• |
ide | kryesore

Pandemia rriti me 30% numrin e personave të regjistruar për ndihmë ekonomike

-Instant, Lajme, Të fundit



Pandemia Covid-19, e cila i shtriu efektet e saj negative gjerësisht në ekonomi, e përkeqësoi trendin e varfërisë. INSTAT raportoi se stoku i personave që janë regjistruar për të përfituar ndihmën ekonomike në tremujorin e parë të vitit aktual shënoi rritjen më të lartë që nga viti 2018, kur ndryshoi metodologjia për përfitimin e ndihmës.

Gjatë janar -mars 2021 stoku i personave që janë të regjistruar për të përfituar ndihmë ekonomike arriti në 29,579 me një rritje 30 për qind në raport me tremujorin e parë të vitit 2020.

Rritja e personave që kërkojnë trajtim financiar për ndihmën ekonomike pësoi rritje të ndjeshme që nga tremujori i dytë i vitit 2020, ku efektet e krizës pandemike u reflektuan në ekonomi.

Në fillim të këtij viti qeveria miratoi një vendim për dyfishimin e masës së ndihmës ekonomike deri në qershor 2021.

Sipas ligjit në fuqi, masa e ndihmës ekonomike përcaktohet sipas strukturës së familjes, por në asnjë rast ajo nuk mund të jetë më tepër se 150 për qind e pensionit social, që është 7 675 lekë.

Pavarësisht nga numri i anëtarëve, një familje nuk mund të përfitojë më tepër se 11.510 lekë. Vendimi i qeverisë përcakton se maksimumi i ndihmës ekonomike shkon në 23 020 lekë. Por ky vendim ka fuqi deri në fund të këtij muaji.

Ndihmën ekonomike e përfitojnë familjet pa të ardhura ose me të ardhura të pamjaftueshme, j jetimët të cilët nuk janë në institucione. viktimat e trafikimit, viktimat e dhunës në familje, etj.

Pandemia Covid-19 ndikimet negative i kishte me të mprehta i kishte tek shtresat e varfra dhe ato që ishin afër pragut te të ardhurave me (5,5 dollarë, sipas fuqisë blerëse) në ditë, kufiri i varfërisë relative i matur me standardet e Bankës Botërore.

Sipas Bankës Botërore pandemia Covid -19 ka futur në hartën e varfërisë edhe rreth 112 mijë persona rishtas. Ndikimi i pandemisë në Shqipëri ishte më i mprehtë se në Rajon për shkak se, në Shqipëri një pjesë e madhe e popullsisë kanë të ardhura shumë afër kufirit të varfërisë. Ndaj një luhatje e vogël në ekonominë e vendit dhe në punësim ka ndikim shumë të lartë në nivelin e varfërisë se sa në vendet e tjera. Në fund të tremujorit të parë të vitit 2021 gati 34 për qind e punonjësve ishin të paguar me pagë minimale (30 mijë lekë).

Ekspertet e Bankës Botërore sugjerojnë se, ulja e qëndrueshme e varfërisë arrihet duke investuar në aftësitë e të rinjve (përmes arsimit) dhe të rriturve (përmes programeve të tregut të punës). Të tjera mjete, janë rritja e ndihmës sociale për fëmijët dhe të rriturit e moshuar në varfëri, lehtësimi i gjenerimit të punësimit sidomos në qytetet e vogla dhe zonat rurale dhe përmirësimi i strehimit dhe shërbimeve sociale, që do të krijonte përmirësime të drejtpërdrejta në cilësinë e jetës për të varfrit./ MONITOR



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *