propozimi dukej surreal në një panoramë politike që i ngjante fotografive bardh e zi të para viteve 90.

“Ata që dëshirojnë të sfidojnë rezultatin e zgjedhjeve, mund të presin nga Gjykatën Kushtetuese, e cila shpresojmë do të ngrihet së shpejti, me gjykatës të cilët kanë kaluar një proces rigoroz vetingu” shkruhej në reagimin e ambasadës amerikane një ditë pas procesit.

Një vendim i Gjykatës Kushtetuese për vlefshmërinë apo jo të vendoreve monopartiake u vendos si kusht nga Bundestagu për çeljen e negociatave. Që atëherë ka kaluar thuajse një vit dhe disa nga kryebashkiakët socialistë janë rrëzuar njëri pas tjetrit për shkak të kaluarës së tyre kriminale dhe në mospërputhje me ligjin e dekriminalizimit.©Lapsi.al

https://lapsi.al/2021/06/16/si-rane-njeri-pas-tjetrit-gjashte-kryetare-bashkie/



6 Comments

  1. nuk me pelqen fotoja qe eshte perdorur ketu siper. rama ka dhe foto serioze te cilat mund te perdoren sa here i permendet emri. duket qe dashakeqesia e ketij portali eshte me e forte se cdo ndjenje tjeter

    1. O mik, nese s’te pelqen fotoja ketu siper shko thuaj atij qe ka dale ne foto si palikari me kepuce me maj,xhakete formale me corape deri te gjuri e me pantallona te shkurtera. Portali bile qenka treguar shume dashamires, se mund dhe te vinte ato fotot e Rames me hallate jashte ne plazh, por si duket se kane vene sepse kalojne patronazhistet ne orgazem:)))

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *