• |
ide | kryesore

Nga pjesët e lojës 30′ tek rivëniet anësore me këmbë: ja rregullorja e re që po mendon FIFA

-Instant, Sport



Fifa po mundohet të shikojë përpara drejt së ardhmes, duke eksperimentuar me disa ndryshime thelbësore në rregullat e lojës së futbollit. Një përmbysje e vërtetë është ajo që organizmi drejtues i futbollit botëror po eksperimenton këto ditë në Future of Football Cup, një turne për ekipet U 19 në të cilat marrin pjesë skuadrat e të rinjve të AZ Alkmaar, PSV Eindhoven, RB Leipzig dhe Club Brugge. Nuk bëhet fjalë për masa të thjeshta për të përmbushur evolucionin e lojës, por ndryshime revolucionare, të cilat sidoqoftë duhet së pari të paraqiten, pastaj të aprovohen nga IFAB (Bordi Ndërkombëtar i Shoqatës së Futbollit). Vetëm atëherë ato mund të përvetësohen në botën profesionale.

KOHËT E LOJËS
Jo më dy gjysma 45 minutëshe, por nga 30 minuta. Nuk ka më minuta rikuperimi, por kohë efektive, siç ndodh në basketboll, që do të thotë me orën që ndalet sa herë që ndërpritet loja.

ZËVENDËSIMET
Nuk do të ketë më tre ndryshime për ndeshje (të cilat janë bërë pesë për një vit e gjysmë për shkak të pandemisë), por zëvendësime të pakufizuara. Për të zbatuar këtë rregull, ndoshta do të ishte thelbësore që të zbatohet edhe ai i mëparshëm, në mënyrë që të shmanget humbja e kohës.

KARTONËT E VERDHË
Kartonët e verdhë do të shndërrohen në “të kuqe përkohësisht”: një ndëshkim me të verdhë në fakt do të sillte daljen nga fusha të lojtarit fajtor për faullin për pesë minuta. Ndëshkimi për kartonin e kuq, nga ana tjetër, do të mbetej si aktualisht.

ANËSORET
Si në futsal, për të kryer rivëniet anësore do të përdoreshin këmbët dhe jo më duart.

RIFILLIMI I LOJËS
Me rastin e një goditje këndi, goditje dënimi me dy pasime dhe rivënie anësore do të rrëzohej detyrimi për të shërbyer një shok të ekipit: kushdo që merr përsipër të ekzekutojë shërbimin do të jetë në gjendje të prekë topin për vete dhe të fillojë me shpejtësi një aksion të ri.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *