• |
ide | kryesore

Euro 2020, Franca kampione bote sfidohet nga Shaqiri e të tjerët: Spanja përballë nënkampionëve

-Instant, F1, Sport



Dy skuadra të tjera do të përcaktohen sonte si çerekfinalistë të Euro 2020. Spanja do të kërkojë ti japë vazhdimësi performancës së prodhuar në fushë në ndeshjen e tyre të fundit të grupit në Euro 2020, kur përballë të kenë Kroacinë në sfidën për 1/8 e kompeticionit. La Roja avancoi në 16 më të mirat si e dyta e Grupit E, që në fakt është i njëjti status i Kroacisë, që u pozicionua pas Anglisë në Grupin D. Në ndeshjen tjetër, Zvicra synon një tronditje të përmasave sizmike, kur të përplasjet në 1/8 e Euro 2020, kundër kampionëve në fuqi të botës, Francën, në Arenën Kombëtare në Bukuresht. Les Bleus përfunduan të parët në grupin F për të avancuar në ndeshjet me eleminim direct, ndërsa kundërshtari i tyre mori kreditet e një prej të tretave më të mira, falë performancës super të Shaqirit në ndeshjen e fundit.

SPANJE-KROACI
Formacioni i Kroacisë pritet të ketë një pamje të ngjashme me atë që zbriti në fushë kundër Skocisë, me Modric, Marcelo Brozovic dhe Mateo Kovacic të rreshtuar përsëri në një mesfushë me tre, në modulin e preferuar të Zlatko Dalic 4-3-3. Sidoqoftë, tekniku një problem e ka dhe të madh madje, sepse nuk do të jetë në gjendje ti besojë Perisic, i cili ka rezultuar pozitiv për koronavirus, gjë që mund t’i lejojë Ante Rebic mundësinë për të luajtur nga minuta e parë në Kopenhagen. Në krahun tjetër, Vlasic, titullar kundër skocezëve, e justifikoi besimin me një gol, që mund ti japë të drejtën e përgjedhjes edhe ndaj iberikëve. Sime Vrsaljko shpreson të fitojë përsëri pozicionin e tij në të djathtë të mbrojtjes, të marrë në ndeshjen e fundit nga Josip Juranovic, por në të kundërt ballkanasit do të jenë një ekip i pandryshuar përveç Perisic, me Bruno Petkovic që sipas të gjitha mundësive do të udhëheqë majën e sulmit përballë Spanjës.

Sa i përket Spanjës, nuk ka dyshim që paraqitja kundër Sllovakisë e ka kënaqur Luis Enrique, me teknikun që sipas asaj që filtron do t’i japë një tjetër mundësi nga minuta e parë Sarabias në tridhëmbëshin e sulmit. Krahu i djathtë i mbrojtjes edhe këtë herë do të jetë i Cesar Azpilicuetas, me Marcos Llorente të destinuar për në pankinë, pavarësisht presionit të tifozëve për ta parë lojtarin e Atleticos në fushë si sulmues i dytë. Enrique megjithatë më shumë mund të ndryshojë linjën katërshe të mbrojtjes, me Pau Torres që mund të marrë vendin e Eric Garcia, për të nisur si titullar në krah të Laporte. Tekniku iberik nuk kërkon të ndryshojë shumë skuadrën fituese, ndaj dhe Ferran Torres e Thiago Alcantara mund të jenë sërisht në pankinë, pavarësisht se patën një impact të rëndësishëm kur erdhën si zëvendësues kundër Sllovakisë. I gjithë debati në Spanjë vërtitet rreth Moratas, por 28-vjeçari, i cili humbi një penallti të mërkurën, me sa duket ka mbështetjen e plotë të trajnerit të tij dhe me shumë mundësi do të ruajë pozicionin e tij në qendër të sulmit, bashkë Gerard Morenon e Sarabian, për një Spanjë ritmike e vrasëse para portës.

ZVICËR – FRANCË
As kampionët në fuqi të Botës nuk mund të dilnin nga grupi i Ferrit me nëntë pikë në renditje, me skuadrën e Didier Deschamps që nuk mundën të kopjonin performancën e tyre të debutimit kundër Gjermanisë, në përplasjer e egra me Hungarinë e Portugalinë. Sikur të mos mjaftojnë dy barazimet radhazi për të stopuar euforinë e Gjelave, infermieria e Francës po mbushet në kohën më të keqe të mundshme për teknikun, që duhet të bëjë pa Ousmane Dembele për pjesën e mbetur të turneut, ndërsa Lucas Digne do të humbasë ndeshjen e 1/8. Mbrojtësi i Everton u dëmtuar pas vetëm 7 minutash në fushë, kur hyri si zëvendësues kundër Portugalisë. Kështu që Deschamps shpreson dëshpërimisht të rikuperojë Lucas Hernandez në kohë, përndryshe Leo Dubois ose Adrien Rabiot mund të bëhen mbrojtës të majtë emergjentë. Situata nuk është aspak e mirë sepse edhe Marcus Thuram dhe Thomas Lemar kanë pësuar dëmtime të lehta në stërvitje, por duhet të jenë gati për ndeshjen, pavarësisht se Deschamps nuk ka shanse të mendojë të riorganizojë kontigjentin e tij ofensiv me Mbappe-Benzema-Griezmann.

Zvicra mund të jetë inferior në kuotime, por situata aty është shumë më e mirë, të paktën për kondicionin e lojtarëve, pasi Petkovic nuk ka asnjë dëmtim ose shqetësim skualifikimi përpara sfidës në Bukuresht. Remo Freuler e ka mbajtur larg formacionit Denis Zakarian deri tani dhe duhet të jetë kështu përsëri, kështu që dilema e vetme e vërtetë për Petkovic është nëse do të fillojë nga minuta e parë me Kevin Mbabu apo Silvan Widmer në krahun e djathtë. Performanca e
Shaqirit kundër Turqisë e pa shqiptarin të bëhej golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave për Zvicrën në turnetë e mëdhenj, dhe një tjetër gol kundër Francës do ta bënte lojtarin e Liverpooli të kalonte Hakan Yakin (tre) për t’u bërë shënuesi më i mirë i vendit të tij në Europian. Përkundër të gjitha vuajtjeve të tij te Liverpool, Shaqiri nuk ka nevojë për ndonjë motiv shtesë për të dhënë më të mirën për ekipin e tij kombëtar e 29-vjeçari diktoi rrugën e zviceranëve drejt kualifikimit dhe tani kërkon të lërë gjurmë, përballë kampionëve të botës.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *