• |
ide | kryesore

Euro 2020, Italia e rekordeve përballë numrit 1 në botë: Zvicra e Shaqirit tremb Spanjën

-Instant, F1, Sport



Është koha e cerekfinaleve dhe përplasjeve të para që do të përcaktojnë dy nga katër më të mirat e kontinentit. Dy pesha të rënda do të vihen përballë në Mynih, me Belgjikën që përplaset me Italinë. Në Allianz Arena, belgët, që aktualisht pozicionohen si numri 1 në botë, vijnë të pamundur prej një viti, ndërsa të kaltrit janë ekzaltuar nga rekordi i ri kombëtar me 31 ndeshje radhazi të pamposhtur. Në ndeshjen tjetër, menjëherë sapo ka eleminuar favoriten kryesor të turneut, Francën, në raundin e 1/8, për Zvicrën projektohet një tjetër sfidë me tension të lartë, në të cilën skuadra e Petkovic do të përpiqet të bëjë të njëjtën gjë. Kundër Spanjës, në Shën Petersburg, është mundësia për të kaluar në katër më të mirat e Euro 2020.

BELGJIKË – ITALI
Roberto Mancini në vigjilje të sfidës kundër Belgjikës, duket se është më i qartë se një ditë më parë Kapiteni Giorgio Chiellini ka rikuperuar dhe duket se do të sfidojë Lukakun në fushë, edhe pse një lloj skepticizmi ndihet tek tekniku në lidhje me kondicionin e juventinit, pas dëmtimit kundër Zvicrës e mungesës ndaj Uellsit e Austrisë. Nëse Chiellini nuk do të ndihet gati, hapësirë përsëri për dyshen Bonucci-Acerbi. Protagonisti i fitores në 1/8 kundër Austrisë në kohën shtesë, Federico Chiesa duket se do të jetë në fushë nga minuta e parë. Mancini është i tentuar për të aktivizuar juventinin në përpjekje për të thyer murin belg nga e djathta, në një tridhëmbësh me Immobile e Insigne. Për pjesën tjetër, konfirmohen Di Lorenzo e Spinazzola në krahë e blloku i mesfushës Barella-Jorginho-Verratti.

Belgjika mund të jetë pa dy lojtarët kryesorë, të paktën nga minuta e parë, pasi si Kevin De Bruyne ashtu edhe kapiteni Eden Hazard u dëmtuan kundër Portugalisë. Ka një detaj të rëndësishëm megjithatë, të 24 lojtarët e Djajve të Kuq janë aktivizuar në një moment të caktuar në të katër ndeshjet e para të Belgjikës, me vetëm portierët rezervë që ende nuk kanë dalë në fushë. Simon Mignolet, u detyrua të tërhiqej nga skuadra për shkak të një dëmtimi në gju të marrë javën e kaluar, kështu që Thomas Kaminski tani është bashkuar me ekipin si zëvendësues. Timothy Castagne është i padisponueshëm pasi pësoi fraktura në fytyrë në ndeshjen hapëse, kështu që lojtarët e krahut do të qëndrojnë të njëjtë – me Thomas Meunier dhe Thorgan Hazard; ndërsa qendra e mesfushës do të zotërohet nga Axel Witsel dhe Youri Tielemans. Kështu, Martinez do të zbresë në fushë me një skuadër plot kualitet, edhe nëse De Bruyne apo Hazard nuk ia dalin. Lukaku, Carrasco e Mertnes janë alternativa që përkthehen me gol për një skuadër që komandon prej tre vjetësh renditjen FIFA, edhe pse nuk ka fituar asnjëherë një turne madhor.

ZVICER – SPANJË
Megjithë dëshirën për të përsëritur befasinë edhe ndaj Spanjës, Zvicra do të duhet të kalojë traumën e shkaktuar nga mungesa e Granit Xhaka, të pezulluar për shkak të kartonit të verdhë që ai mori në fitoren ndaj Francës. Mesfushori me origjinë shqiptare pritet të zëvendësohet nga Denis Zakaria në qendër të fushës, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës së Petkovic duhet të jetë e pandryshuar në krahasim me atë që zbriti në fushë për përplasjen me favoritët e Didier Deschamps. Seferovic, i cili shënoi një dygolësh kundër Francës, me shumë mundësi do të formojë dyshen e sulmit me Breel Embolo, ndërsa Xherdan Shaqiri do të mbështesë ofensivën me fantazinë dhe dinamizmin që e karakterizon. Gavranovic shënoi golin që e coi ndeshjen me francezët në shtesë duke ardhur nga pankina, por 31-vjeçari përsëri do të jetë ndër zëvendësuesit, në një ndeshje ku pankinat mund të kenë një rol tepër të rëndësishëm.

Asnjë problem formacioni për Spanjën, Enrique pritet ti besojë të njëjtëve futbollistë që luajtën kundër Kroacisë, me Ferran Torres dhe Pablo Sarabia që do të formojnë tridhëmbëshin ofensiv me Moratën në qendër të sulmit. Cesar Azpilicueta dhe Eric Garcia duhet të preferohen përpara Marcos Llorente dhe Pau Torres në prapavijë, ndërsa nuk pritet të ketë ndonjë ndryshim në mesfushën me tre. Enrique nuk e ka humbur asnjëherë besimin te Morata dhe sulmuesi ishte mes atyre që vendosën emrin në listën e shënuesve kundër Kroacisë, gjë që do të thotë se do të ketë një tjetër fanellë titullari për 28-vjeçarin në çerekfinale. Dani Olmo dhe Oyarzabal do të ofrojnë mbështetje nga stoli, ndërsa Gerard Moreno i Villarreal do të jetë gjithashtu i etur për të lënë gjurmën e tij, pasi deri më tani nuk ka qenë në gjendje të replikojë formën e tij me klubit. E megjithatë me 10 gola të shënuar në dy ndeshje Spanja duket se e ka rigjetur mënyrën për të qenë atraktive dhe fituese…



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *