Partizani ka kryer seancën e fundit stërvitore në Shqipëri, ndërsa sot është nisur drejt Zvicrës, për ndeshjen e të nesërmes me Basel, për raundin e dytë të Conference League. Sikur të mos mjaftojë një ndeshje e komplikuar për të kuqtë, teknikun Daja e shqetësojnë edhe dëmtimet e sidomos ai i Emiljano Mustës.
Kështu, kryeqytetasit kanë fluturuar drejt Zvicrës duke e lënë në shtëpi mbrojtësin e majtë, edhe pse tekniku kishte shpresa të mëdha se mund ta rikuperonte lojtarin e dëmtuar në ndeshjen e parë me Sfintul Gheorghe. Një vakum që të kuqtë i trembeshin, duke qenë të zbuluar në atë pozicion e kështu, Dajës do ti duhet të improvizojë me Herald Markun, që e bëri rolin në 45 minutat e tyra të sfidës së parë, në ndeshjen e kthimit dhe tani edhe në Zvicër, ku përballë do të gjejë sulmues të një niveli shumë më të lartë se ata moldavë.
Gligorov, Shehi e Belica do të plotësojnë repartin përpara kapitenit Hoxha, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës kryeqytetase nuk duket se mund të ndryshojë, me teknikun që nuk ka ndërmend të heqë dorë nga tridhëmbëshi ofensiv Cara-Junior-Cardoso.
Partizani, pasdite do të ketë edhe konferencën zyrtare për shtyp dhe, më pas, do të kryejë edhe stërvitjen e fundit në stadiumin “St. Jakob Park”, për t’u futur zyrtarisht në 24 orët e fundit para startit të ndeshjes.