• |
ide | kryesore

Dolën nga Europiani e sfidojnë Shqipërinë në shtator: Hungaria frikëson më tepër se Polonia

-Instant, Sport



Hungaria e Polonia, dy kundërshtarët e shtatorit për Shqipërinë në fushatën drejt Katar 2022 kanë ndryshuar shkallën e vështirësisë që paraqesin për kuqezinjtë me atë cfarë kanë treguar në Euro 2020. Dy kombëtaret kanë dalë vërtetë nga kompeticioni, por me performanca krejt ndryshe nga sa mendohej. Kështu, nëse Polonia e Paolo Sousas duhej të ishte ajo që frikësonte më shumë, Reja tani duhet të bëjë mirë llogaritë me Hungarinë impresionuese të Marco Rossit.

Tekniku i lindur dhe i rritur në pankinat hungareze pas një karriere si lojtar në fushat e Serie A e B, nga 2012 jeton në vendin magjar ku ka drejtuar edhe Honvedin mitik të Budapestit përpara se të merrte drejtimin e Kombëtares së Hungarisë. Pasi mori kualifikimin në fazën finale të Euro 2020, Rossi e hungarezët e panë veten në Grupin e ferrit me Portugalinë, Francën e Gjermaninë. E megjithatë ata gati kaluan në 1/8 në dëm të gjermanëve, që shpëtuan vetëm me një barazim me fat, duke i shuar ëndërrën skuadrës së Marco Rossit. Por ajo që bën diferencën për teknikun italian janë 15 fitoret e vetëm 7 humbjet në 32 ndeshjet në detyrë. Nuk është kaq e gjitha, sepse në 14 takimet e fundit, Hungaria llogarit vetëm një humbje, atë kundër kampionëve të Europës së Portgalisë në Europian dhe 6 barazime mes të cilave kundër kampionëve të botës së Francës dhe Gjermanisë, po në grupet e Euro 2020.

Gati një vit pa humbje për hungarezët bindës me lojë e rezultate, pikërisht e kundërta e asaj që prodhoi Polonia e Paolo Sousas. I ardhur në krye të kombëtares vetëm në janar të këtij viti për të zëvendësuar Jerzy Brzęczek, gjërat për portugezin nuk shkuan fare mirë: në tetë ndeshje në krye të polakëve ka marrë vetëm një fitore e katër barazime, një nga të cilat në Europiani ku doli i fundit në Grupin E me një pikë. Ndoshta Sousa u përball me sindromën e Polonisë: prej gati 20 vjetësh në turnetë e mëdhenj verorë ata kanë dështuar rregullisht. Kombëtarja që vinte gjithnjë entuziaste shkatërronte gjithcka në 90 minutat e para, mundohej ti sistemonte në mënyrë konfuze në ndeshjen e dytë, për ti dhënë lamtumirën pas të tretës. Shkoi kështu në Russia 2018, në Gjermania 2006, në 2008 e në 2012, në turneun e shtëpisë. Përjashtimi i vetëm ishte 5 vjet më parë kur gati eleminoi Portugalinë kampione e ardhshme e Europës në cerekfinale. Por atëherë nuk ishte Sousa, për të cilin që kur debutoi me barazim, pikërisht kundër Hungarisë së Rossit e me rezultatetet e dobëta që e pasuan, është kërkuar gjithnjë shkarkimi, për është mbrojtur gjithnjë nga presidenti i Federatës Bonjek, sponsori i tij i madh. E megjithatë në gusht kur janë zgjedhjet gjërat mund të ndryshojnë dhe në shtator në pankinë kundër Shqipërisë të mos jetë Sousa, pavarësisht kontratës deri në Katar 2022 që e lidh me Poloninë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *