• |
ide | kryesore

Nga Europiani te Reja, Xhaka e Hysaj… Armand Duka rrëfehet për “Tuttomercatoweb”

-Instant, F1, Sport



Nuk është hera e parë që Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, bëhet personazh i intervistuar në mediat përtej Adriatikut, por këtë herë për “Tuttomercatoweb” numri 1 i futbollit shqiptar ka folur për një sërë çështjesh të ndryshme të aktualitetit në futboll. Nga finalet e kampionatit Europian, te Shqipëria e trajnerit Edy Reja, e ardhmja e futbollistit shqiptar Granit Xhaka e deri te shpërthimet e tifozëve lacialë ndaj Elseid Hysaj, kreu i qeverisë shqiptare të futbollit është rrëfyer pa doreza. “Është një çështje shumë serioze kjo që ka ndodhur. Elsi është një lojtar i madh dhe një djalë i shkëlqyer, që nuk e meriton aspak sulmin që i është bërë. Karakteri i tij i fortë do të jetë në gjendje të triumfojë përballë këtyre sulmeve dhe do të bëjë një sezon të madh me Lacion dhe Kombëtaren tonë. Dhuna verbale dhe ajo ideologjike nuk ka asnjë lidhje me futbollin dhe vlerat e tij. Ato duhet të qëndrojnë gjithmonë larg futbollit” ka thënë Duka.

E në Romë, presidenti është ndalur edhe në spondin tjetër të qytetit, atë verdhekuq, ku pas Kumbullës, shqiptarët mund të jenë dy nëse firmos edhe Xhaka: “Graniti është një mesfushor i shkëlqyer, me shumë cilësi. Cilësitë e tij u konfirmuan tashmë edhe në kampionatin Europian, ku pamë paraqitje të shkëlqyera dhe një lider që dinte si të drejtonte skuadrën në momente të vështira, si në suksesin kundër Francës – analizoi Duka -. Pa dyshim që do të ishte një vlerë e shtuar për Serinë A dhe për Romën, që besoj se do të zhvillojë një kampionat të mirë këtë sezon”.

Natyrisht opinioni i Dukës nuk mund të mungonte për teknikun italian të kombëtares Edi Reja: “Me trajnerin Reja po bëjmë një punë të mirë nga të gjitha anët. Ai po ndihmon shumë jo vetëm me Kombëtaren e madhe, por edhe me ekipet Kombëtare të të rinjve, nga U-15 deri tek U-21. Dua të them se edhe me rezultatet po bëjmë mirë. Arritëm të fitojmë grupin në Ligën e Kombeve, pavarësisht mungesave dhe vështirësive nga Covid-19. Në këtë rrugëtim të ri, e kemi nisur mirë, kemi 6 pikë pas tre ndeshjesh të luajtura, një kundër Anglisë në Tiranë. Duhet të theksoj faktin se shtatori është shumë i rëndësishëm për ne, sepse do të luajmë kundër Polonisë në transfertë dhe Hungarisë e San Marinos në shtëpi”.

E në fund Europiani, ku numri 1 i FSHF-së ka pickuar anglezët se edhe vetë nuk e besonin se do të fitonin kundër Italisë: “Anglia nuk e besonte se do arrinte të fitonte Kampionatin Europian edhe pse i gjithë opinioni publik dhe tifozët kishin krijuar një atmosferë që trofeu po vjen në shtëpi, por ata nuk e besonin. Belgjika kishte një skuadër të fortë, për shumë shikohej si një nga favoritet kryesore por për mua nuk ishte në listën e favoriteve”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *