• |
ide | kryesore

“Minishengeni Ballkanik” ndan Shqipërinë me Kosovën në Berlin/ Rama në sintoni me Brnabiq

-Instant, Arkiva, Kryesore, Lajme



I ndërgjegjshëm se largimi i Angela Merkel nga skena politike është çështje kohe, i frustruar nga refuzimi konstant i Bashkimit Europian për hapjen e negociatave dhe përballë shurdhërisë shpërfillëse të europianëve ndaj idesë së “Minishengenit Ballkanik”, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama nuk e kurseu cinizmin në Samitin online të Berlinit, kur iu drejtua kancelares gjermane.

E shfaqi cinizmin kur i citoi Merkelit, ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, të cilit iu referua me epitetin “legjendari”, ndërsa preku tërthorazi pretendimet bullgare që çuan në refuzimin e fundit për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

“Nacionalizmat në BE po e ndërlikojnë shumë rrugëtimin tonë europian e po luajnë shumë rolin e kundërt me të. Megjithatë, siç thoshte edhe legjendari Donald Trump, “Është kjo që është”, kësisoj na duhet të ecim përpara me atë çka kemi” u shpreh Rama në samit.

Cinik ishte edhe kur krahasoi përfitimet për frymë të qytetarëve të Kroacisë me ato të vendeve të Ballkanit Perëndimor nga Plani i BE-së. Ndihmat në investime, të cilat Bashkimi Europian i kujton për të mbajtur pranë vendet e Ballkanit Perëndimor, doli se ishin dhjetë herë më shumë për kroatët.

“Ne nuk kemi iluzionin se të gjitha këto do të na shpëtojnë nga hendeku shumë, shumë i madh, midis nesh dhe Bashkimit Europian, pasi, sa për t’ju dhënë vetëm një shifër, në Planin e Bashkimit Europian 2021-2027, Ballkani Perëndimor do të marrë 507 euro për frymë. Pa bërë krahasime me të tjerët, por vetëm duke u krahasuar me Kroacinë, ajo do të marrë 5195 euro, natyrisht të mirëmerituara, për frymë; por ja që është kështu si është” u shpreh Rama, që me këtë fjali provokoi të qeshurat e Brnabiq në anën tjetër të kompjuterit.

Por ajo që ra në sy në fjalën e Ramës ishte këmbëngulja për të vënë përballë përfaqësuesve të BE-së projektin e Minishengenit Ballkanik. Pa e përmendur nominalisht, Rama tha se Shqipëria do të ecë përkrah Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut në përshpejtimin e procesit të integrimit.

“Nuk do të shohim të kemi konsensus me çdo kusht për çdo gjë. Do të kërkojmë gjithëpërfshirje të plotë në proces të gjithsekujt që kërkon ta përshpejtojë këtë proces. Me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut dua ta bëj shumë të qartë, nuk kemi vendosur të ndajmë gjësend, nuk kemi vendosur të ndajmë askënd, thjesht kemi vendosur të ecim sa më shumë që të jetë e mundur” u shpreh Rama.

Lexo edhe: Shengeni Ballkanik/ Si po manipulon Edi Rama?

Lexo edhe: Kosova pjesë e Serbisë/ Si shihet në Beograd mini-shengeni Rama – Vuçiç

Lexo edhe: “A duhet “mini-Shengen Ballkanik?”/ Dë: Lënia jashtë e Kosovës ka hapur polemika të forta

Nisma e Vuqiqit, Ramës dhe Zaevit deri tani është shpërfillur nga Bashkimi Europian. Shpesh është konsideruar si zëvëndësuese e Procesit të Berlinit dhe një devijim, që Kosova nuk e pranon. Për Albin Kurtin që ishte pjesë e takimit, mesazhi ishte i qartë.

“Të gjithë janë të mirëseardhur, por duke deklaruar përherë që nuk do të presim asnjërin” tha Edi Rama duke iu referuar kryeministrit të Kosovës.

Minishengeni Ballkanik ishte pikë referimi edhe për kryeministren e Serbisë, Ana Brnabiq, që foli në takim për të njëjtën nismë. Në faqen e kryeministrisë së Serbisë, njoftimi për Samitin e Berlinit, ndër të tjera bën me dije se: “Falë mbështetjes së Gjermanisë dhe të Kancelares Merkel, por edhe falë nismave të brendshme të përfaqësuesve të Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, Kryeministrja (Brnabiq_ shpjegoi se implementimi i Planit të Aksionit do të bëjë të mundur zhvillim të mëtejshëm ekonomik dhe bashkëpunim në tregun rajonal, duke e bërë akoma më joshës për investitorët e huaj” (Lexo të plotë këtu)

Por ndryshe nga Rama dhe Brnabiq, kryeministri i Kosovës Albin Kurti pati një tjetër qasje për rrugën e afrimit me Bashkimin Europian. Kurti iu përmbajt nismës së Merkel për ta integruar rajonin përtej ndarjeve nëpërmjet nismës CEFTA, por që sipas tij duhet ndryshuar në Marrëveshja e Tregtisë së Lirë për Evropën Juglindore.

“Duke ditur që korniza aktuale rajonale nuk mund të na përgatisë për pranimin në BE, në Tiranë unë kam propozuar që të avancojmë CEFTA-n në SEFTA (Marrëveshja e Tregtisë së Lirë për Evropën Juglindore) bazuar në modelin EFTA – EEA që do të lartësonte të gjithë rajonin dhe do të kapërcente pengesat aktuale.Ne shpresojmë që Komisioni Evropian do ta konsiderojë seriozisht këtë propozim dhe të fillojë një dialog që do të çonte në rezultate konkrete” u shpreh Kurti në takim.

Lexo edhe: Kurti në Forumin e Prespës: Mini-shengeni Ballkanik pa vizion për rajonin, e refuzojmë ashpër

Lexo edhe: Rama: Minishengeni Ballkanik është rruga e vetme që Serbia të njohë Kosovën

Lexo edhe: “Minishengeni Ballkanik”/ Pse Albin Kurti po e godet “pas shpine”Ramën

Nisma e ashtuquajtur “Minishengeni Ballkanik” nuk njihet nga Bashkimi Europian. Në takimin e fundit për këtë nismë, Vuçiç, Rama dhe Zaev i bënë thirrje Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara që të mbështesin “zhvillimin e projekteve në vendet e rajonit, përmes së cilave do të mund të investohej sa më shpejt të jetë e mundur në mbrojtjen dhe rritjen e përdorimit të gjerë të burimeve të rinovueshme, si pjesë e zbatimit të Planit Ekonomik dhe të Investimeve të BE-së dhe Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor”.

Por nga Bashkimi Europian nuk pati asnjë reagim për këtë thirrje. Takimet e “minishengenit” janë refuzuar nga Albin Kurti, që ka theksuar gjithnjë nevojën për afrim mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Lexo edhe: Mini Shengeni/ Rama godet Kosovën në sy liderëve ballkanikë

“Ne jemi dhe gjithmonë do të jemi një popull dhe askush nuk mund të qëndrojë mes nesh. Ne na duhet më shumë bashkëpunim e jo konfrontim”, është shprehur Albin Kurti, në një nga komentet e tij për nismën e të ashtuquajturit Minishengeni Ballkanik./Lapsi.al



13 Comments

  1. Nga turpi njerezimit e bere legjendar o Ramazon gazepi. Trump eshte i madh por kur kjo fjale del nga goja jote e ndyre e humb vleren.

  2. Te pakten nuk e fsheh qe eshte sllavofil dhe nuk i intereson as kombi as ato 2-3 shtete me shqiptare!
    ….ndryshe nga ati shpirteror(ne mos edhe biologjik) qe e fshihte kete gje!

  3. Në një konferencë shtypi të datës 5 gusht 2013 (pra 40 ditë përpara se Edi Rama të formonte qeverinë e tij të parë), Drejtori i Repartit të Aviacionit të Guardia Di Finanza, Stefano Bastoni, publikoi përmasat e kultivimit të hashashit në territorin shqiptar. “Avionë me teknologji të përparuar fluturuan dhe zbuluan qindra plantacione me kanabis, lëndë narkotike që më pas masivisht trafikohet në Itali”.

    Bastoni përmendi si zona problematike Shkodrën, Fierin, Vlorën, etj., por theksin e vuri tek Lazarati. “Kemi bërë fotografi nga lartësia që dëshmojnë realitetin në Lazarat si kurrë më parë”. Sipas Bastonit, lënda narkotike mund të arrijë në 900 tonë, me një vlerë shitjeje mbi 4.5 miliard euro.”Nje kujtese per ju shpellkaret e cecenit salih,ja cfare bente salihu gjate pushtetit të tij,4.5miliarde euro

  4. E ka marre dreqi Shqiperine, qe kur Enver tumi u komandua nga serbet Mugosha e Popovic. Nuk del kanceri serb. Zoti na ndihmofte qe mos te zhdukemi fare si komb.

  5. Pastrim i magazinave te rezervave ushqimore te BE. Jemi qenefi i europes ne te gjitha kuptimet. Se nga ajri na mbyten e na mbyten. Na uji po e po. Ec perpara o shqiptdhjeri.

    1. Ku ka shkuar krenaria eeee. Kur ishim atehere, nuk kishim as magazina e as per te ngrene..Hanim bar se desh partia

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *