• |
ide | kryesore

Greqi/ Dënim përjetë shqiptarit për trafikun e 1.2 tonëve kokainë (Historia)

Arkiva, Lajme, Të fundit



Një shqiptar u dënua me burgim të përjetshëm në Greqi, i akuzuar për trafikun e një sasie prej 1.2 tonë kokainë. Sandër Pema u arrestua nga policia helene në janar 2020, pasi u kap duke trafikuar sasinë e madhe të drogës në ishullin Shën Vincent.

Në bankën e të akuzuarve janë 13 persona, 5 prej të cilëve janë dënuar me burgim të përjetshëm, përfshi edhe 42-vjeçarin shqiptar. Lënda narkotike ishte ngarkuar në velieren “Barracuda Seven” në shtetin ishull ekzotik Shën Vincent të Karaibeve dhe u sekuestruan në një banesë në Astako, Greqi.

Lënda narkotike e sekuestruar prej 1 ton 181 kg, kapte vlerën e 50 milionë eurove nëse do të hidhej në treg. Truri i trafikut ishte një baron shqiptar droge i quajtur “Doktori”, siç e thërrisnin bashkëpunëtorët e tij. Pas informacioneve të DEA-s amerikane, në organizatën kriminale kishin arritur të depërtonin dy oficerë sekrete të policisë greke me pseudonimet “Stavros Triantis” dhe “Kyriakos Stratias”.

Ata gjetën kontakt me kreun shqiptar dhe fituan besimin e tij. Oficeri “Stavros Triantis” në 9 nëntor 2018 hipi në velierën me flamur grek “Barracuda 7”, e cila u nis nga Alimo bashkë me shqiptarin, Arbër Përdeda, banues në Spanjë, i cili mbante kontakt me kreun e grupit. Paralelisht “Stavros Triantis” kishte komunikim me shërbimin e tij, ku kanalizonte informacionin lidhur me lëvizjet e kartelit.

Gjatë kësaj periudhe, u zhvilluan takime edhe në Shqipëri dhe në Barcelonë në lidhje me ngarkesën e drogës. Pagesa u bë me këste përmes një banke shqiptare nga një shqiptar që deklarohej si tregtar. Nga 8 të arrestuarit, Sander Pema ishte krahu i djathte i kreut te organizatës.

Një tjetër shqiptar dhe një grek 28 vjeç ishin përgjegjës për listpagesat. Një maroken ishte përgjegjës për marrjen e drogës nga furnizuesit dhe shpërndarjen e tyre tek pjesëtarët e tjerë të organizatës.

Një tjetër shqiptar kishte rol koordinues me kreun e grupit në Spanjë, ndërsa një grek 46- vjec bashke me dy shqiptare dhe një person ende të paidentifikuar, ishin përgjegjës për masat e sigurisë gjate transportit të drogës.

Ndërsa një shqiptar me banim në Spanjë ishte përgjegjës për sigurinë e krerëve të organizatës. Sandër Pema nuk është i panjohur për organet e drejtësisë në Greqi, pasi në vitin 2010, u përfshi në një përplasje të armatosur me policinë greke në Virona se bashku me Marian Kolën, i arratisur nga burgu i Trikallas dhe i vrarë më pas në kufirin grekoshqiptar. Në përplasjen e atëhershme me armë në Virona mbeti i vrarë edhe shqiptari Nikolla Todi.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *