• |
ide | kryesore

A ka forcë kjo gjykatë kushtetuese për vendime të prera?

Blog



Gjykata Kushtetuese u përball ditët e fundit me disa vendime me rëndësi politike dhe kushtetuese në vend, siç ishin çështja e shembjes së Teatrit Kombëtar, ajo e vlerësimit të rolit të Presidentit në nxjerrjen e dekreteve për ministrat dhe sidomos çështja e fundit, vendimmarrja mbi legjitimitetin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019. Ajo sapo ka administruar edhe dosjen rreth vendimit të Kuvendit për shkarkimin e Presidentit. Në historinë e një Gjykate Kushtetuese çështje të tilla ndodhin rrallë, shumë rrallë, kurse në rastin tonë, për shkak të periudhës së gjatë pa Gjykatë Kushtetuese (2018-2021) dhe krizave politike të viteve të fundit, dosje nga më uniket bëhen të zakonshme në axhendën e saj.

 Me vendime pro ose kundër Teatri do të mbetet i shembur dhe nuk ekziston më, Presidenti ka hyrë në 10 muajt e fundit të mandatit, historia me dekrete do të vijojë edhe në të ardhmen, kryetarët e bashkive sapo konsumuan gjysmën e mandatit dhe koncepti i bojkotit elektoral nuk mund të kthehet në normë kushtetuese. Pra, sado të rëndësishme qofshin vendimet e pritshme, vlera më e madhe e tyre nuk është gjykimi bardh e zi, por norma kushtetuese që krijohet, interpretimi i Kushtetutës dhe impakti që do të kenë këto të fundit në të ardhmen.

Ditët e fundit, gabimisht debati rreth vendimeve të mundshme të Gjykatës Kushtetuese trajtohet gjithnjë nga pozitat aktuale politike, pro e kundër qeverisë/ pro e kundër Presidentit/opozitës, – duke u larguar de facto nga debati real dhe i trefishtë që do të duhej të ndodhte. E para, a ka kapacitete të mjaftueshme njerëzore Gjykata Kushtetuese për të marrë vendime që prekin sistemin e qeverisjes dhe legjitimitetin e institucioneve; e dyta a gjendet Gjykata Kushtetuese në gjendjen për të marrë vendime; dhe e fundit, a janë të përgatitura palët për pasojat e vendimeve të mundshme të Gjykatës Kushtetuese. Le ta shohim argumentet me radhë.

Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 7 anëtarë, ku drejtuesja e saj është në mandat pasiv, me mandat kushtetues të përfunduar dhe për pasojë, ushtruese e funksionit deri në zgjedhjen e emrit pasues, në një procedurë që tashmë ka nisur ligjërisht. Për vendimmarrje profesionale Gjykata Kushtetuese ka nevojë për anëtarë të plotë dhe të aftë, për ekspertizë konstitucionale dhe për staf të aftë mbështetës. Gjykata aktuale Kushtetuese e kaloi me sukses testin e vettingut, por në cilësi profesionale nuk ka krijuar ende bindjen se është më lart sesa Gjykata e vjetër Kushtetuese, e cila u rrëzua nga vettingu. Brenda saj ka anëtarë që më shumë sesa prej CV profesionale janë aty si produkt përfitimi nga procedura, nevojat emergjente dhe mungesa e konkurrencës, siç ka mungesa të theksuara të stafeve mbështetëse. Mjafton të lexohen disa nga tekstet e plota të vendimeve të fundit për ta kuptuar më mirë këtë dobësi. Nga ana tjetër, Shqipëria sot ka numër minimal ekspertësh kushtetues, ndofta 2-3. Nuk ka debate publike midis ekspertëve dhe disa prej atyre që marrin këtë rol në media ose rrjete sociale në tërësi janë juristë të atashuar pranë partive politike ose që qartësisht bëjnë kalkulime politike. Fakulteti kryesor i të drejtës në vend nuk ka ndonjë qendër të ekspertizës të thelluar kushtetuese, Shkolla e Magjistraturës jo se jo, si dhe prurjet nga jashtë, nuk kanë ndikuar në këtë boshllëk të madh në mendimin juridik shqiptar.

Për të marrë vendime Gjykata Kushtetuese ka detyrimin të ketë 5 vota pro ose kundër, pra të ketë një shumicë të qartë pro një opsioni vendimmarrjeje. Nëse ka votim dhe rezultati del 4 vs 3, Gjykata nuk merr vendim dhe çështja humbet vendimmarrjen për procedurë. Në rastet e çështjeve më rëndësi, si ato të cituara më lart, humbja për procedurë dhe mungesë kuorumi do të ishte varianti më i keq vendimmarrës në Gjykatën Kushtetuese. Mjafton të shihet vendimi për shkarkimin e ish kryetarit të bashkisë Vau i Dejës për të parë se në ndonjë pretendim sensitiv nuk u krijua shumicë, por rezultati ishte i ndarë 4 vs 3 vota, duke mos arritur të merret një vendim kushtetues. Në këtë kuptim, numerikisht, Gjykata Kushtetuese aktuale nuk është në gjendje reale për të marrë vendime të rëndësishme, për sa kohë mungojnë 2 anëtarë të tjerë, që do të siguronin në çdo rast ekzistencën e një shumice prej 5 anëtarësh. Kjo mund të ketë qenë edhe arsyeja që GJK vendosi që çështjen e legjitimitetit të zgjedhjeve lokale e zhvendosi në kohë, për të parandaluar ndarjen në vota dhe mungesën e një shumice kushtetuese vendimmarrëse.

Së fundi, Gjykata Kushtetuese merr dhe do të marrë vazhdimisht vendime, por sa i duam, i lexojmë, i kuptojmë dhe i respektojmë ato? Cili institucion e palë në padi ka pranuar përgjegjësitë që burojnë nga vendimmarrjet e GJK dhe pasojat e tyre? Ja një shembull, rasti i shkarkimit të kryetarit të Bashkisë Vau i Dejës. GJK dha një përfundim kritik, sipas të cilit shkarkimi u bë në shkelje të Kushtetutës, madje pa pasur një mbledhje të Këshillit të Ministrave dhe pa respektuar rrugën ligjore. Në një shtet serioz menjëherë do të duhej të kishte deklarim nga zyrtarët përgjegjës të kësaj shkeljeje, reflektim dhe marrje përgjegjësie prej tyre. Nuk ndodhi as njëra dhe as tjetra. Si përherë, fitorja ka shumë vëllezër, humbja është jetime! E njëjta situatë u përsërit edhe pas opinioneve të Komisionit të Venecias lidhur me Kodin Zgjedhor, me ndryshimet kushtetuese apo me nismën 2019 për shkarkimin e Presidentit. Cili politikan e zyrtar, cili institucion dhe cila parti pranoi përgjegjësitë? Asnjë. Të gjithë i lexuan opinionet sipas interesit politik të ditës. E njëjta po ndodh e do të ndodhë edhe me vendimet e pritshme të GJK. Dhe në këtë mënyrë, mundësia që GJK të ndikojë në maturimin e institucioneve dhe të politikës duket minimale, pra e kundërta e misionit të saj në një shtet demokratik.

Mësimi? Vlera? Pritshmëria? Mund të kemi probleme me KLGJ, KLP, strukturat e vettingut, etj, por asnjë institucion tjetër nuk ka rëndësinë dhe ndikimin që mund e duhet të ketë Gjykata Kushtetuese, sidomos në një vend si Shqipëria ku kulti i individit/udhëheqësit/partisë vijon të jetë më me ndikim se kulti i institucioneve. Pas eksperimenteve të shumta të 30 viteve tranzicion Shqipëria ka nevojë jetike për Gjykatë Kushtetuese të plotë, profesionale, të besueshme dhe me integritet, që merr vendime dhe ka kurajën të shohë e të gjykojë mbi interesat politike të ditës, mbi interesat e politikanëve që kanë promovuar karrierën e vetë gjyqtarëve dhe mbi këshillat e ambasadorëve periodikë, mbi paragjykimet e militantëve partiake dhe medias naive apo gjobëvënëse. Shqipëria ka nevojë jetike për drejtësi, për Kushtetutë dhe kushtetutshmëri, për norma dhe parime që garantojnë liritë tona, për institucione dhe për kulturë demokratike, – nevoja që në momente të rëndësishme të tranzicionit disa vende të tjera i kanë arritur edhe përmes vendimmarrjeve të Gjykatave Kushtetuese.

Afrim Krasniqi



4 Comments

  1. o na hongsh karin ti me gjithe gjykate kushtetuese

    o toci karit, shqiperia eshte vend i mbaruar, vend i deshtuar. njerezit ne shqiperi ikin edhe per buke te gojes ikin edhe sepse nuk jetohet ne nje hale

    dhe ti thua gjykata kushtetuese

    O toci karit, gjykata nuk punon dot kur nuk ka marreveshje. eshte pjese e kalkulimeve.

    qe gjykata te funksionoje do qe te kete mbeshtetje. pra o toci karit duhet qe te kete instiotuicione qe ti zbatojne vendimet pavaresisht se kush eshte ne pushtet. ne momentin qe cenohen interesat politike nuk ka me mbeshtetje dhe kjo pune ka marre fund

    gjykata vepron ne aq sa hapesire i lene grupet e pushtetit ne shqiperi. ne europe ne aq sa i lene hapesire mbeshtetjea e institucioneve te pavaruara check and balanca . edhe vete gjykata eshte check nad balance.

    pushteti eshte monopolizuar nga ripjellja dhe kjo sjell pafuqine e gjykates kushtetuese

    vendimet jane marre paraprakisht.

    ke nje mabasador qe del e thote qe komisioneri duhet te ankimoje per elisabeten e tropojes . kjo eshte presion.

    per me te per qe vete i kane financuar dhe mbeshtur kpk dhe kpa bkh spak klp klgj e ked e ild e nje hale me institucione qe s fuksionojne fare per drejtesine relae

    te gjiteh keta te emereuar rrogen e marrin, dietat po se po , vendime kot japin, por drejtesia do te duhej te ishte rezultati dhe drejtesi nuk ka per nje qytatar normal.

    ka padrejtesi per te gjithe shqiptaret. ne te shumte e rasteve ne disfavor, per nje grusht nrjerezish te rratheve te ripjlljes ne favor. e perbashketa eshte padrejtesia. gjykata kushtetutese nuk perben perjashtim sado qe te deshirosh ti o afrim , nuk bhet me deshire por me struktura dhe strukturat jane te anshme, te kapura dhe te tredhura . padrejtesia do te vijoje te mbizoteroje per dekada. A e di pse??

    sepse jemi nje vend i deshtuar dhe ripjellja e rames i vuri kazmen nga rrenja ketij vendi , shteti dhe njerezish. Ky dem do vite te rimekembet . nes pas 1997 u deshan 10 vjete te hyjme ne nato te levizim pa viza te kemi MSA te kishim rritje ekonomike , dhe kishim vetem kushtin e rames per qarkun e fierit per te hapur negociaotat me BE, sot demi i rames eshte i tragjik, duhen dekada per te vene ne vije shtetin nga droga, policine nga krimi, gjyqtaret ti shpetojme nga terrori i drejtesise se reformuar , te regullohet ekonomia dhe te ndaloje betonizimi dhe infiltrimi i krimit ne ekonomi, shtet , drejtesi, institucione. ky pastrim eshte i ngadalte dhe i veshtire , duhen dekada per rezultate do kalojne 2 breza nese jemi ne variantin optimist

    nderkohe rma do gezoje pasurine e ven mbi abuzimin , djersen dhe gjakun e shqiptareve.

    ne varinatin pesimist rama do shpallet i perjetshem. nuk ka nevoje per koment !

    rrofte Rama, rama vdiq!

  2. Afrim,e justifikove per kete gjashtemujor,pagen,por mendohu me mire,per te justifikuar gjashteshen e dyte….

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *