• |
ide | kryesore

Aksioni i EUROPOL: 46 të arrestuar që trafikonin shqiptarë drejt Britanisë dhe SHBA

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit

Europol njoftoi sot për goditjen e një rrjeti të trafikut të emigrantëve të paligjshëm shqiptarë drejt Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara. Hetimi ka nisur që në vitin 2019 kur është konstatuar një rritje e përdorimit të llojeve të veçanta të dokumentave të falsifikuara nga ana e emigrantëve nga Ballkani Perëndimor. Deri më tani janë të paktën 46 të arrestuar, më shumë se 400 emigrantë të identifikuar në aeroporte të ndryshme e një mijë dokumente fallso të sekuestruara.


Operacioni më i fundit është zhvilluar dy javë më parë në Spanjë, në bashkëpunim me policinë shqiptare dhe forcat e sigurisë e autoritetet e emigracionit të 7 vendeve europiane, mes tyre dhe ato të Kosovës, si dhe autoritetet amerikane. Të paktën 18 persona përfunduan në pranga, ndërsa u sekuestruan dokumenta të falsifikuara, të dhëna financiare dhe të dhëna mbi aktivitetet të paligjshme, apo pajisje elektronike, para dhe lloje të ndryshme drogash.


Fillimisht është goditur një grup që vepronte në ishujt e Karaibeve, të cilët ndihmonin kalimin në Shtetet e Bashkuara, me dokumenta fallso, të qytetarëve shqiptarë. Më pas në dhjetor të vitit 2020 u arrestuan korrierët që shpërndanin dokumentat fallso në Shqipëri dhe Kosovë, ndërsa në mars të 2021, në Kosovë u bllokuan 4 mjedise ku shtypeshin dokumenta të falsifikuara.

Hetimet çuan dhe në goditjen e një rrjeti kriminal në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë që merrej me fluturimet dhe pritjen e emigrantëve në këto dy vende. Ndërsa informacionet e dërguara nga autoritetet amerikane bënë të mundur identifikimin e një personi të nivelit të lartë i cili me bashkëpunëtorët e tij ofronte karta identiteti francese false përmes së cilave emigratët hynin nga aeroportet e Spanjës dhe Portugalisë.

Sipas EUROPOL-it, operacioni në Europë lidhet dhe me tre hetime që janë në vijim në Shtetet e Bashkuara. /VOA

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu