• |
ide | kryesore

Islanda realizon me sukses provën për 4 ditë pune në javë

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Hulumtuesit kanë bërë të ditur se prova më e madhe e bërë ndonjëherë në botë e zhvilluar në Islandë për të zbatuar një sistem me katër ditë pune në javë, ka përfunduar me sukses të madh dhe se plani duhet të testohet edhe në Britani.

Në kuadër të hulumtimit të bërë në Islandë, mbi 1 për qind të popullsisë që punon në vend, morën pjesë në pilot-programin që ul kohën e punës javore në 35-36 orë pa asnjë ulje në rrogë.

Programi u zbatua në mesin e grupeve të ndryshme, përfshirë punëtorët, punonjësit nëpër zyra, si dhe ato të spitaleve dhe shërbimeve sociale, që punojnë në modelet jostandarde të ndërrimit mes orës 09:00-17:00.

Pas testimit në fjalë, në analizën e përbashkët të Shoqatës islandeze të Qëndrueshmërisë dhe Demokracisë (Alda) dhe think-tankut britanik Autonomy, vihet në pah se prova që ka zgjatur nga viti 2015 deri në vitin 2019 me pjesëmarrjen e 2.500 personave ka rritur produktivitetin dhe mirëqenien.

Pilot-programi tregoi se mirëqenia e punëtorëve që morën pjesë në provë u përmirësua ndjeshëm në një numër indikatorësh, pasi stresi dhe lodhja, si dhe shëndeti, puna dhe ekuilibri i jetës u përmirësuan ndjeshëm në pothuajse të gjitha grupet që morën pjesë.

Nga ana tjetër, hulumtuesit vëzhguan se personat që morën pjesë në provë ose mbetën në nivelet e njëjta ose u përmirësuan në aspektin e produktivitetit dhe ofrimit të shërbimit.

– “Islanda vuri në pah një shembull të shkëlqyeshëm të jetës reale edhe për Britaninë”

Federatat sindikale të Islandës që negociojnë kolektivisht pagat dhe kushtet për shumicën e punëtorëve islandezë, filluan negocimin e uljeve të orës së punës.

Gudmundur D. Haraldsson, një nga hulumtuesit e Alda-s, në lidhje me provën tha se “Udhëtimi i javës më të shkurtër të punës në Islandë na tregon se jo vetëm që është e mundur të punohet më pak në kohët moderne, por ndryshimi progresiv është i mundur”.

Drejtori i Hulumtimit në Autonomy, Will Stronge, nga ana e tij theksoi se ky studim tregon se sektori publik është i gatshëm të kryesojë javë më të shkurtra pune dhe se mund të merren mësime për qeveritë e tjera.

Propozimi për të punuar katër ditë në javë në Britani mbështetet gjithashtu nga disa pjesë të komunitetit.

45 deputetë nga parti të ndryshme, përfshirë Partinë Laburiste të opozitës, nënshkruan një mocion vitin e kaluar duke i bërë thirrje qeverisë për të ngritur një komision për të shqyrtuar propozimin.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *