• |
ide | kryesore

‘Veliaj është qen sulmi’, ndryshimi i qëndrimeve brenda një dekade mes ish-ambasadorit Withers dhe kryebashkiakut të Tiranës

-Instant, Blog



Yes Sir !

*“Erion Veliaj është një qen sulmi (attack dog) i Edi Ramës”. – thuhej ndër të tjera në një kabllogram (lehtësisht të verifikueshëm) të zbuluar nga WIKILEAKS, i raportuar dhe i firmosur nga ambasadori Withers për DASH gjatë kohës kur përfaqësonte SHBA-të në vendin tonë.

**Një foto e para pak ditëve e kryetarit të Bashkisë së Tiranës me ambasadorin në pension z.Withers u shpërnda nga Veliaj me mbishkrimin e ngrohtë “ka miq, ka familje, ka dhe miq që të bëhen si familje”.

post scriptum – Paralelja midis dy fotografive të mësipërme, screenshot-it të ambasadorit gjatë mandatit të tij diplomatik dhe gjurmimi i kryebashkiakut për një foto me ambasadorin në pension e në punë t’vet, ftojnë për një pasqyrim mes dy ngjarjeve që i ndan një dekadë.

Pagëzimi si qen sulmi, sjell padashur inventarin zoologjik të shprehive të ngjashme mes dy popujve miq, leksikun krahasimor mes kafshës besnike dhe qenieve humane të shpërfytyruara sipas rastit, besnikë vetëm tek shefat kryetarë a pronarë partish, kryeministra etj.

Në të dy rastet qëllimi mbetet i njëjtë. Kocka.
Në USA besoj se krahasimi i një politikani me kafshën e pafajshme, do të zgjonte protesta të zjarrta nga shoqatat e mbrojtjes së kafshëve.

Tek ne, janë rritur breza që ekzaltoheshin e mrekulloheshin teksa jepte shpirt Gofi, pushtuesi nazist, qeni fiksional i helmuar nga “Tomka dhe shokët e tij” nën tingujt e këngës “fusha është e jona…”.

Nuk besoj se fusha e filmit të lidhet me emrin e mëvonshëm të një kompanie të privilegjuar tenderash.

Përtej sentimentalizmës ndaj kafshëve, rendja refleksive e attack dogs-ave pas pushtetit dhe parasë, nëpërmjet shqisës së nuhatjes, tejzgjat status quo-në e krizës ku gëlon duhma e dëshpërimit.

Aty ku vriten qytete dhe zhduket historia nën mallkimin e Vitit Zero.
Në kryeqytet shembet çdo ditë një ndërtesë emblemë tironse, për të mbirë një kullë majë të cilës një papagall fytyrëhumbur cicëron për pyll orbital dhe hapësira të gjelbërta.
Nën hijen e pushtetit të shefit shtatlartë dhe nën pushtetin e të papushtetshmëve të sojit.

Ndrangheta, me aksiomën “Yes Sir!” në majë të gjuhës, idiotët e nevojshmëm, tërë pispillosje dhe përkëdhelje, me anë të terrorit e propagandës, ngjitin shkallët drejt majave të epërme të karrierës në emër të kancerit për para e pushtet totalitar.
Shembuj si personazhi në fjalë, fatkeqsisht, kthehen në modele për tirazhe të larta të atyre që i shohin si histori suksesi.

Të rinj brenda rreshtimeve partiake, si qenie të trembura e të nënshtruara lehtësisht, kthehen hutimthi në turma duartrokitëse të personazheve groteske, fake dhe të papërtypshme nga stomaku i mendjeve normale.

Në prehrin e utopive, nëpërmjet zbrazëtirës kulturore e shpirtërore që ngjizet nga shkatërrimi i aftësive për të reaguar, shpresa për ide dhe për profile me identitet, kthehet në grohmësira në forma elozhesh nga “Yes sir” -ët pasardhës ku diktatorucët shfaqen si shpëtimtarë.

Sa më i madh bëhet numri i ndjekësve të tyre, aq më i vogël bëhet dyshimi për ta – thotë psikologu Sketel.
Tek ne, më të shtypurit janë edhe më letargjikë dhe shtypja vazhdon të prodhojë heshtje, nënshtrim.
Kapërcimi nga përgjumja, do të ndihmonte shoqërinë për një kthjellim e për të dalë nga burgu i shpirtit.

Zero tolerancë për frustrimet e diktatorëve të rinj në këtë territor prej vetëm 28 000 km2.
Sepse një ligj i pazbuluar mirë, thotë se sasia e tolerancës që mund të shpenzohet në një territor të caktuar, është e numëruar. Në një territor, nuk mund të konsumohet më shumë tolerancë sesa do mund të mbanin kufijtë e këtoj territori të quajtur Shqipëri. Shqipëria nuk do të ekzistonte si territori që njohim nëse do të toleronte të tjerët përtej kufirit të të qenit Shqipëri.
Matematikisht, toleranca ndaj të fortëve veshur me pushtet politik dhe ekonomik, prodhon diku viktima.

Rezistenca ndaj tyre, t’i privosh këta të fortë nga territori yt i lirisë, është t’u bësh vend të pambrojturve, të mënjanurëve, të dëbuarëve.
Mbi të gjitha, zero tolerancë për injorancën. Duke cituar shkrimtarin argjentinas Alejandro Dolina tek shprehet :
“Injoranca është shumë më e shpejtë se inteligjenca. Inteligjenca ndalet aq shpesh për të shqyrtuar, injoranca kalon mbi të papriturat e zakonshme që janë nocione të një shpejtësie të madhe dhe kurrë nuk ka diçka që asaj i tërheq vëmendjen. Kështu që ajo arrin kudo shpejt … sidomos në përfundime.

”Prandaj sa nuk është tepër vonë, të dalim nga strukja, indiferenca ndaj gjithçkaje, të refuzojmë e reagojmë ndaj injorancës veshur me pushtet e korrupsion të paimagjinueshëm.
O SOT, O KURRË !

Autor i shkrimit: Genti Çela

 



7 Comments

  1. E paske qa shkrimin. Nji dyshim kam te sasia e tolerances qe mendoj qe per shqiptaret mbetet e njejta sasi pasi ne e shkarkojme duke u largu prej ketyre qenve qe drejtojne.

  2. Me ndihmon dot kush te me tregoje se kush eshte qeni nga keta te dy ne foto qe spo mundem ti dalloj dot , mua me duken njesoi te dy

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *