• |
ide | kryesore

SPAK godet majtas/ Rama paralajmëroi Tushen dhe të tjerët në Kongresin e PS

-Instant, Arkiva, Kryesore, Lajme

Kalimi i stafetës mes lotësh tek vajza e të ndjerit Bashkim Fino dhe përcjellja me përqafime e Gramoz Ruçit drejt jetës së re prej pensionisti politik, krijoi një atmosferë të ndjerë në Kongresin e fundit të Partisë Socialiste, ndaj mesazhi i Edi Ramës për ata që do të goditeshin nga drejtësia e re dhe nuk do të mbroheshin nga partia, pati nuancat e një arrogance të pavend, e papërshtatshme me solidaritetin që mori krahë në stadiumin Air Albania, mes atyre që parapëlqejnë të përkëdhelin njëri-tjetrin me emërtimin “familja e madhe socialiste”.


Por Rama foli troç në Kongresin e 12 Qershorit. Sot që Fatos Tushe është prapa hekurave, mesazhi tingëllon si paralajmërim i pastër.


Flamuri i PS nuk mund dhe nuk do të bëhet dot mbulesë për asnjë ministër, për asnjë deputet, për asnjë drejtor, për asnjë shef, nëse drejtësia e re do të kërkojë hesap prej tij apo prej saj. E kam thënë dhe më parë sepse e kemi parë që na është dashur të ndeshemi me këtë sfidë dhe e përsëris dhe sot, partia nuk mban përgjegjësi për askënd që shkel në dërrasën e kalbur të paligjshmërisë por mban përgjegjësi për sesi reagon ndaj kujt shpallet nga drejtësia si i kërkuar për shkelje. Reagimi ynë do të jetë edhe më i qartë dhe më i prerë: “Ik sqarohu para drejtësisë me avokatin tënd sepse PS nuk është zyrë avokatie e asnjërit nga ne” tha Rama.

Kur i tha këto fjalë, përballë, ulur në shkallët e stadiumit ishin deputetë, ministra, kryebashkiakë, drejtorë të të gjitha llojeve dhe mes tyre, Fatos Tushe. Vështirë që këto fjalë t’ia vrisnin veshin kryebashkiakut. Me gjasë, edhe ai si të tjerë, u mallëngjye nga lamtumira e Ruçit.
Pak a shumë të njëjtin mesazh Rama e përsëriti, ndërsa Fatos Tushen e shoqëronin me furgon për në qelitë e Drejtorisë së Policisë në Tiranë.

“Kryetari i Bashkisë së Lushnjës dhe cilido tjetër i akuzuar nga drejtësia në këtë rast apo në çdo rast, nuk do të ketë asnjë mbrojtje nga Partia Socialiste e duhet të përgjigjen vetë para drejtësisë, me avokatët e tyre e me gojën e tyre. Çdo zgjedhës duhet ta dijë se besnikëria jonë ndaj tij nuk varet nga asnjë individ, po është flamur beteje i PS për ta bërë Shqipërinë të ardhmen tonë dhe çdo i zgjedhur nuk duhet ta harrojë se flamuri i PS s’mund të bëhet mbulesa e askujt, për asnjë interes apo faj vetjak”, shkruajti Rama në Twitter.

A u koordinua SPAK me Ramën?

Me prangosjen e Fatos Tushes, kryebashkiak i socialistëve për katër mandate rresht në Lushnjë dhe anëtar i Asamblesë së PS-së prej më shumë se 12 vitesh, prokurorët e SPAK ngacmuan për herë të parë pushtetin e Edi Ramës. Nuk kishin guxuar në asnjë rast, që nga krijimi i Prokurorisë së Posaçme në dhjetor të vitit 2019. Nga mënyra se si u sollën me disa dosje “të rënda” SPAK kishte dëshmuar për ekzistencën e “vijave të kuqe” në hetimet e socialistëve në pushtet. Mëkatet e tyre qenë tabu për hetimet e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion.

I tillë ishte rasti i dosjes 339 në Durrës. SPAK nuk i doli për zot përgjimeve të Vangjush Dakos me bandën e Avdylajve. Hetimet degraduan në dënimin e disa komisionerëve në Shijak që kishin manipuluar votat e emigrantëve në tre fshatra.

I tillë ishte rasti i dosjes 184. SPAK nuk i doli për zot përgjimeve të kryeministrit Rama, të ministrave Tahiri, Gjiknuri dhe deputetëve Ndreu, Manja, Qefalia etj, që flisnin me policët e përfshirë direkt ne blerjen e votave dhe në presionet e qytetarëve për të votuar PS ditën e zgjedhjeve.

I tillë ishte rasti i dosjes së të dërguarve të Ndragheta-s në Tiranë, që ishin përgjuar nga Antimafia italiane duke bërë pazare për tendera publikë dhe investime të fuqishme në kullat e kryeqytetit përkundrejt ryshfetit. Përgjime në të cilat përmendej edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.

I tillë ishte rasti i tenderave sekretë. SPAK nuk gjeti asnjë shkelje në hetimin për tenderat gjatë periudhës së pandemisë nga Ministria e Mbrojtjes. Kompanitë fituese ishin të paracaktuara dhe përfituan miliona euro tendera nga fondet publike pa garë, nën justifikimin e koronavirusit.

Lexo edhe: Dosja 339/ SPAK po e godet aq fort krimin politik sa po arreston edhe të vdekurtit

Lexo edhe: E rikthen në Dibër/ Edhe SPAK ka frikë nga dosja 184

Lexo edhe: Ballafaqimi me faktet/ Si është e vërteta e zjarrit që dogji tenderat sekretë

Lexo edhe: Dokumenti sekret/ Si i përgjon PS prokurorët e SPAK. Sa prej tyre janë votues të sigurtë të Rilindjes (faksimilet)

Flagrant ishte qëndrimi që prokurorët e SPAK mbajtën për skandalin e të dhënave personale, kur në vend të mësynin në selinë e PS apo në zyrat e AKSHI, kërkuan kompjuterat dhe celularët e gazetarëve të Lapsi.al. Devijimi i hetimeve nga vjedhësit e të dhënave personale ishte një rast i ndikimit politik të punës së prokurorëve.

Në një vit e gjysëm ekzistencë të SPAK, janë të shumta dosjet ku prokurorët kishin mundësi të bënin shembuj të ndëshkimit të korrupsionit, por goditjet ndaj mazhorancës janë kursyer. Pikërisht për këtë arrestimi i kryebashkiakut socialist Fatos Tushe ende nuk bind.

Dilemat e Bashës për drejtësinë e re

Entuziasmi për drejtësinë e re nuk mund të thuhet se e ka prekur kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Por në reagimin e tij të parë për arrestimin e kryebashkiakut Tushe, Basha tha se ky aksion mund të jetë një “fillim i mbarë”.

“Arrestimi i Fatos Tushës pas denoncimeve shumëvjeçare nga PD të bashkëpunimit të tij korruptiv me krimin e organizuar, mund të jetë një fillim i mbarë” u shpreh Basha.


Gjithsesi kreu i PD-së i la një derë të hapur mosbesimit.

“Kjo do të varet nga aftësia, kuarajo dhe pavarësia e drejtësisë për të goditur lidhjet e pushtetit me krimin, lidhjet e Hakmarrjes për Drejtësi me Tushën, Braçen dhe vetë Ramën, dhe përfitimet e tyre të ndërsjellta në vite të gjata bashkëpunimi” vazhdoi në mesazhin e tij Basha, i ndërgjegjshëm se këto fjalë do t’ia peshojnë mirë, nëse nga lëvizjet e SPAK mund të preken edhe njerëz pranë tij./Lapsi.al

5 Comments

  1. Spak mund te mesyje dhe tek zyra e bashes pasi u perfol si pergjegjes per vjedhjen e miliona dollareve per ndertimin e rruges se kombit ne kohen kur ushtronte detyren e ministrit te puneve publike dhe transporteve. si vrases i 4 protestuesve te 21 janarit ne kohen kur ishte minister i brendshem. si pergjegjes per shitjen e detit kur u be minister i jashtem. perseri si vjedhes dhe abuzues me fondet publike nepermjet kunatit kur e vune kryetar bashkie me vota te pavlefshme. per keto arsye, dhe te tjera plot qe prokuroret mund ti zbulojne lehtesisht mund te cojne vete bashen neser pas hekurave. por lapsit maje-shkurter nuk i kujtohen keto zullumet e Lulos

  2. E pata thene me gojen e atij adashit tim Ed Shalsi se “Ne do te vjedhim me lezet” por kur jemi te rrethuar gjithandej ngaTushet truderra dihet se lezeti kthehet ne zullum.

  3. demokrati u ndal edhe te futja e PD-së në Kuvend në shtator, duke shtuar se opozita do të vijojë me aksionin e saj në çdo front.

    Kujtojme se vete Salianji eshte i denuar me 1 vit burg per “Babalen”, nje audio-pergjim i stisur dhe mashtrim per te goditur ish ministrin e Brendshem Fatmir Xhafaj.

  4. Dako akulloren qe doli ne pergjime nuk e shiti, as Lali Sdromsin me pergjimete Ndragetes me superkullat e Tiranes. Leprin e Lushnjes e shiti. Pse o sufllaqexhinj Rilindas dhe te spiropalizur, apo ska bo shume leke per partine ne 4 mandate si kryetar bashkie.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu